Skënderbeu në Krujë

Dilaver Goxhaj: SHKAKU I LUFTËS CIVILE SI DHE I UNITETIT KOMBËTAR SIPAS SKËNDERBEUT

Sulltan Mehmet Fatihu, i cili sundoi Perandorinë Osmane nga gushti 1444 deri në shtator të 1446, dhe më vonë nga shkurti 1451 deri në maj të 1481, në qershor të vitit 1461 plaçkiti vendin e Venedikut në Peloponez. Prandaj venedikasit, të cilët ishin aleatë dhe të lidhur me miqësi shumë të madhe me Skënderbeun, dërguan tek ai si përfaqësues Gabriel Trivizanin dhe e nxitën t’i shpallte luftë Mehemt Fatihut, i cili prishi i pari besëlidhjen dhe shkeli i pari besën. – shkruan Marin Barleti, dhe vijon:

Skënderbeu bëri marrëveshje me Papa Piu II (i cili më parë quhej Enea Silvius), për të sulmuar ushtrinë e Mehmetit Fatihut së bashku me forcat e krishtera e kryqtare të Republikës së Krishterë, për ta larguar ushtrinë osmane përfundimisht nga Ballkani.

Dhe, ditën që Skënderbeu  e priste në Epir Papa Piu-n II me ushtrinë e tij, sipas marrëveshjes, më  14 gusht 1464, Piu II vdiq. Skëndërbeu nuk u tremb aspak nga kjo hata e  mynxyrë e të krishterëve, por thirri ushtarët e vet, dhe pasi ngriti sytë në qiell, tha me zë të lartë e me një frikë perëndie shumë të madhe në zemër:

“Dhe që ta them me fjalë atë që kam në mëndje, asnjë shtet apo popull nuk është aq i fortë saqë, kur s’ka armiq jashtë, të mos ketë as brenda për t’u ndeshur e matur me të dhe për t’u ndrydhur e shtypur njeri-tjetrin me forcat e veta, meqë e shohin veten të siguruar nga rreziqet e jashtme. Makar (të paktën) të mos e kishin rrënuar romakët Kartagjenën,  shemrën dhe kundërshtaren e vet, të mos e kishin zhdukur armikun e jashtëm, për të pasur ngaherë se kujt t’i trëmbeshin, atëherë me siguri që nuk do të ishin bërë shkrumb e hi nga luftrat civile, nuk do të kishin kthyer armët kundër vetëvetes, shteti dhe perandoria e tyre do të qëndronin ndoshta tani në këmbë. Dhe me të vërtetë, frika e jshtme, e cila thuhet se është roja më e mirë dhe lidhja më e fortë e bashkimit të brendshëm, do t’i kishte ruajtur e shpëtuar ata.

Edhe ne, po të mos e kishim armikun jashtë, po të mos e kishim kundërshtarin që të na mbante në shqetësim e në frikë, pa dyshim që do t’i kthenim armët kundër vetes sonë e do të shkatërroheshim të gjithë së bashku me luftrat e brendshme dhe civile.”  (Marin Barleti “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1983,f.599-600).

      *           *           *

Në rast se i kthehemi historisë 78 vjeçare (1945-2023) të Republikës sonë  të Shqipërisë, në epokën 45 vjeçare enveriane (sikundër duan ta etiketojnë demokrato-socialistët tanë), e kishim armikun e  jashtëm dhe e prisnim nga dita në ditë, (Greqinë e Jugosllavinë), pra, e kishim përherë kundërshtarin që na mbante në shqetësim e në frikë, prandaj qëndruam të bashkuar si popull edhe pse me katër fe të ndryshme si asnjë vend tjetër në Evropë; prandaj dhe u shumuam nga 1 milionë që ishim, në gati 4 milionë për 40 vjet, duke ngritur të gjitha llojet e industrive duke mos u njohur fare papunësia; prandaj arritëm që gjithçka ta prodhonim në vend me forcat tona; prandaj e siguruam bukën në vend dhe krijuam rezerva për 30 vjet edhe pse 76% e territorit të Republikës e kemi kodrinor e malor; prandaj krijuam një ushtri që nuk mund të na pushtonte as edhe një koalicion armiqsh, falë atij uniteti të brendshëm, ku dhe armatimin arritëm ta prodhonim vetë; prandaj elektrifikuam me forcat tona dhe falas edhe deri kasollen e fundt të fshatit më të thellë malor; prandaj bonifikuam të gjitha kënetat që zotëronin 40% të Shqipërisë Perëndimor dhe ngritëm një shëndetësi të shtrirë edhe deri në fshatin më të vogël e më të thellë të vendit me mjekë, mami e infermier/e dhe gjithcka falas; ishte kjo përkujdesje shtetërore që bëri të mundur shtimin e jetëgjatësinë mesatare të popullit nga 38 vjeç në 72 vjeç si rrjedhojë e zhdukjes të të gjitha llojeve të epidemive; prandaj nuk i njihej as emëri drogës si dhe prostitucionit; prandaj nuk e kishim as në fjalor fjalën korrupsion. Dhe të gjitha këto, pse ishte ajo frika e jashtme prandaj nuk kishim armiq brenda dhe prandaj nuk i kthyem armët kundër vetes sonë, si rrjedhojë e pasjes të një uniteti popull-parti të jashtëzakonshëm.

Dhe këtë 33 vjet (1990-2023) që  kemi krijuar bindjen se nuk kemi armik të jashtëm, realisht nuk kemi asnjë prodhim tonin bujqësor apo industrial, madje as domate e as patate, e jo më bukën; i vetmi prodhim bujqësor masiv është kultivimi i drogës kurse e gjithë toka bujqësore është djer; nuk kemi asnjë lloj industrie, as bujqësi, aspak mjekësi në fshat por vetëm në qytetet kryesore dhe jo falas; popullsia ka emigruar dhe kemi mbritur në  gati 1 (një) milionë banorë, si në vitin 1945, ku i gjithë fshati si dhe qytezat industrial janë zbrazur  gati 80%; industrinë dhe armatimin e çuam të gjithë për skrap prandaj dhe mburemi pse nuk kemi as ushtri, deri dhe policimin e hapësirës ajrore na e bëjnë armiqtë e nesërm të mundshëm;  kemi shkatërruar gjithçka që përmenda më lart, në zbatim të parrullës politike qysh ditën e parë të pluralizmit politik: “Gjithçka ta fillojmë nga zerua”, e cila përmendej nga politikanët e djathtë tërë krenari në radio, gazeta e TV gati çdo ditë;  kemi 33 vjet që kemi luftra të brendshme, deri edhe luftë civile me armë (1997), madje ka filluar edhe lufta fetare. Gjithçka po kthehet në shkrumb e hi. Dhe, nëse do të ndodhë (lusim Jo!), që një ditë të shpërbëhet Pakti Atllantikut Verior (NATO), Shqipërinë e pushtojnë armiqtë e jashtëm brenda disa ditëve,  ndoshta edhe vetëm me Klubin e Gjuetarëve, sikundër u shprej Sllobodan Millosheviçi në vitin 1992.

 

17 janar, 2024

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …