Dr. Muhamet Pirraku: Rezistenca shqiptare kundër pushtuesit serb më 18 tetor 1912 në Merdar-Prepallac

Kujtesa e popullit e vërtetuar shkencërisht, thotë se Kryengritja Shqiptare e vitit 1912 dështoi për faktin se personalitetet popullore e intelektuale të cilat luftuan për çlirimin Shqipërisë nga Perandoria Osmane me mbështetjen e Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë e Greqisë. Realisht, këto personalitete ose e shkelën Marrëveshjen e Taksimit, ose e bojkotuan, në forma të ndryshme Kryengritjen të cilën e inicioi dhe e drejtoi Hasan Prishtina nga 5 maji deri më 18 gusht .

Nga mesi i shtatorit të vitit 1912, patriotët shqiptarë të Lagjes së Hasan Prishtinës, të tubuar në Komitetin “Shpëtimi” të Shkupit, kuptuan qartë se shtetet ballkanike po përgatiteshin për luftë për të penguar sendërtimin e Autonomisë së Shqipërisë, si hap i mirëfilltë për Pavarësi, ndaj në ballë me Hasan Prishtinën e nisën aktivitetin organizativ politik, e luftarak për ta marrë në dorë fatin e kombit shqiptar dhe tërësisë së Shqipërisë .

Për këtë hap sinjalizonte organi i Lëvizjes Kombëtare që dilte në qendrën administrative e politike të Vilajetit të Kosovës,“Shkupi” më 19 shtator 1912, ku duke transmetuar programin politik dhe luftarak të komitetit “Shpëtimi” shkroi: “O ja një Shqipëri e një komb shqiptar dhe me derën e Ali Osmanit, se ndryshe i kthejmë pushkën gjithkujt kush ka me na shkelë” .

Shpërthimi i luftës ballkanike u bë me hyrjen e Malit të zi në luftë duke sulmuar viset shqiptare në drejtim të Shkodrës, më 8 tetor 1912. Kjo luftë sipas qëllimit që i kishte parapërcaktuar Rusia Cariste: “Duhet të vendoste çështjet etnike dhe ekonomike mes shteteve ballkanike” .

 Realisht, fillimi i Luftës Ballkanike, sulmi i aleatëve në viset tokësore peri¬fe¬rike shkaktoi një kaos të vërtetë në lëvizjen kombëtare shqiptare, por si gjithherë, me iniciativën e Viganit Hasan Prishtina do të thirret mbledhja urgjente e komitetit “Shpëtimi” dhe të organizatës patriotike “Shoqëria e zezë për shpëtim” të rilindësve shqiptarë  që vepronin në Sofje. Mbledhja u mbajt me 14 tetor 1912 në shtëpinë e pejanit Salih Gjukë Dukagjinit, në Shkup, dhe shqyrtoi vetëm një pike: “Turqia ka për ta humbur luftën pra, si të shpëtohet Shqipëria…!?!” .

Në këtë Kuvend mori pjesë edhe Nexhib be Ali pashë Draga, dhe sipas propozimit të tij, u vendos që t’u dërgohej Fuqive të Mëdha një Shpallje me të cilën “t’i dilej zot Shqipërisë!”. Kuvendi diskutoi edhe për disa masa për mbrojtjen e tërësisë së viseve Shqiptare, dhe shtroi nevojën për organizimin e një kuvendi gjithëshqiptar .

 Shpallja u shpërnda më 16 tetor 1912 – “Në emër të kombit shqiptar!” dhe ndër të tjera thuhej: “Shqipëria i ka kap armët jo për të forcuar dominimin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Pra qysh prej sodit po iu deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranuar për katër vilajeteve veçse një formë politike e një formë sundimi…!” .

Kërkesa që shtronte Shpallja, sado që ishte e drejtë erdhi shumë vonë, sepse tashti një pjesë e madhe e Vilajetit të Shkodrës, e gjetkë ishin futur nën zjarrin e armëve të Aleatëve ballkanikë .

Pas mbledhjes së Shkupit të 14 tetorit 1912, shtypi shqiptarë do të informojë opinionin shqiptar më mirë e më drejtë për rolin historik të Hasan Prishtinës. Mirëpo, tashti kur tokat shqiptare po i shkatërronte bajoneta e zjarri i qarqeve kundër shqiptare ballkanike  më mbështetje të Rusisë e me pajtim të Evropës. Këtë fakt e pasqyruan me kohë gazetat: “Shqipëria e Re” dhe “Liria e Shqipërisë”, të cilat midis të tjerash do të shkruajnë: “Shumë atdhetarë shqiptarë i kishin mbështetë shpresat e tyre te një njeri i cili vetë kishte rrokur pushkën e kishte dalë kryengritës” Fjala ishte për Hasan Prishtinën .

Me 18 tetor 1912 në ditën kur hyri Serbia në luftë, Kral Petri gjendej në Nish, në mbrapavi të thellë të ushtrisë serbe, e cila i bëri thirrje mashtruese popullit Shqiptar:“Ne, të gjithëve u sjellim lirinë vëllazërimin, vëllazërisht, vetëm në saje të Kral Petrit që na ka bë emër ketë meshindet, e ketë besë me u qua .

 Ore vllazni ne emrin e Kralit e bëmë, e ketë meshindet bashkë me besë t’zotit po u qojmë. Borxhin të vet para perëndisë edhe para gjinive e lame. Për besën tonë madhërinë e zotit e kemi dëshmi, e kush bëhet shkaktar me u derdhë gjaku, zoti me madhërinë e vetë ja sundoftë. U pjekshim për të mirë, ore vllazni! Tesherinievel 1328 në Podujevë (Tetor 1912), Komandanti i ushtrisë se serpit ,Bozhidar Janko” .

Çdo tentim për shprishjen dhe komentimin e kësaj proklamate është e tepërt. Shqiptarët e kishin shumë të qartë se çfarë fshihej pas thirrjes ”vëllazëro¬re!” të Kral Petrit e të ushtrisë serbe. Këso thirrjesh shqiptarët kishin përjetuar edhe me 1878 dhe kujtimet për sjelljen “vëllazërore” të ushtrisë së Serbisë i kishin të freskëta, rrëqethëse.

Mirëpo,gjaku që kishte derdhur ushtria turke nga fillimi i majit deri në mesin e Gushtit 1912, nuk ishte terur ende, e plagët e luftës ishin të freskëta kudo ku ishte shtrirë Kryengritja që, siguroi Autonominë e Shqipërisë Etnike. Tashti forcat vitale për mbrojtje e Atdheut ishin shkapërderdhur, me fajin e krerëve të cilët ishin lidhur me “Besa”-besë me mbretin e Serbisë e të Malit të Zi, pse jo edhe të Bullgarisë e të Greqisë. Në këtë kohë mungoi plotësit një udhëhe¬qje shqiptare çlilirimtare. Realisht, juridikisht, mbrojtja e Shqipërisë me autonomi të pra pranuar, edhe mëtutje ishte detyrë e barrë e Qeverisë Osmane përkatësisht, e ushtrisë perandorake, e cila tashti realisht ishte stërkequr dhe nuk kishte kurrfarë force për ta organizuar sistemin e mbrojtjes .

Këtu duhet të saktësojmë faktin historik së Hasan Prishtina me njerëzit e tij më të besueshëm nga kryengritja e majit-gushtit 1912, nuk bënë sehir për fatin e kombit,e në bazë të mundësive reale që patën organizuan Mbrojtjen Vullnetare Shqiptare në linjën kufitare me Serbinë dhe Bullgarinë , ndërkaq një e dhenë që thotë se Hasan Prishtinën lufta ballkanike e zuri në një tubim elektoral në “kufirin e vjetër”, e që  duhet kuptuar se nuk ishte punë e “tubimit elektoral”, porse Hasani aso kohe ishte duke zhvilluar aktivitet organizues në përgatitjen e ngutshme të rezistencës shqiptare, përgjatë kufirit nga Merdari-Bujanoc-Kumanovë ku shqiptarët gozhduan për një kohë shumë reparte serbe e bullgare .

 Sipas një të dhëne të mëvonshme lufta ballkanike Hasan Beun e gjeti në afërsi të kufirit të vitit 1878, diku në vise të Kumano¬vës ku kishte shkuar për ta organizuar Mbrojtjen Vullnetare Shqiptare  , e në mungesë të mundësive për të marrë flamurin e mbrojtës se viseve shqiptare, shqiptarisht, shkoi në Stamboll për të inkurajuar Parlamentin Osman të kërkonte nga Qeveria të organi¬zonte mbrojtjen e Perandorisë në tokat e Shqipërisë .

Mirëpo meqë kjo nuk është objekt studimi në këtë vend ndalemi vetëm në Rezistencën e bërë në Merdar-Përpallac më 18 tetorit 1912, dhe këtë ngjarje e pasqyrojmë shikuar me sytë e një “korrespodenti të një gazeteje zagrebase”, i cili gjithsesi ishte në linjën ideologjike të jugosllavizmit antishqiptar të kohës. Sipas tij të parët kishin sulmuar:“Nëntëmijë shqiptarë, të cilët papritur u sulën kundër këmbësorisë serbe, kurse katërmijë të tjerë, në të njëjtën kohë u lëshuan në tokat serbe ku askush nuk e kishte pritur dhe në fshatin Bllazhevë për disa minuta bënë një shkretim të tmerrshëm, por të dy hordat shqiptare e paguan guximin e tyre, të dy këto çeta gati plotësisht i shkatërroi ushtria serbe. Ushtria serbe e priti me qetësi urdhrin e Komandës Supreme për shpalljen e luftës. Askush nuk kishte menduar se lufta do të fillonte aq papritur,madje disa shqiptarë kufitarë në natën para kësaj biseduan me ushtrinë serbe:Që,kështu ne së bashku do të pimë duhan dhe qetësisht të presim deri sa ne Sulltani ynë, e juve Krali i juaj të mos urdhërojnë që të luftojmë, e tani çka ta jep zoti!?!”

“Në ditën e nesërme, më 18 tetor sulmuan shqiptarët në këmbësorinë serbe, lufta ishte e trishtueshme, Shqiptarët trimërisht u vërsulën përpara, duke kaluar mbi kufoma të shokëve të tyre, dhe gjithnjë e më shumë u afroheshin radhëve të para të ushtrisë serbe. Një krahë tashti ishte ndeshur gjoks me gjoks dhe luftonin me bajoneta të kryqëzuara. Dhe në momentin kur bajonetat serbe nisën ti zmbrapsin shqiptarët, komandanti i Operacionit urdhëroi trumbetimin për tërheqjen e ushtrisë serbe. Në fillim askush nuk e kuptoi këtë urdhëresë, por ajo u plotësua” .

 “Shqiptarët sulmonin, kurse serbët tërhiqeshin. Dhe vetëm kur këmbësoria serbe u tërhoq për një gjysmë kilometri iu urdhërua për tërheqje të shpejtuar! Komandanti i operacionit e pati për qëllim që këmbësorët e ushtrisë serbe ti ndante nga shqiptarët dhe që këta t’i merrte në flakën e topave. Kjo bazë pati sukses të plotë. Tërheqja e shpejtë e këmbësoreve serbë i solli shqiptarët para topave serbë të fshehur dhe sa qel e mbyll sytë, predhat nga topat bënë kërdi lëmeritëse në radhët e shqiptarëve” .

“Disa minuta ranë gjylet si lavë nga gryka e topave. Kukama dhe britma e shqiptarëve ua kalonte gjëmimit të topave. Në ajër fluturonin duar, këmbë, kokat dhe pjesët e mishit të shqiptarëve dhe kur u ndërpre shtënia e topave, fushëbeteja nuk ishte e mbuluar me kufoma por me mish të gjymtyrëve të shtypura dhe kocë, gjë që e tëra dukej si një masë e karmit, e fortë, me ngjyrë gjaku të njeriut (…)” .“Pra shqiptarët në momentin e fundit u kthyen kundër serbeve, ndërkaq edhe gjatë kohë është kujtuar dhe ashtu është folur, se shqiptarët me serbët janë kundër Turqisë” .

Kjo korrespondencë nuk kërkon ndonjë komentim të gjerë, por, për këtu mund të thuhet vetëm numri i pjesëmarrësve shqiptarë është mbi gjashtë herë i zmadhuar. Me këtë zmadhim korrespondenti “zagrebas” kishte për qëllim të tregonte fitoren serbe sa më të madhe. Me njohuri bukur ekzakte mund të saktësojmë se numri i shqiptarëve në Merdar- Përpallac, me 18 tetor 1912, arrinte deri në dymijë veta dhe komandohej nga Xhemajl Agë Sylejman pashë Berisha, mik shtëpie i Hasan Prishtinës. Këta luftëtarë shqiptarë ishin nga njësia e Hasan Prishtinës në Maj-Gusht 1912 dhe dilnin nga Drenica jugore, viset e Kosovës Qendrore nga Harilaqi deri në Prishtinë dhe nga viset e Llapit e të Gallapit .

Këtu nuk është tepër të konstatohet se edhe thyerjen e rezistencës shqip¬tare në kufirin me Serbinë e me Malin e Zi populli i fajëson krerët të cilët kishin allishverishe me këto shtete, dhe pikërisht: Isa Boletinin, Mulla Salih Hoxhën nga Lausha e Llapit, Idriz Seferin, Hasan Hysenin, Din Arifin, Imer Brahën nga Sankovci (Flamurasi), Dah Feratin nga Kamarani (Bushati), Mulla Rifat Sadllarin, Mulla Sylën Shtimjen, Riza Kryeziun, Bajram Currin, Bajram Doklanin, Rrustem Bajraktarin nga Vranoci, Begollët e Pejës, Sokol Bacën, e Dedë Gjo Lulin me shokë, Esad pashë Toptanin e Markagjonët me shokë. Këto personalitete, përpos Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit e Bajram Currit, mbajtën lidhje miqësore me Malin e Zi e me Serbinë, deri në vdekjen e tyre .

 Këtu duhet të konstatojmë se opinioni i korrespondentit zagrebas për epërsinë e zjarrit të luftëtarëve shqiptarë mbi këmbësorinë serbe, ishte i drejtë. Rezistenca shqiptare në Merdar-Përpallac ishte shumë më e madhe se sulmi i këmbësorisë serbe . Për këtë fakt mund të fliste edhe detaji në vijim: Deri në fund të viteve 60-ta të shekullit XX, përkatësisht deri me zgjerimin e rrugës Besianë-Medvegjë, në qafë të Merdarit, pikërisht në linjë të kufirit ishte një tabelë prej llamarinës e forcuar në një shtyllë druri, e cila kishte një sipërfaqe rreth 80x 30cm, dhe tregonte drejtimit e linjës kufitare .

Në sipërfaqen e kësaj tabele shiheshin 17 vrima të plumbave, prej të cilëve 12 kishin kaluar nga Kosova në Serbi, kurse 5 nga Serbia në Kosovë. Në këtë shtyllë popullsia e viseve kufitare ruante kujtimin nga ajo dita më e përgjakshme në këto anë nga 18 tetori 1912 .

E dhëna e mësipërme është dëshmi simbolike për rezistencën heroike të vullnetarëve shqiptarë, të cilët vetën e quanin “Gjynli” e “Fidai’ . Opinioni i përkrahësve të Ushtrisë serbe e pranonte se shqiptarët ishin luftëtarë por sipas tyre “Ata luftuan pavetëdije, si kafshë budallaqe nga instikti!” . Këso kualifikimi përbuzës ndaj shqiptareve liridashës lejonte logjika dhe morali i pushtuesve ballkanikë të kombit shqiptar me përkrahje të Evropës- “Kurvë e mrrute” të Homerit Shqiptar, At Gjergj Fishtës .

Për këtë fakt flet qartë edhe konstatimi i princit Aleksie Karagjorgjeviq, i cili, kur fliste për shqiptarët e zënë robër në rrethinë të Kumanovës, saktësonte: “Unë dëshiroj vetëm që këtu të vijnë disa mijëra njerëz evropianë e të shohin shqiptarët të cilët në i kemi nxënë robër, dhe ata të binden se këta njerëz mezi mund të quhen njerëz dhe të përfitojnë bindjen se Ballkani patjetër duhet të spastrohet nga këto egërsira” .

Seanca e fundit e parlamentit në të cilën Hasan Prishtina morri pjesë dhe diskutojë për fatin e Shqipërisë, ishte ajo e datës 15\28 nëntor 1912, e mbajtur atë ditë kur u shpall akti i Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Në këtë seancë Prishtina u përpoq të zgjonte interesimin e deputetëve për fatin e viseve shqiptare e të tjera të Perandorisë, të rrezikuara e të okupuara nga aleatët ballkanikë. Fillimisht kërkoi shpjegimet e kryeministrit “Rreth politikës së jashtme dhe të Brendshme!” dhe në vijim konstatoi se: “Nëse do të vazhdojë kjo gjendje kemi për të kërkuar shumë shpjegime, kështu që ta dimë ne e ti përvishemi kërkimit të shpjegimeve, sepse nga vendi çdo ditë marrim telegrame tepër të prekshme dhe tepër pezmatuese. Ato vende që po mbetën me të vërtetë nën zjarrin e zullumit dhe të despotizmit po zhdukën!” .

Vërtetë, viset shqiptare në këtë kohë ishin të sulmuara dhe të shkretuara bar¬ba¬risht, ndaj, në rrethanat e tilla, u gozhdua edhe aktiviteti organizues revolucionar i Hasan Prishtinës, të cilit, meqë forcat aleate ballkanike përparonin shumë shpejt, iu pre udha e ardhjes në Kosovën e pushtuar. Megjithatë, Hasani, nuk hiqte dorë nga tentativa që të kthehej në Kosovë dhe të merrte masa për sigurimin e lirisë së bashkatdhetarëve dhe të Atdheut .

 

Vërejtje: Referencat nuk janë prezantuar për shkaqe teknike.

Redaksia

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …