Gjykata

Disa institucione të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë reagojnë kundër Gjykatës Speciale

Katër institucione të Kosovës: Instituti Albanologjik i Prishtinës – Prishtinë; Instituti i Historisë  “Ali Hadri” – Prishtinë; Muzeu Kombëtar i Kosovës – Prishtinë; Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës – Prishtinë; tri institucione të Shqipërisë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë – Tiranë; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë – Tiranë; Muzeu Kombëtar i Shqipërisë – Tiranë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, kanë lëshuar sot një deklaratë për media, në të cilën përfaqësuesit e këtyre institucioneve, të nënshkruar në të, kanë shprehur mospajtime për arrestimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për gjykimin e tyre nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale. Sipas përfaqësuesve të institucioneve që e kanë nënshkruar këtë deklaratë, “nisur nga fakti se çdo deformim i rolit të UÇK-së, i misionit dhe qëllimit themelor të saj; çdo njollosje e kategorizim i UÇK-së si një ndërmarrje kriminale e jo si një ushtri popullore, vullnetare, çlirimtare e vetëmbrojtëse, përbën në vetvete një përpjekje për të njollosur jo individë të caktuar, por vetë vlerat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës e paqësor, si një popull viktimë e spastrimeve etnike e jo nxitës e promotor i politikave gjenocidiale, ne si përfaqësues të institucioneve tona, bazuar në studimet e dokumentet për atë periudhë, shprehim dhe një herë konsideratat tona”.

 

Deklarata e plotë, pa asnjë ndërhyrje:

D e k l a r a t ë

Si institucione përgjegjëse, me mandat të dhënë shprehimisht nga ligjet përkatëse, për të studiuar, ruajtur e administruar historinë e largët e të afërt të popullit tonë, si dhe kujtesën kolektive të materializuar në lëndën arkivore, në këtë përvjetor të 23-të të daljes publike të UÇK-së, shprehim vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm te luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës e të qytetarëve të saj, në radhët e në mbështetje të UÇK-së, për fitimin e pavarësisë e si një reagim e mbrojtje e ligjshme ndaj gjenocidit serb, ndaj dëbimit, shpërnguljes e vrasjeve masive, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të Kosovës prej shtetit të Serbisë.

Krahas evidentimit në rritje, me dokumente, fakte e dëshmi të së vërtetës: mbi ngjarjet e luftërat që shoqëruan shpërbërjen e pashmangshme të ish-Jugosllavisë; mbi rolin e përgjegjësitë e individëve, shteteve e forcave të ndryshme, për qartësimin e dallimin e  forcave shkaktare e nxitëse të konfliktit e luftës nga  ato të krijuara në kushtet e vetëmbrojtjes e mbijetesës kolektive, siç ishte dhe UÇK-ja, gjatë kësaj periudhe, nuk kanë reshtur përpjekjet nga qarqe e individë të caktuar për të përbaltur e deformuar të vërtetën historike.

Nisur nga fakti se çdo deformim i rolit të UÇK-së, i misionit dhe qëllimit themelor të saj; çdo njollosje e kategorizim i UÇK-së si një ndërmarrje kriminale e jo si një ushtri popullore, vullnetare, çlirimtare e vetëmbrojtëse, përbën në vetvete një përpjekje për të njollosur jo individë të caktuar, por vetë vlerat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, si një popull liridashës e paqësor, si një popull viktimë e spastrimeve etnike e jo nxitës e promotor i politikave gjenocidiale, ne si përfaqësues të institucioneve tona, bazuar në studimet e dokumentet për atë periudhë, shprehim dhe një herë konsideratat tona, se:

  1. Lufta çlirimtare dhe rezistenca e popullit të Kosovës, në periudhën 1998-99, përbën një nga vlerat më kulmore dhe më me ndikim në të ardhmen e popullit të Kosovës, si pjesë e pandashme me të drejta të barabarta të familjes evropiane. Në luftën e saj (të UÇK-së) u mishërua rezistenca kundër shtypjes e robërisë njëshekullore dhe morën vlerë sakrificat e brezave të tërë për liri kombëtare, barazi e drejtësi sociale, të kombit të tretë, për nga numri, në ish-Jugosllavi;
  2. Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj programor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve. Përdorimi i armëve ishte mjeti i fundit i imponuar nga rrethanat, pasi UÇK-ja, në çdo kohë, ka qenë e gatshme për të përqafuar zgjidhjet diplomatike e paqësore, çka e dëshmojnë faktet e mirënjohura historike: firmosja e Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e përfaqësuesve të saj për zgjidhjen paqësore të krizës, e ofruar nga faktori ndërkombëtar; çarmatosja e menjëhershme e pa rezistencë e UÇK-së me hyrjen e forcave të NATO-së e atyre paqeruajtëse si dhe pranimi, ushtrimi e respektimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, nga tërë forcat politike, në Kosovën e çliruar;
  3. UÇK-ja dhe lufta e popullit të Kosovës, si një luftë e drejtë, pati një jehonë e mbështetje të gjerë ndërkombëtare të opinionit publik e institucioneve të ndryshme. Kjo luftë u mbështet drejtpërdrejt nga shtetet e organizmat perëndimorë demokratikë, e shprehur me ndërhyrjen e forcave të NATO-s për goditjen e makinerisë ushtarake të Milosheviqit, për çlirimin e Kosovës dhe për garantimin e një qeverisjeje demokratike, nën kujdesin e misionit ndërkombëtar – UNMIK;
  4. Tërë zhvillimet në ish-Jugosllavinë e tretë dhe në Kosovë, veçanërisht në periudhën e konflikteve të armatosura, kanë qenë nën përcjelljen dhe monitorim e gjithanshëm të institucioneve ndërkombëtare. Në bazë të konstatimeve dhe gjetjeve të tyre përcaktoheshin dhe politikat, qëndrimet e përkrahjet ose jo të forcave të caktuara; e prej tyre nuk është venë në dyshim, asnjëherë në atë kohë,  karakteri i  luftës së UÇK-së e, sidomos, qëndrimi politik i saj ndaj  pakicave kombëtare;
  5. Mbështetjen ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të së drejtës së tij për liri e pavarësi e shpreh dhe fakti i njohjes së pavarësisë së Kosovës prej 112 shtetesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare te Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimi i saj në shumë institucione ndërkombëtare. Legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është pranuar dhe vlerësuar si i tillë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që është segment i OKB-së;
  6. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë gjykatë, përfshirë dhe Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, që ishte gjykata më e specializuar e më e lartë ndërkombëtare për krime lufte, ashtu dhe as ato lokale, nuk kanë vërtetuar kryerjen e krimeve të luftës e kundër njerëzimit, në mënyrë sistematike a masive nga ana e UÇK-së si formacion a nga drejtues e segmente drejtuese të saj. Në mbyllje të veprimtarisë së Gjykatës së Hagës, UÇK-ja, si formacion, dhe zinxhiri drejtues i saj kanë dal, ashtu siç janë vlerësuar e mbështetur nga institucionet e opinioni i shëndoshë ndërkombëtar gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë, si një forcë çlirimtare që drejtoi luftën dhe rezistencën popullore për liri e pavarësi me përkrahjen e NATO-s dhe shteteve e institucioneve demokratike.

Në mospajtim me gjithë sa më sipër flasin zhvillimet e fundit, të lidhura me rolin, misionin e qëllimin e krijimit të  Dhomave të Specializuara dhe ngritjen e formulimin e aktakuzave të fundit ndaj themeluesve dhe ish-drejtuesve të UÇK-së. Çdo koment e qëndrim ndaj tyre, i shprehur në këtë Deklaratë, nuk lidhet me cenimin e parimeve të gjithëpranuara se gjykatat janë të pavarura e çdo krim duhet ndëshkuar pavarësisht nga autori, nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, aq më tepër krimet e luftës e ato kundër njerëzimit.

Këto parime tashmë jo vetëm i ka njohur, por edhe respektuar, gjithë komuniteti shqiptar, në Kosovë e jashtë saj, njëherësh edhe forcat politike, institucionet e Kosovës, UÇK-ja dhe ish-drejtuesit e saj, të cilët kanë bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe tërë të akuzuarit kanë pranuar pa pengesë gjykimin si qytetarë të thjeshtë, pa asnjë imunitet e mbrojtje politike.

Dhomat e Specializuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Si të tilla, gjithkush ka të drejtën të shprehë vlerësimet e mospajtimet për gjithçka që lidhet me reflektimin e këtyre akuzave  dhe qëllimeve politike gjatë ngritjes së Dhomave të Specializuara dhe në veprimtarinë e mëtejshme të saj, pasi kjo vë në dyshim e komprometon paanësinë e besimin për një  gjykim te drejtë e të pandikuar.

Këto Dhoma u imponuan nga vendimi i sipërpërmendur, bazuar mbi një akuzë konkrete politike e të pavërtetë, të hartuar nga një politikan, sipas të cilit ,,struktura të UÇK-së kanë kryer trafik të organeve të qenieve njerëzore me robërit e luftës”. Ishte kjo akuzë e re e monstruoze, që legjitimoi politikisht shkeljen e parimit të mos gjykimit të gjësë së gjykuar, madje nga një gjykatë në hierarki më të ulët se gjykata a mëparshme që ishte Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, një rast ky i paprecedentë në të drejtën ndërkombëtare e në praktikën e çdo shteti demokratik. Ishte nevoja ekstreme për pastrimin nga kjo akuzë, jo të individëve të akuzuar, por të vetë luftës së popullit të Kosovës e të faktorëve ndërkombëtarë që e përkrahën atë luftë, që rezultoi me një fakt që rrallë herë mund të ketë ndodhur ku vetë subjektet e akuzuar të ngrenë, me votën e ndikimin e tyre politik, një gjykatë për ndëshkimin e krimeve të veta!

Mungesa në aktakuzat e reja e kësaj vepre kriminale (trafikut të organeve të qenieve njerëzore), vë në pikëpyetje legjitimitetin e mëtejshëm të vetë Dhomave e të  proceseve speciale të nisura ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Gjithashtu, përcaktime e trajtime të tilla në aktakuzë, të bartura nga raporti politik i DickMarty-t, si: kategorizimi ndërmarrje kriminale; përzierja e krimeve të luftës me ato të pasluftës e të krimeve të supozuara ndëretnike me ato ndërpartiake; motivimi i krimeve të caktuara për arsye përkatësie fetare jep shkas për politizimin e këtij procesi, duke u keqpërdorur nga qarqe të mirënjohura që akuzat individuale për krime individuale t’i kthejnë në akuza ndaj UÇK-së si formacion dhe ndaj vetë karakterit të luftës e të rezistencës për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, që të vendosin në një balancë krimet shtetërore të Serbisë  me krimet e veçanta, kryer në tejkalim të së drejtës për vetëmbrojtje e asaj ndërkombëtare nga  anëtarë të UÇK-së a qytetarë të Kosovës, që të nxisin urrejtje e konflikte ndërfetare apo t’i japin luftës çlirimtare të popullit shqiptar ngjyrime të një konflikti civil.

Të gjitha këto nuk përputhen me të vërtetat historike, të tashme e të asaj kohe. UÇK-ja, si forca kryesore e luftës dhe rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës, është vlerësuar e do të vlerësohet si një reagim legjitim i një populli për të mbijetuar ndaj spastrimit etnik shekullor dhe masakrave e shpërnguljes biblike, të kryer tashmë në shekullin e 20; një forcë që me përkrahjen e NATO-së dhe forcave demokratike çoi në çlirimin e pavarësimin e Kosovës dhe vendosjen e një rendi demokratik, të bazuar mbi bashkëjetesën ndëretnike.

Vlerësimi do të jetë i tillë, pasi përcaktimin e karakterin e ngjarjeve të mëdha historike nuk e bëjnë gjykatat, por vetë historia dhe e vërteta, të mbartura e të bazuara në dëshmitë dhe kujtesën publike e institucionale.

Duke shprehur edhe një herë konsideratën e mirënjohjen tonë për luftën e popullit të Kosovës, të  UÇK-së e ish-drejtuesve te saj, në këtë përvjetor të 23-të, shprehim bindjen se e vërteta dhe e drejta do të jenë në themel të vendimeve për proceset e nisura.

 

Nënshkruar në emër të institucioneve përfaqësuese:

 

Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë – Tiranë;

 

Dr. Hysen Matoshi, Drejtor

Instituti Albanologjik i Prishtinës – Prishtinë;

 

Dr. Sabit Syla, Drejtor

Instituti i Historisë ”AliHadri” – Prishtinë;

 

Dr. Ardit Bido

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë – Tiranë;

 

Dr. Skënder Asani, Drejtor

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup;

 

Dr. Dorian Koçi, Drejtor

Muzeu Kombëtar i Shqipërisë – Tiranë;

 

Z. Ajet Leci, Drejtor

Muzeu Kombëtar i Kosovës – Prishtinë;

 

Mr. sc Bedri Zyberaj, Drejtor

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës – Prishtinë;

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Besian Mustafa: Për mosvaksinimin e qytetarëve fajtor është Qeveria e cila po dëshiron ta vendos vendin përsëri në karantinë

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa i kundërpërgjigjet deputetit të Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, për kontratat njëburimore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa iu ka  përgjigjur deputetit të LVV-së, Adnan …