Mr. Hazis Gjergji: Revolucioni Demokratik në embrion, në 88-vjetorin e Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitit 1924

Shkëndia e Vlorës

Vlorë, 20 prill 1924. Stafi i gazetës “Politika” u nisi kolegëve të shtypit demokratik shqiptar telegramin e kobit të zi: “Sot në Tiranë u plagos tradhërisht Avni Rustemi, përfaqësuesi i Kosovës në Kuvend. Populli i këtushëm është shumë i alarmuar.” Nacionalistët e njohur demokratë Halim Xhelo, Riza Cerova e njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të shoqërisë “Bashkimi” e njoftuan udhëheqësin e tyre se goditja e trupit të tij “të shenjtë” ishte pika e nisjes së një periudhe, e cila do të ngrinte lart gjallërinë e nacionalizmit. Plumbi feudal kishte goditur “idealin shqiptar”. Po ashtu shoqata “Djalëria e Kosovës” i dërgoi Ministrisë së Drejtësisë mesazhin në vijim: “Plagosja e Heroit të Kombit, Avni Rustemi, ka ba përshtypjen ma të madhe në popull e sidomos në djelmninë e Kosovës…” (1)

Dy ditë më pas, më 22 prill 1924, zemra e deputetit demokrat Avni Rustemi pushoi së rrahuri. Në lajmin e vrasjes së tij, gazeta “Shkumbini” shkroi: “Avni Rustemi, hero i kombit shqiptar, zemra e nacionalizmës së vendit tonë, prijësi i idealistëve të Arbërisë fatkeqe, shtylla e demokracisë, lulja e djelmënisë shqiptare, përkrahës i nxehtë i bujkut të mjeruar të këtij vendi aq të begatshëm e pjellor, mis i prefekturës së Kosovës, bie dëshmor prej dorës tradhtare (2).”

Lajmi i vrasjes së personalitetit të shquar të popullit shqiptar u përhap si një vetëtimë në qiellin gjithaq të rënduar politik të Shqipërisë. Kuvendet tradicionale të mbajtura në të gjitha krahinat e Shqipërisë shprehën dhimbje dhe revoltë gati për shpërthim. Kuvendi i djelmnisë, popullit dhe autoriteteve civile e ushtarake, i mbledhur në Krumë të Hasit më 23 prill 1924, e njoftoi popullin e Vlorës se “dëshpërimi i shkaktuem prej atentatit që qëlloi shembëlltyrën e idealizmës shqiptare, heroin kombëtar Avni Rustemi, gjithnji po vjen tue e egërsue popullin” (6).

Emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studentët e Parisit, Vjenës, Napolit, San Demetrio Korones, atdhetarë të vjetër e të rinj nga e gjithë bota shprehën ngushëllimet e tyre më të sinqerta me anën e telegrameve, të cilat u botuan në shtypin e kohës. Se ku do ta çonte Shqipërinë seriali i vrasjeve politike të atdhetarëve demokratë, si sheh Adem Gjinishi, Haxhi Jusuf Kazazi në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1923 dhe, së fundmi, e deputetit Avni Rustemi; këtë e kishin paralajmëruar të rinjtë demokratë vlonjatë, në telegramin e tyre të ngushëllimit dërguar familjes së të ndjerit Kazazi, kur kishin shkruar:

Rënia dëshmor prej dorës feudale e veteranit atdhetar Haxhi Jusuf Kazazit, tingëlloi në zemrat e atdhetarëve dhe të popullit të Vlorës si një rrufe. Gjaku i tij dhe i Adem Gjinishit do të shkaktojnë e do të sjellin 1789-ën e Francës në Shqipëri (4).

Në prill të vitit 1924, situata politike dhe ushtarake në Shqipëri kishte dalë jashtë çdo kontrolli. Sipas opinionit të shefit të legatës italiane në Shqipëri, Markezit Duraco dërguar ato ditë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, ceremonia e varrimit të Avni Rustemit do të ishte “një lloj mbledhjeje e të gjitha forcave demokratike nacionaliste të vendit që janë në opozitë me fuqinë arrogante të bejlerëve dhe veçanërisht me Ahmet bej Zogollin, i cili konsiderohet si urdhëruesi i deliktit”.

Ndërsa konsulli italian në Vlorë Salvatore Meloni, dëshmitar i ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit, më 3 maj 1924, dëshmoi se “gjatë disa fjalimeve turma qante, gjë që tregon sa simpati gëzonte Avniu në Vlorë. Oratorët më të vendosur e akuzuan publikisht Ahmet bej Zogollin si bashkëpunëtor në vrasje.” (5)

Fjalimi i njohur i udhëheqësit të opozitës demokratike, Fan Nolit, në funeralin e varrimit të Avni Rustemit, mbetet një analizë shkencore për momentin historik në të cilin ndodhej shoqëria shqiptare e kohës:

Vlora mori vesh kuptimin e tmerruar të vrasjes së Avniut në Tiranë edhe me klithmat e saj zgjoi tërë Shqipërinë nga letargjia, në të cilën ishte mbytur. Kjo vrasje s’është veç një incident i periudhës kritike, ku ndodhemi. Karakteristikat e kësaj periudhe janë dy:

1) Që antikombëtarët janë në fuqi dhe populli të mos presë gjë nga kjo qeveri dhe nga kjo Asamble.

2) Që antikombëtarët nuk kënaqen vetëm me këtë, por u vënë pusi atdhetarëve dhe i vrasin prapa kurrizit, siç vranë Avninë…

Nuk duhet të flemë të qetë gjersa të gjënden e të dënohen fajtorët e kësaj vrasjeje. Duhet të ndjekim vrasësit nga shpella në shpellë, nga përroi në përrua, nga bregu në breg, gjersa t’i kapim dhe atëherë t’i bërtasim këtij dëshmori: “Avni i zumë, flij i qetë, se tani Shqipëria nuk është më në terrorin e bashibozukëve antikombëtarë, se tani Shqipëria është në udhë të mirë, në udhën e lirisë.” (6)

Kryengritja e armatosur

Në Vlorë, siç i raportoi qendres se tij konsulli italian Meloni, “afro njëzet e gjashtë anëtarë të Asamblesë, të gjithë të opozitës, të përkrahur nga delegatët e krahinave të mbledhur për varrimin e Avni Rustemit, vendosën të mos kthehen në Tiranë për të vazhduar punimet, duke qenë se në kryeqytetin e sotëm nuk garantohen sigurimi personal dhe liria e mendimeve. Sot në mëngjes, ata u dërguan protestë të gjithë deputetëve që të vendosin të mblidhen për të caktuar vendin për selinë e përhershme të Asamblesë. Në qoftë se partizanët e Qeverisë nuk do të pranojnë, ata nuk do të kthehen në Tiranë dhe do të fillojnë agjitacionin për luftë të armatosur kundër tyre” (7).

Thirrjes së deputetëve të opozitës demokratike iu përgjigjën 18 deputetë të Partisë Popullore, të cilët morën pjesë në kuvendin e delegatëve nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, mbajtur në Vlorë më 24 maj 1924. Sejfi Vllamasi, kryetar i këtij grupimi, shkruan:

Duke menduar se situata kaotike e pazgjidhshme s’mund të përmirësohej me mënyra legale, duke menduar edhe se opozita nuk do të ishte aq e paaftë për të nxjerrë burra shteti dhe aq e vakët përballë interesave kombëtare sa mund të sakrifikoheshin këto interesa për ambicje e hakmarrje, ne ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, civilë e oficerë, vendosëm të marrim pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924, i cili pa pjesëmarrjen tonë nuk mund të kurorëzohej me sukses (8).

