Jeton Ramadani, djali i heroit Agim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi. Reagimi i Ramadanit vjen pasi Geci deklaroi se fati i Thaçit do të jetë i njëjtë me atë të Naim Murseli, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ramadani e ka quajtur deklaratën si të papranueshme dhe fyese, duke e akuzuar Gecin për mungesë niveli dhe dinjiteti. “Kjo nuk është lidership. Është degradim. Me kërku ‘burgim të përjetshëm’ për shqiptarë që kanë luftu për këtë vend është mungesë klase dhe dinjiteti. Gëzimi për fatkeqësinë e shqiptarëve nuk është standard shtetëror,” ka shkruar ai. Ai ka shtuar se deklarata të tilla nuk përfaqësojnë vlera, por përçarje, duke theksuar se heshtja do të kishte qenë më e vlefshme sesa deklaratat e bëra. “Nuk përfaqëson vlera. Vetëm përçarje. Heshtja jote do të kishte më shumë peshë se fjalët e tua,” përfundon reagimi i Ramadanit, i cili në fund përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj deputetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
