Nasip Naçi: Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi bënë qëllim të jetës arsimimin e vashave

Të frymëzuara nga ëndra e vëllait të tyre , Gjerasimit, që predikoi ungjillin në shqip që në vitin 1885, dy motrat e tij, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, bënë qëllim të jetës së tyre arsimimin e vashave, të femrave të shtypura të Korçës dhe gjithë vendit tonë. Vashat e Shqipërisë, shkruan Meri Roxhers, janë me fat që kanë Sevastinë, që lufton për to.

Unë jam shqiptare, ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, ideali im është të ngrë popullin drejt shkollimit dhe pavarësisë, shkruan Sevastia , në librin e saj “ Jeta ime”.

Në moshën dhjetë vjeçare unë konsiderohesha si vajzë e rritur, kështu që u mendua se ishte më mirë që të hyja në shkollë si konviktore. Shkolla Amerikane e Misionit në Manastir ushtronte një ndikim të madh arsimor në të gjithë qytetin. Jam rritur në këtë shkollë, që e mbarova në vitin 1888, aty kam marrë bazat e formimit tim. Pastaj vazhdova studimet në Kolegjin Amerikan të Vashave në Kostandinopojë, ku fitova një këndvështrim të gjerë për jetën.

Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi njihen për themelimin e shkollës së parë të vashave në Shqipëri, dyert e sw cilws u hapën më 23 tetor 1891, aty ku sot është Biblioteka e Korçës. Pas vdekjes shumë herët të Gjerasim Qiriazit ne vitin 1894, Sevastia tregoi vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm duke luftuar për ta mbajtur hapur Shkollën e Vashave edhe pse Perandoria Osmane po mbyllte shkollat e tjera në Shqipëri. Ajo përgatiti shumë prej teksteve shkollore në Shqipëri, pati ndikim në standartizimin e alfabetit shqip, mësoi valën e parë të mësueseve shqiptare, udhëhoqi lëvizjen për emanipimin e femrave dhe punoi pa u lodhur përkrah atdhetarëve të tjerë shqiptarë për çlirimin e vendit nga sundimi osman. Historia e familjes së tyre është frymëzuese për sensin e lartë patriotik dhe kulturor, që të apasionon kur lexon monografinë mbi jetën e Qiriazëve.

Vula e bënte diplomën time të vlefshme në sytë e autoriteteve turke dhe më ndihmonte në sigurimin e një dekreti për hapjen e shkollës së parë shqipe për vajza. Të nesërmen u nisa për t’u kthyer në Manastir, në vendin tim, në shtëpinë time. “ Mirë se vjen në shtëpi ! . “ Te porta më priti një turmë e madhe njerzish : babai, nëna, vëllezërit e motrat. Për më shumë se një orë jam përqafuar e puthur plot dashuri prej tyre.

Më 3 tetor, sëbashku me vëllanë tim Gjerasimin, u nisëm me karroce nga Manastiri drejt Korçës për të hapur një shkollë për vasha. Pas shtatë apo tetë orësh hymë në Korçë nga veriu. Kur arritëm në shtëpinë ku Gjerasimi kishte jetuar dhe ku do të fillonim shkollën, e pashë nga afër se ishte një shtëpi e madhe dhe e bukur në qendër të qytetit, me gjashtë dhoma dhe dy korridore të mëdha. Në tetor të vitit 1891 dyert e Shkollës së Vashave, u hapën në shtëpinë tonë, ditën e parë me tri vajza mjaft inteligjente e premtuese, dhe për pak kohë numëri i tyre arriti 27 nxënëse. Shkolla iu nënshtrua qysh në ditët e para sulmeve të injorantëve, bestytnisë, tiranisë dhe përndjekjes. Pavarësisht nga këto shkolla arriti që jo vetëm të mbijetonte, por edhe të lulëzonte dhe numri i vashave sa vinte e rritej më shumë. Në verë të vitit 1892, im vëlla, Gjerasimi, bleu një ndërtesë për shkollën, pasi në shtëpinë tonë nuk mund t’i shërbenim dot atij numëri vashash, që prisnim të vinin vjeshtën që pasonte. Sapo morëm tapinë, Gjerasimi pajtoi punëtorë për meremetime dhe shkonte vetë çdo mëngjes për të mbikëqyrur punimet. Në shtator të vitit 1892 hymë në ndërtesën e re të shkollës me shumë nxënëse të reja , ajo kishte hapësirë të mjaftueshme. Ndertesa – monument dykateshe ne rrugen “ Stefan Andrea” prane bulevardit “ Republika “ qendron aty edhe sot. Në vitet e tjera asaj iu bënë edhe shtesa të tjera, për të përballuar numrin në rritje të nxënëseve. Përurimi ishte mbresëlënës. Viti shkollor 1892- 1893 u mbyll me sukses të madh dhe kishte gjithsej 53 nxënëse. Vëllai, Gjerasimi , i lindur më 15 tetor 1835, mori një të ftohur, u sëmur rëndë dhe nuk gjeti dot shërim, vdiq në moshën 35 vjec, në janar të vitit 1894. Tani e tërë barra e shkollës ra mbi supet e mia. Gjergji, vëllai im i vogël, u ftua për të marrë vendin lënë bosh nga Gjerasimi si agjenti i Shoqërisë Biblike Britanike për Vendet e Huaja për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ky ishte një ndryshim fatlum, sepse hapi rrugën që Gjergji të punonte për vendin e tij dhe i dha atij mundësi për të më ndihmuar në shkollën time. Korçarët, duke parë sukseset e vajzave në shkollën tonë që mësonin gjuhën amëtare ta shkruanin dhe ta lexonin, na luteshin të sillnin edhe djemtë dhe grupi i tyre vinte mbasdite në orën katër nga prilli deri në fund të qershorit, obori i shkollës ishte klasa e tyre. Mw 1901 shkollen e Vashave e vizitoi M. E. Durham dhe mbeti e kenaqur.

Në fund të dhjetorit 1921, pas shtatë vitesh qëndrimi në Amerikë, ne nisëm udhëtimin tonë për t’u kthyer në shtëpinë tonë në Shqipëri dhe dita e vitit të Ri, mua, dy djemtë dhe motrën time na gjeti në bordin e anijes “La Loraine”, ku mirëpritëm vitin 1922. Arritëm në Tiranë. Edhe qeveria, edhe populli donin që ne të udhëhiqnim lëvizjen arsimore në Shqipëri.

Më 2 tetor 1922 vendosëm të rihapnim shkollën në kryeqytetin e Shqipërisë pasi gjetëm një ndërtesë të mirë për shkollë dhe vajzat që u regjistruan ishin të shumta.Qysh në fillim shkolla jonë u bë një shkollë kombëtare që përfaqësonte të gjitha krahinat dhe gjithë besimet fetare. Stafi i shkollës përbëhej nga Parashqevi Qiriazi, drejtoresha Fanka Eftimi, bashkëpunëtoria jonë për shumë vite Rubi Hamilton londineze, Elen Vraka, Kristo Dako – administrator dhe nga unë.Viti i dytë na gjeti me vajza të ardhura nga Dibra, Mati, Shkodra, Elbasani, Korça, Vlora dhe Berati, si dhe katër motrat e mbretit Zog. Gjatë vitit shkollor !923- 1924 shkolla u vizitua nga anëtarë të Këshillit të Lartë të Regjenës, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe nga ministri i Arsimit, Sotir Peci. Tashmë shkolla jonë mori emrin Instituti Qiriazi. Shkolla jonë u vizitua edhe nga kryepeshkopi Fan S. Noli, i ili shkroi midis së tjerash : “ Instituti Qiriazi do të shkruaj një faqe në historinë arsimore të Shqipërisë, ashtu si bëri edhe Shkolla e Vashave në Korçë. Garancia më e mirë për përparimin e saj është aftësia dhe guximi që karakterizon dy zonjat që drejtojnë punën “.

Në shtator 1925 dy djemtë e mi, Aleksandrin dhe Gjergjiin i çova në Kostandinopojë në Akademinë e Kolegjit Robert, për të vazhduar arsimimin e tyre që kishin filluar në Boston.

Për të ndërtuar një shkollë të re sipas kërkesave të kohës, im shoq, zoti Dako, zgjodhi në Kamëz vendin e përshtatshëm dhe sapo u sigurua tapia për tokën projektoi me tre arkitektë planin për ndërtesën e re të Institutit Qiriazi në Kamëz dhe pasi u ndërtua shkolla e re , më 3 tetor 1927, mësuesit dhe nxënësit e e Institutit Qiriazi marshuan nga Tirana në Kamëz. Shkolla përfundoi së ndërtuari plotësisht në vitin 1929. Dita e diplomimit të 30 vajzave, në vitin 1931 ishte një rast i shkëlqëyer, diplomat ua dha ministri i Arsimit.

Në vitin1933, kur Sevastia ishte në fillim të të gjashtëdhjetave, mbreti Zog urdhëroi që të gjitha shkollat private, duke përfshirë edhe Institutin Qiriazi, të mbylleshin. Dekreti i Zogut e ndërpreu karrierën e shquar si arsimtare të Sevastisë dhe Parashqevisë. Në vitin 1935 Sevastia u muar me shkrimin e kujtimeve, Sevastia i tregonte dhe i shoqi, Kristo Dako i shkruante. Sevastia ishte vizionare në fushën e arsimit dhe shembull i atdhetarizmit , ajo mbetet me zemër një shqiptare e vërtetë.

Në vitin 1943 Sevastia dhe Parashqevia jetonin në Kamëz pa ndonjë veprimtari publike të vecantë. Ishte kohë lufte. Në nëntor të këtij viti gjermanët erdhën në Kamëz. Dikush u kish thënë se në pyllin tonë prapa shkollës fshiheshin partizanë prandaj ata qëllonin me top. Pastaj e morrën familjen Qiriazi me një kamion dhe i cuan në kampin e përqëndrimit në Banjia në Beograd. Kur u kthyen në Kamëz pas nja dy vjetësh, cdo gjë ishte shkretuar. Në vitin 1946 qeveria komuniste u sekuestroi shkollën dhe nuk dinin ku të strehoeshin. Dy djemtë e saj, Aleksandrin dhe Gjergjin , në fund të vitit 1946 i burgosën dhe sigurimi i akuzoi si spiunë të amerikanëve. Në shkurt 1949 na njoftuan se Gjergji, djali i dyte i Sevastisw, kishte vdekur, kishte vrarë veten mbasi nuk duronte më torturat. Sevastia shkoi për të marrë trupin e të birit, por nuk ia dhanë. Aleksandri u dënua me shtatë vjet burg. Sevastia vdiq në vitin 1949, gjashtë muaj mbasi vdiq në burg djali i saj, Gjergji.

Shumë kohë më pas, në vitin 1962, me rastin e 50 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë për konjuktura politike të rregjimit komunist, u tregua një interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi. Gjerasimi, Gjergji ( vëllai dytë i Sevastisë ), Sevastia dhe Parashqevia u dekoruan me Urdhërin e Lirisë dhe me Urdhërin për Veprimtari Patriotike. Më vonë Sevastisë dhe Parashqevisë iu dha titulli “Mësuese të Popullit “, titulli më i lartë për arsimin. Parashqevia vdiq në vitin`1970 dhe shteti bëri një varr të përbashkët për motrat Qiriazi.

Sevasti Qiriazi – Dako , më 15 gusht 1938, kur banonte në Kamëz, Tiranë, në parathënien e librit “ Jeta ime “ shkruan se kur isha në Amerikë mjaft nga miqtë e mi më kanë kërkuar të hedh në letër historinë e jetës sime, por kam qënë aq e zënë me punë, sa që në atë kohë, as që mund të mendoja ta përmbushja këtë kërkesë të tyren. Tani që nuk jam e ngarkuar me ato përgjegjësi aq të mëdha, nguroj dhe them : a ia vlen vërtet të tregoj për jetën time. Po shqyrtoj motivet që më së fundi më nxitën të ndërmerrja detyrën e shkrimit të këtij libri. Unë jam përpjekur të paktën të jem sa më e sinqertë, jam munduar me shumë kujdes që të sjell historinë e jetës sime nën dritën e fakteve reale, në mënyrë sa më të paanshme dhe objektive që të ishte e mundur. Gjatë jetës sime më është dashur që të përfshij në libër edhe rëfime të ngjarjeve politike mjaft të trazuara me kundërshti të rrepta politike dhe fetare. Nëse faktet e mia shkaktojnë dhimbje, nuk është faji im. Është faji i atyre që i bënë të këqijat dhe tejshpuan zemrat e të pafajshmëve. Gjatë karrierës sime të gjatë kam parë, gjithashtu, edhe disa heronj të vërtetë. Kjo fjalë në ditët e sotme përdoret paksa lirshëm. C’ farë do të thotë fjala “ hero “ për mua. I quaj heronj ata që sakrifikojnë veten për hir të të tjerëve dhe jo ata që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes.

Tani, në ndihmë të lexuesit që kërkon të kuptojë sa më mirë historinë time, dua të them nja dy fjalë në lidhje me qëllimin e punës dhe të jetës sime. Qëllimi i punës sime ka qënë ta përgatisja popullin shqiptar për të pasur një vetafirmim kombëtar, të promovoja ndjenjën e vëllazërisë mes myslimanëve dhe të krishterëve, t’i inkurajoja ata me fjalë e vepra që të punonin së bashku për liri e pavarësi dhe t’u mësoja atyre parimet themelore të lirisë së vërtetë. U kujdesa të bëja pjesën time mes popullit tim, duke u përpjekur t’u ndriçoja mendjen, t’i mëkëmbja dhe t’i çliroja prej zgjedhës së rëndë të paditurisë e besëtytnisë.

Si munda të takoja Koto Hoxhin në burgun e Jedukiles në Bosfor ? Gjatë kohës që isha në Kolegjin e Kostantinopojës, nga burime të ndryshme mora vesh se në burgun e famshëm Jedikule në Bosfor ndodheshin shumë shqiptarë të shquar, ndër të cilët edhe Koto Hoxhi. Historia e jetës së tij heroike la një mbresë të thellë në mendjen time dhe dalëngadalë në zemër m’u ndez dëshira e madhe të bisedoja me të. Kështu iu futa punës tinëz dhe me kujdes me shpresë që të siguroja ndihmën e mbikëqyrësit të burgut, Qamil Efendiut, i ili kishte qëlluar shqiptar. Fati më buzëqeshi. Një ditë krejt papritur, arrita të gjeja adresën se ku banonte Qamil Efendiu së bashku me familjen. Të nesërmen i bëra vizitë të shoqes, me të cilën u miqësova shpejt. Ajo më ftonte shpesh të kalonim ditën së bashku. Një ditë ndërsa po hanim drekë e hodha bisedën te çështja, që e kisha aq shumë për zemër dhe e pyeta Qamil Efendiun në se në burgun e Jedikules kishte ndonjë shqiptar. Ai përmendi disa emra dhe njeri prej tyre ishte ai i Kotos. Vendosa të mos lë gurë pa lëvizur deri sa të takohesha me atë atdhetar. Një ditë mora zemër, u vesha si djalë shqiptar dhe shkova t’i bëja një vizitë mbikëqyrësit të burgut të Jedikules Qamil Efendiut. Kur hyra në zyrën e tij, ai mbeti i habitur me veshjen time dhe më pyeti : “ Ç’ të paska sjellë këtu, moj vashë ? “ Ke treguar guxim të madh, por herë tjetër mos e merr një guxim të tillë.

Unë, i thash, Qamil Efendiut, kam ardhur t’iu lutem të më bëni një nder me rëndësi të madhe për mua. – Më thuaj c‘kërkon, tha ai me padurim, dhe unë do ta bëj , po të jetë në dorën time, por mos kërko të pamundurën. – Lutja ime i thashë është e thjeshtë, të më lejosh të takohem me Koton, një nder të tillë nuk kam për ta harruar kurrë. Kjo ishte e papritur përtë, por, pasi e mendoi një copë herë , mbikëqyrësi, edhe pse si me ngurim, ma dha lejen. Shkuam që të dy te porta, ku ai thirri një rojë që të më dërgonte te qelia e Kotos. Roja mori një fener dhe një tufë çelësash dhe filluam të zbrisnim në një labirinth të errët si pambarim. Nuk kaluam shumë, morrëm një kthesë tjetër dhe filluam të zbrisnim disa shkallë shumë të rëpirta, që na nxorrën në një korridor ku papritmas më zuri tmerri. Ajëri ishte tepër i rëndë dhe me lagështirë që të zihej fryma. Nga të gjitha anët dëgjoheshin rënkime, psherëtima dhe mallëkime. Si mbaroi ai korridor i stërgjatë, roja më tregoi me gisht një derë të vogël të cilën e hapi. Ndërsa hymë, qelia ishte një vrimë e qelbur që më bëri të dridhem e tëra. Një vazhdë drite që vinte nga një frëngji diku lart më ndihmoi të shquaj një figurë të mjerueshme, nuk dalloja në se ishte qënie njerëzore apo jo. Mbi një rrasë guri, që shërbente si shtrat, mbledhur kruspull mbi një kapicë rreckash, rrinte Kotoja ! U ngrit me stërmundim dhe u mbështet pas murit. Mora kurajën dhe i thashë : “ Tunjatjeta Koto ! “ Kush je ti që po flet me mua ? Jam një studente shqiptare në Kolegjin e Kostandinopojës, atje kam dëgjuar shumë për bëmat e tua fisnike. Kam ardhur, o atë i nderuar, të të them se fara që ti ke mbjellë po jep fryte të mira dhe se shpirti yt jeton në zemrën e popullit tënd.

Kam dëgjuar i thashë se Sulltani donte të të jepte faljen ! – Po, bija ime, por me kusht që t’i jepja emrat e njerëzve që organizuan Lidhjen Shqiptare ( të Prizrenit ). Si mund të tradhëtoja unë udhëheqësit e lëvizjes sonë të parë kombëtare. Une e hodha poshtë kërkesën e sulltanit, pikërisht kjo përgjigje më solli këtu ku jam. Jam i gëzuar, më tha Koto, që ti ke vendosur t’ia kushtosh jetën tënde arsimimit të motrave të tua shqiptare, arsimi është arma që vret tiraninë, më tha Koto. Roja na ndërpreu bisedën, se po bëhej vonë dhe duhej të largohesha. U mundova të kapërdij lotët, dola nga qelia e mbytur në lot.

Si ra rasti që u takova në Kostandinopojë me tre vëllezërit Frashëri ? Vëllai im Gjerasimi ftoi disa nga miqtë e tij shqiptarë, që jetonin në Kostandinopojë që të ishin të pranishëm në diplomimin tim. Pas ceremonisë, ai më kërkoi t’i takoja këta zotërinj, të ilët po prisnin që të më përgëzonin. Mes tyre kishte tre vëllezër të shquar, Abdyl, Sami dhe Naim Bej Frashëri. Naim Beu, i cili në atë kohë ishte me detyrë Komisioneri i Arsimit në Stanboll, m’u drejtua në shqip e më tha : Motër, ti nuk mund të bësh për Shqipërinë punë më të mirë se kjo që tani ke vendosur të bësh së bashku me vëllanë tënd për emanipimin e grave të vendit tonë të vogël e të varfër. Nëse tregohesh besnike e ngulmuese, ke për të pasur arritje të mëdha për kombin tonë. Ai shtoi : “ Dalsh me faqe të bardhë “. Më bënë shumë përshtypje fjalët e tij dhe nuk e harrova këshillën që më dha.

Vizita në Shtetet e Bashkuara. Kur motra ime Parashqevia ishte diplomuar në Kolegjin Amerikan të Vashave në Kostandinopojë mund të lirohesha për t’u marrë një vit me studime dhe të shkoja edhe në Amerikë. Ajo si mësuese kishte shumë popullaritet dhe fitoi dashuri nga e gjithë shkolla. Parashqevia ka marrë pjesë si delegate në Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908.

Vizita në Amerikë ishte për mua diçka që mendohej si një sipërmarrje tepër e madhe. U nisa për Amerkë dhe mbrita në Nju- Jork. Pas dy ditësh qëndimi në Nju- Jork me tren mbrita në Boston t’i bëja një vizitë shoqes sime Elen Stounit. Pata kënaqësinë të kaloja një muaj të tërë me të. Në Boston vizitova mjaft institucione, muze dhe vende të rëndësishme historike. Më ftuan të kaloja dimrin në Evantson të Illinoit, në shtëpine e z. M.T. Redington, kushëririt të zonjushës Stounit. Pastaj në Çikago më priti z. Redington, që më çoi në Evanston. Sapo futa këmbën në shtëpinë e tij , u ndjeva si në shtëpinë time, zonja Redington ishte një zonjë e shkëlqyer, aty pashë jetën e amerikanit të vërtetë. Në Çikago takova pas katërmbëdhjetë vjetësh zonjushën Fenshëm, mësuesen dhe mikeshën time në Kolegjin e Kostandinopojës. Ajo më prezantoi me shumë profesorë të shquar të Universitetit të Çikagos dhe Universitetit të Northuestërn. Një mike e mirë më mori një ditë e shkuam në Shtëpinë Hull për t’u takuar me zonjushën Xhejn Adams. Mua këtu m’u dha mundësia t’u jepja leksione shoqatave të ndryshme të grave dhe instituioneve të tjera dhe kështu munda ta bëja Shqipërinë të njohur te mikeshat e mia amerikane. Në fund të majit 1905 në kthim për Shqipëri, nga Vjena mora trenin për në Bukuresht dhe miqtë e mi për në Kostandinopojë.

Gjatë vizitës në në Bukuresht u takova për herë të parë me Kristo Dakon, bashkëshortin tim të ardhëshëm. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare “Dituria “. Kristoja ishte shumë i angazhuar në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë dhe një nga krerët shqiptarë që ndiqte studimet në Universitetin e Bukureshtit. Me që speializohej për matematikë , i kërkova të përgatiste disa tekste shkollore për shkollën tonë, sidomos për arithmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën. Ai e bëri këtë në gjuhën shqip me kënaqësi brënda pak viteve. Duke qënë se kishim gjithë këto interesa dhe ambicie të përbashkëta, kaq të ngjajshme me njeri tjetrin, ishte më se e natyrshme të kishim letërkëmbim të shpeshtë dhe, kështu,nga takimet mes nesh filluan dalëngadalë frytet e një romance. Duke u takuar për punën, duke pasur shpresat dhe dëshirat tona të njëjta për të ardhmen, ishte e pashmangshme që të mos futej në këtë marrëdhënie edhe elementi personal. Prej këtij takimi tonë në Bukuresht rezultoi edhe martesa jonë në vitin 1910 me Kristo Dako-n .

Kush ishte Kristo Dako ?, që u bë bashkëshorti i Sevastisë. Kristo Dako ka kryer në Bukuresht shkollën e mesme më 1898 dhe më 1902 kreu fakultetin e matematikës. Ai u angazhua në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Nga 1903 deri 1906 ndoqi dhe mbaroi fakultetin e Filozofisë në universitetin e Oberlinit në Shtetet e Bashkuara të Amerikws. Korrik-shtator 1913 ai ishte president dhe redaktor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Mbarëshqiptare “Vatra në Amerikë, Ai ka takuar dy herë presidentin amerikan Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë, duke i kërkuar mbështetjen e tij. Kristo Dako mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919.

Nga veprat e tij të botuara përmëndim : Cilët janë shqiptarët ? Fe e kombësi, dramë, Mësimet e para të gjeometrisë elementare, e tw tjera. Por vepra e tij më e madhe, sipas shokut dhe mikut tim tw vjetwr, gazetarit tw mirwnjohur Xhevdet Shehu, wshtw “ Kodi i gazetarisw shqiptare” tw botuar mw 1917, pwr tw cilwn mund tw shkruhet mw shumw.

Dana Struky, nga Kalifornia, më 23 tetor 2016 në parathënien e librit “ Jeta ime “ e “ Mësueses së Popullit “ Sevasti Qiriazi – Dako, shkruan si më poshtë : “ Sevasti Qiriazi mori pjesë në luftën për vetvendosjen dhe pavarësinë e Shqipërisë, por më vonë ajo, qe dëshmitare e disa pushtimeve të huaja të njëpasnjëshme dhe disa qeverive shqiptare, që u egërsuan shumë me Perëndimin. Sevastia dhe familja e saj ishin me arsim të lartë, flisnin shkëlqyeshëm disa gjuhë, kishin siguruar dhurime finaniare nga jashtë për mbështetjen e punës së tyre dhe kishin besim te Perëndia. Këta faktorë i bënë të spikatnin në veprën e tyre, por në fund nga regjimi paranojak , ateist komunist, shkruan Dana Struky, ajo u përgojua dhe i censuruan jetëshkrimin e saj, djemtë e saj u burgosën dhe u torturuan, djali i saj, Gjergji, vdiq në burg. Megjithëse ajo qe një thesar për kombin, ajo u tall nga rregjimi ateist dhe së fundmi, vdiq në varfëri e me zemër të thyer “.

“ Shkolla e parë e Vashave, e themeluar nga Gjerasimi e Sevastia dhe i mbajtur në këmbë mes vitesh me ndihmën e zotit Dako dhe zonjushes Parashqevi Qiriazi, i ka ndriçuar jetën femrave shqiptare për dyzet vjet. Këto femra që do të kishin mbetur të mbyllura mes katër muresh të rrethuara nga injoranca dhe bestytnitë, me mundësitë që u ka dhënë kjo shkollë, që më vonë u quajt Instituti Qiriazi, janë bërë udhëheqëse në Shqipërinë e re, shkruan Meri Roxhers, në hyrjen e këtij libri. Shumë prej tyre janë bërë mësuese, shkruan ajo, pasi janë përgatitur në departamentin e këtij Instituti. Të gjitha këto femra, pavarësisht nga profesionet që kanë zgjedhur, po i japin një kontribut të madh vendit të tyre, jo vetëm për shkak të intuitës dhe zotësisë së tyre, por dhe sepse kanë shpirtin e sakrifiës, një nga cilësitë kryesore që trashëgohet në Shkollën e Vashave, e cila me kalimin e kohës u quajt Instituti Qiriazi, thekson zonja Meri Roxhers. Shpirti i sakrifiës, është pikërisht kjo frymë, që më bëri më shumë përshtypje kur erdha te Instituti Qiriazi për të dhënë mësim , shkruan Meri Roxhers.

” Për herë të parë jam njohur me familjen Qiriazi kur isha profesoreshë në Kolegjin e Kostandinopojës. Parashqevi Qiriazi ishte një nga studentet e mia më të dashura. Kur u diplomua ajo mori përsipër punën e Shkollës së Vashave, të motrës së saj, Sevastisë, e cila ishte diplomuar në këtë kolegj para saj dhe kishte lënë mbresa të thella te mësueset. Më vonë i njoha të dyja në Shtetet e

Bashkuara, kur ishin refugjate gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Asnjë nga të diplomuarat e Kolegjit të Konstandinopojës nuk ka bërë punë më të shkëlqyer dhe më të frytshme se puna e këtyre dy motrave. Unë e kam ndjekur karrierën e tyre me interes të madh, shkruan Hester Donaldson Xhenkins, në Nju-Jork në janar të vitit 1939, e cila ka redaktuar librin “ Jeta ime “ të Sevasti Qiriazi – Dako. Ajo, shkruan se Shkolla e Vashave është arritja më e madhe e treshes : Gjerasim, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi ”.

Kontrolloni gjithashtu

Flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës në mars e prill të vitit 1981

Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, shënojnë fillimin e ndarjes definitive …