Duke analizuar shkaqet e shpërthimit të kryengritjes së armatosur të Qershorit 1924, udhëheqësi i saj, peshkop Fan Noli është shprehur se atë “e provokoi vetë Ahmet Zogu që ditën që vrau Avni Rustemin. Pa këtë vrasje asnjë atdhetar i urtë nuk do të ish në favor të një kryengritjeje dhe as një atdhetar i rreptë nuk do të ish i zoti të fabrikonte një kryengritje në qejfin e tij. Nga ana tjetër duhet shtuar që pas kësaj vrasjeje s’kishte njeri që ta ndalonte kryengritjen, se ashtu si kundër është zor të fabrikohet një kryengritje pas qejfit, ashtu është zor të ndalohet kryengritja e provokuar kur ndizen gjakrat”(9).

Kryengritja e Qershorit 1924 u shtri në të gjithë territorin e Shqipërisë. Organizata Demokratike “Bashkimi”, e mbledhur në kuvendin e saj në Vlorë më 5 maj 1924, i bëri thirrje djalërisë shqiptare për t’u ngritur në kryengritje të armatosur kundër qeverisë së kryesuar nga çifligari i madh, Shefqet bej Vërlaci. Thirrja e djemve të “Bashkimit” i gjeti të përgatitura nënprefekturat e Shkodrës e të Kosovës. Kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të udhëhequr nga patrioti Bajram Curri, kishin filluar sulmet në qendrën e nënprefekturës së Krumës më 7 maj për ta shtënë në dorë më 24 maj 1924. Garnizoni i ushtrisë kombëtare të Shkodrës, i komanduar nga kolonel Rexhep Shala, kishte ngritur krye kundër qeverisë qysh më 16 maj 1924. Po atë ditë, 400 djem të armatosur të organizatës “Bashkimi” u bënë gati të fillonin marshimin drejt Tiranës; më 23 maj Kuvendi i krahinës së Labërisë mori vendimin përfundimtar për t’u hedhur në kryengritjen e përgjithshme; ndërsa më 26 maj në favor të krye-ngritjes së armatosur u shpall edhe garnizoni i ushtrisë kombëtare i Përmetit, i komanduar nga nënkolonel Kasëm Qafëzezi. Objektivi i kolonel Bajram Currit dhe e fshatarëve të tij të armatosur ishte Tirana, ku kolonel Ahmet Zogu sapo ishte emëruar komandant i Operacionit të Veriut. Nga Tirana, Ahmet Zogu do t’i kërkonte nënprefektit të Pukës t’i përgjigjej urgjentisht se sa fuqi kishte Bajram Curri, ku gjendej dhe nga cila anë kishte ndërmend të mësynte: nga Puka apo Mirdita, nga Bicaj apo Dukagjini? (10)

Dymbëdhjetëmijë kryengritës nga Jugu e Veriu i Shqipërisë, me armë në dorë, të mbështetur nga shumica e populli shqiptar, në javën e përflakur të 25–31 majit 1924 u nisën drejt Tiranës për të rrëzuar me çdo kusht regjimin konservator të bejlerëve çifligarë dhe zëvendësimin e tij me sistemin e demokracisë liberale europiane dhe amerikane. Kur kryengritësit kaluan Shkumbinin dhe iu drejtuan Tiranës, kreu i oxhakëve, Shefqet bej Vërlaci; kryeministri Iljaz bej Vrioni dhe anëtarët e tjerë të qeverisë; deputetë e nëpunës të latë të administratës u larguan në panik drejt portit të Durrësit, u hipën anijeve që mundën të gjenin dhe përfunduan në brigjet e Barit e të Korfuzit. Në pasditen e 9 qershorit, Zogu do t’u bënte një thirrje të fundit qytetarëve të Tiranës për t’i kundërshtuar me armë trupat kryengritëse, por ata i dhanë të kuptonte se nuk kishin ndër mend të jepnin jetën për një regjim që ishte në kundërshtim me idealet e tyre liberale e demokratike. Në të gdhirë të datës 10 qershor 1924, Zogu u tërhoq drejt Matit e Dibrës. Si përfundim, siç shkruan edhe historiani amerikan Bernd J. Fisher, “Zogu u detyrua të kalonte në Jugosllavi, duke mbyllur kështu në mënyrë të turpshme vitet e para të jetës së tij si politikan aktiv në Shqipëri” (11).

Patrioti demokrat Faik Konica e ka pasqyruar fitoren e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 në gazetën “Dielli”, datë 5 qershor 1924, me këto fjalë:

Një javë me radhë shtypi i Evropës dhe i Amerikës, i ushqyer me lajme nga Roma, nga Beogradi dhe nga Athina, përhapi fjalë përpjekjesh, betejash, gjaku, në mes të bashibozukëve t’Ahmet Zogollit e të Shefqet Vërlacit nga njera anë, edhe t’ushtarëve kombëtarë (të cilët quhen “kryengritës” prej gazetave të huaja) nga ana tjatër… Emri “kryengritës”, i dhënë prej shtypit t’Amerikës e t’Evropës atyreve që kundërshtojnë me armë në dorë klikën e turpit dhe të prishjes, është një emër që s’duhet të na trembë”. Kryengritjet shumë herë janë të dëmshme; po ka raste që kryengritjet janë fisnike, të domosdoshme, shpëtimtare. Profesori James Q. Dealey, në veprën klasike të tij “The state and Government”, thotë se në jetën e një populli munt të ngjasë që kryengritja të jet’ e duhur.” (12)

Hyrja e forcave të armatosura demokratike në Tiranë më 10 qershor 1924 shënoi edhe triumfin e kryengritjes së përgjithshme, e cila solli në Tiranë embrionin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Dy nga botimet më të rendësishme te Historisë së Shqipërisë pohojnë se gjatë luftimeve nga të dyja palët u vranë ose u plagosën rreth 200 veta (13) .

Shënimet:

  1. Avni Rustemi, dokumente e materiale (përmbledhje dokumentesh), përgatitur për botim nga DPASH, Tiranë, 1974, shih: dok nr. 74, 76,87.
  2. Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për Liri e Demokraci (1917-1941), DPASH, Tiranë, 1959, f. 124, dok. nr. 116 (gazeta “Shkumbini”, 30 prill 1924).
  3. Po aty, f. 126, dok. nr. 121, tel. datë 23 prill 1924; gazeta “Politika”, Vlorë, 23 prill 1924.
  4. Gazeta “Politika”, viti III, nr. 5, 4 shkurt 1924; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 534; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 216.
  5. Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për Liri e Demokraci (1917-1941), f. 130, dok. 127 (tel. i Duracos, 29 prill 1924); f. 130, dok. 130 (shkresë e Melonit dërguar Duracos në Durrës, 3 maj 1924).
  6. Avni Rustemi, dokumente e materiale, vep. e përm., f. 181–182, dok nr. 114 (botuar në gazetën “Politika”, 8 maj 1924).
  7. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 134, dok. nr. 131(informacion i konsullit Meloni dërguar legatës italiane në Durrës, rreth datës 5 maj 1924).
  8. Po aty, f. 141, dok. nr. 141 (tel. i delegatëve të Kuvendit të Vlorës dërguar Këshillit të Ministrave, 24 maj 1924); S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, f. 429–430.
  9. Fan S. Noli, Vepra 3, vep. e përm., f. 24 (artikulli “Përgjigje “Diellit”, botuar në gazetën “Immigranti” (Ustër, Worcester), nr. 14, 26 dhjetor 1925).
  10. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 135, dok. nr. 132 (tel. i konsullit italian në Shkodër, Spano, dërguar legatës italiane në Durrës, më 7 maj 1924); f. 144, dok. nr. 144 (letër e një pjesëmarrësi në kryengritje drejtuar Bajram Currit, më 26 maj 1924); f. 145, dok. nr. 147 (tel. i Kom. të Operacionit të Veriut, A. Zogu dërguar nënprefekturës së Pukës, 31 maj 1924); Historia e Shqipërisë, vëll. II, (1965), f. 541–543; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 224–225.
  11. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 148–150, dok. nr. 152–157 (tel. të Kom. Operacionit të Veriut, A. Zogu dërguar prefekturave Elbasan, Lezhë, Kavajë, Milot, 4–8 qershor 1924); J. Swire, Shqipëria…, f. 342–343; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 222, 224; Emine Arifi, Qëndrimi i Mbretërisë SKS ndaj Revolucionit të Qershorit të Shqipërisë, botuar në revistën “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, X–1980, Prishtinë, 1981, f. 191; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 73.
  12. F. Konica, Vepra 3, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, Tiranë: Dudaj, 2001, f. 314–315 (artikulli “Veprimi i ushtërisë kombëtare”, botuar në: “Dielli”, 5 qershor 1924).
  13. Historia e Shqipërisë, vëll. II (1965), f. 543; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 226.

Ma. Hazis Gjergji REVOLUCION DEMOKRATIK NË EMBRION:  (Me rastin e 88 vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924) Pjesa 2

Zhvillimi i embrionit demokratik

Në përputhje me idealet e Revolucionit Francez të vitit 1789 – liri, barazi, drejtësi, – Organizata e Rinisë Demokratike “Bashkimi” në mëngjesin e 16 qershorit 1924 afishoi nëpër dyert e shtëpive dhe në lokalet e Tiranës, Thirrjen e saj, ku thuhej:

Sot, në kryeqytetin e lirë të Shqipërisë, kremtojmë triumfin e shkëlqyer të demokracisë. Por vepra e kryengritjes edhe s’është mbaruar. Prej kësaj lëvizjeje, që është shënja e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, shoqëria “Bashkimi”, e cila qëndron edhe sot, si gjithmonë, indipendente dhe larg çdo influence politike, pret:

1) Rrënjosjen e demokracisë së vërtetë, ruajtja e së cilës duhet të mos u besohet kurrë feudalëve dhe pseudodemokratëve…

2) Dënimin shembullor të shkaktarëve të vëllavrasjes dhe shpagimin nga pasuria e tyre e të tëra shpenzimeve dhe dëmeve materiale që pësuan shteti dhe populli.

3) Spastrimin e shtetit prej spiunëve, dallkaukëve dhe nëpunësve të pazotë dhe vegla të ambicjeve të atyre që duan të themelojnë sundimin e vet mbi shkatërrimin e Shqipërisë dhe shtypjen e popullit…

4) Çarmatimin e përgjithshëm.

5) Sigurimin e indipendencës ekonomike të popullit bujk, me anën e reformave agrare të gjera, të cilat vetëm ato kanë për ta shpëtuar kombin nga robëria shekullore e sundimit feudal.

Shoqëria “Bashkimi” është e bindur se theroritë që bëri populli dhe gjaku që ai derdhi pa u kursyer, nuk do të venë kot… (14)

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se kërkesat e shoqërisë demokratike “Bashkimi” u vunë në themel të programit të Qeverisë Noli, e cila premtoi:

Çrrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri;

pakësimin e spastrimin radikal të nëpunësve, si dhe sigurimin e të drejtave e përgjegjësive të tyre me ligj;

ndërrimin e sistemit të taksave në favor të popullit;

përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij;

 lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit;

ndreqjen e udhëve e të urave;

organizimin e degës së shëndetësisë e të arsimit;

reformimin radikal të komuneve gjyqësore dhe sigurimin e indipendencës së vërtetë të gjyqeve;

marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet e veçanërisht ma ato fqinje, si dhe lartësimin e prestigjit dhe të kreditit të shtetit në botën e jashtme etj. (15)

Programi i Qeverisë Noli përmbante në vetvete esencën e mendimit të përbashkët të intelektualëve demokratë, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa asnjë mëdyshje, do thënë se, mes tyre, figura e kryepeshkopit Fan Noli ishte më e kompletuara. “Kryepeshkopi ka kaluar shumë vite të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetiu jashtë vendit,– shkroi ato ditë korrespondenti i gazetës londineze “The Times” në Tiranë. – Ai është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, ka studiuar për drejtësi; është shumë i zoti në letërsi e muzikë dhe ka të ngjarë të jetë një kokë më lart se çdo figurë publike shqiptare në fushë të arsimit.”(16)

Ndonëse iu drejtua një populli afro 90% analfabet, Fan Noli bëri të flisnin shqip personazhet e mëdhenj të letërsisë botërore, si Jul Cezari, Otelloja, Makbethi, Hamleti, Don Kishoti etj. Ai e pasuroi fondin e artë të kulturës shqiptare me përkthimet e paarritshme të “Rubairave” të Omar Khajamit, të “Korbi” e “Annabel Li” të Egdar Posë, të “Skënderbeut” të poetit anglez Henry Longfellow, të “Kasolles” së Blasko Ibanjezit dhe të “Armiqve të popullit” e “Zonjës Ingru” të Ibsenit etj. Zëri i tij prej tenori do t’i shndërronte shërbesat fetare në kishat ortodokse autoqefale shqiptare dhe oratoritë e mbajtura në Këshillin Kombëtar në himne magjike. Por ky krijues e përkthyes gjenial nuk kishte lindur për t’u bërë burrë shteti. Atdhetari e deputeti demokrat Sotir Peci e kishte kundërshtuar dy vjet më parë kandidaturën e Fan Nolit për postin e kryeministrit të Shqipërisë, me fjalët profetike: “Noli nuk është burrë shteti dhe na çon në katastrofë!” Por në qershorin e vitit 1924, për paradoks, i rastisi pikërisht Sotir Pecit, të vetmit anëtar të Këshillit të Naltë që nuk lëvizi nga detyra, të nënshkruante emërimin e Fan Nolit në postin e kryeministrit të shtetit demokratik (17).

Zgjedhja e Fan Nolit në krye të qeverisë së dalë nga fitorja e Kryengritjes së Qershorit 1924 tregoi se demokracia liberale shqiptare ishte akoma shumë e re dhe pa përvojë në fushën e politikës dhe të administrimit të shtetit. Programi i Nolit përmbante në vetvete një varg reformash zinxhir me karakter demokratik e liberal, të cilat mund të kryheshin vetëm nëpërmjet një procesi shndërrimesh me karakter ushtarak, siç u kryen nga Mustafa Qemal Ataturku në Turqinë e re, e sapodalë nga gërmadhat e Perandorisë feudale ushtarake Osmane. Por, ndryshe nga burri i madh i shtetit turk, Fan Noli nuk kishte përvojë administrative e ushtarake për të marrë përsipër përgjegjësinë historike të udhëheqjes dhe zhvillimit të plotë të embrionit të Revolucionit Demokratik. Fan Noli dhe administrata e kryesuar prej tij bënë shumë gabime të mëdha historike, por në lidhje me tematikën tonë, ne do të parashtrojmë vetëm dy prej tyre, që i kanë vënë në dukje me mprehtësi bashkëkohësit e tij. Në shënimet e tij, politikani Sejfi Vllamasi thekson:

Detyra e parë e qeverisë ka qenë legalizimi i saj nga ana e Asamblesë, ose me anë të zgjedhjeve të reja. Këtë gjë kaq të ngutshme qeveria s’qe në gjëndje ta kuptonte. Ministri i Britanisë së Madhe, z. Eyres, në mënyra të ndryshme ia sygjeroi qeverisë nevojën e legalizimit; po ashtu edhe ministri italian markezi De Durazzo. Po ato sygjerime i bëri edhe Tefik Mborja, i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Romë, në emër të Musolinit, i cili tregoi nevojën e domosdoshme për legalizim. Nga ana tjetër, edhe opinioni i brendshëm e kuptonte këtë nevojë dhe bënte presion mbi qeverinë për legalizim. Bile edhe përkrahësit e Zogut, me Sali Vuçiternin në krye, i deklaruan qeverisë se edhe ata, si asamblistë, ishin gati të votonin për qeverinë. Por të gjitha këto sygjerime dashamirëse mbetën pa efekt (18).

Edhe kolonel Faik Quku , gjithashtu kujton: “Opozita nuk kreu nji detyrë të domosdoshme për botën demokratike: legalizimin e qeverisë. Për këtë qëllim kishte mjaftue me ftue ish-asamblistat ose me ba zgjedhje të reja. Kur filloi përgatitjet për zgjedhje të reja, ishte vonë (19).”Enciklopedisti Faik Konica ia ka bërë publikisht vërejtjet e tij Fan Nolit qysh më 16 gusht 1924, duke shkruar me dhimbje e ironi në gazetën “Shqiptari i Amerikës”:

E dashura Governa jonë borgjeze me një fisnikëri fjalësh të bukura u zotua të na japë një shtet të riorganizuar, një shtet të shëndoshë, të pastër, fare të ri. Po ç’qereste do të përdoret për binan’ e re? Le të kemi shpresë dhe le të presim. Për një gjë jemi të sigurtë: që as një bojë sado e çkëlqyer, e hequr mi qeresten’ e kalbur, nuk ka për të ndaluar “tartabiqet”. Binaja e re do qereste të re – qereste brand new si thon’ anglisht, ose flambant neuf në ju pëlqen më mirë t’a thomi frëngjisht. Në mos jemi të zotët të lëmë më nj’anë miqësira dhe krushqira dhe interesa të fshehta, s’qe nevojë të bëhej një revolucje dhe të derdhej gjak…(20)

Gabimin e dytë të madh Fan Noli e bëri në fushën e reformave liberale në ekonomi, sidomos në mosrealizimin e reformës agrare. Domosdoshmëria e shndërrimeve në fushën e pronësisë dhe të marrëdhënieve në prodhim në fshat diktohej nga gjendja e falimentuar e ekonomisë bujqësore dhe mjerimi ekonomik i fshatarëve. Sipas regjistrimit të vitit 1923, Shqipëria kishte 803.959 banorë, nga të cilët 104.382 veta (12,3%) jetonin në 11 qytetet e vendit, ndërsa pjesa tjetër prej 699.577 banorë (87,7%) gjendeshin në fshat, ku ishin të detyruar të siguronin pothuajse të gjitha ushqimet e tyre dhe 75% të veshjeve të nevojshme. Në Shqipëri, udhëtari mund të përshkonte me automjet vetëm 839,5 km rrugë automobilistike; pjesën tjetër duhej ta shkelte kaluar mbi kuaj, mushka e gomarë ose të ecte në këmbë (21).

Në relievin e vendit mbizotëronin 67% shkurre, gëmusha e rrëpira malore, 24% pyje dhe vetëm 9% e territorit të Shqipërisë ishte në dispozicion të prodhimit bujqësor. Sipas regjistrave të pronësisë mbi tokën e punueshme, 220.000 ha tokë (55%) e zinin çifligjet, të ndara midis bejlerëve çifligarë, shtetit dhe institucioneve fetare. Marrëdhëniet midis pronarëve çifligarë dhe fshatarëve argatë rregulloheshin me sistemin e vjetër osman të gjysmës, të së tretës dhe të qesimit, sistem i cili, sipas historianit amerikan Bernd J. Fisher, “i ngjante së tepërmi sistemit të bujkrobërisë”. Sipas studiuesit shqiptaro-amerikan Stavro Skëndi, të cilit i referohen edhe historianë të tjerë, “shqiptari i mesëm jetonte në një gjëndje varfërie të skajshme” (22).

Këshilltari holandez Jan Hunger, i dërguar në vitin 1923 nga Lidhja e Kombeve për të ndihmuar qeverinë shqiptare, kishte vënë re se, ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri fshatarësia që gjendej në një varfëri ekstreme, paguante 76,2% të taksave, ndërsa pronarët e pasur vetëm 6%. Për të përmbysur këtë raport absurd, Hungeri kishte rekomanduar një sërë reformash në sistemin e taksave mbi të ardhurat. Ai kishte propozuar që bejlerët e pasur myslimanë të tokave, të cilët paguanin vetëm 6% të taksave, të detyroheshin të merrnin përsipër një barrë më të madhe. