Doli nga shtypi libri: “Halit Berisha-Njësiti Gueril”, i autorit, Shaban Braha

Doli nga shtypi libri: “Halit Berisha – Njësiti Gueril”, i autorit, Shaban Braha

Në veprën publicistike, “Halit Berisha-Njësiti Gueril”, autori, Shaban Braha, ka pasqyruar jetën dhe veprën e luftëtarit, Halit Berisha, pjesëtar i “Grupit Gueril” të Rifat Berishës, i cili ka vazhduar veprimtarinë luftarake edhe pas rënies së luftëtarit të mirënjohur të Kosovës, kryetrimit të kohës së tij, Rifat Berisha.

 Duke qenë njohës i thellë i rrethanave ushtarake, politike e sociale në Shqipëri dhe në Kosovës, Shaban Braha, në këtë vepër ka prezantuar fakte e dëshmi, të dhëna të argumentuara, të cilat flasin për luftën e Njësitit të Rifat Berishës, nga fshati Berishë i Rrafshnaltës së Drenicës. Në këtë vepër  veçmas ka shkruar për Halit Berishën kushëririn e Rifatit, i cili, natën kritike të 17 majit të vitit 1949, së bashku me  Jahir Berishën kishte çarë  rrethimin dhe pas një kohe kishte kaluar kufirin dhe ishte vendosur në Shqipëri.

Në mëngjesin e hershëm të 17 majit të vitit 1949, forcat e Milicisë serbe dhe ato të Kosovës, në krye me shqiptarë-vrasësit:  Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç rrethojnë shtëpinë e Smajl Gajrakut në fshatin Gajrak dhe fillon ballafaqimi i armatosur. Pas disa orë luftimesh të pabarabarta ranë duke luftuar deri në fishekun e fundit: Rifat Berisha, vëllezërit e tij, Mustafa, Islami,  dhe djalin e tij Brahimi. Gjatë luftimeve  kanë çarë rrethimin dhe kanë shpëtuar gjallë Halit dhe Jahir Berisha të cilët ishin larguar nga Kosova dhe ishin  vendosur për të jetuar në Shqipëri.

Autori, Shaban Braha, i njohur edhe vetë për veprimtarinë e tij atdhetare me krejt familjen,   ishte njohësi më i mirë e rrethanave politike e shoqërore të kohës, ishte po ashtu një zyrtar i lartë i Shtetit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në ndriçimin e ngjarjeve të caktuar të popullit tonë, veçmas pasi Kosova dhe trevat shqiptare ishin ripushtuar nga Jugosllavia në vitin 1945. Ai ka shkruar edhe monografinë voluminoze shkencore për Rifat Berishën, që është një vepër kapitale e historisë më të re të Kosovës në veçanti dhe të popullit shqiptarë në përgjithësi.

Edhe librin publicistik për Halit Berishën e ka begatuar me të dhëna e dëshmi të shumta, të cilat i ka integruar në tërësinë e veprës, ku ka pasqyruar me besnikëri, korrektësi e saktësi aktivitetin kombëtar të Halit Berishës, pjesëtarit të “Njësitit Gueril” të Rifat Berishës, i cili nuk e kishte ndalur aktivitetin e tij, edhe pas rënies së Rifatit, Mustafës, Islamit e Brahimit.

Halit Berisha kishte pasur fat dhe jetuar derisa e kishte parë të lirë Kosovën e çliruar nga Ushtria e saj çlirimtare me ndihmën e Amerikës e të NATO-s. Ai disa ditë para vdekjes kishte vizituar vendlindjen, kishte sjellë në kujtesë ecejaket jetësore në rrugëtimin e tij atdhetar dhe kishte vdekur pa brengën, që e kishte bartur tërë jetën, pasi e kishte parë Kosovën e çliruar nga okupatori serb.

Më këtë rast,   duke shkruar këto radha për daljen në dritë të këtij libri, do të përkujtoj 4 janarin e vitit 1999, kur afër pllakës përkujtimore të Rifat Berishës, Mustafës, Islamit e Brahimit, kemi filluar ditën e parë të transmetimit në valët  Radio-Kosova e Lirë, ku nga ai vend “zëri i lirisë” kishte paralajmëruar çlirimin e Kosovës, i cili u bë realitet më 11 qershor të po atij viti. Fshati Berishë, ka qenë bazë e fuqishme e luftës së UÇK-së dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës.

Libri: “Halit Berisha-Njësiti Gueril”, i autorit, Shaban Braha është i pasuruar edhe me foto, faksimile, rrëfime nga dora e parë dhe me  burime shkencore.  Vepra  ka 168 faqe, botoi  Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. ( A. Q. )

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …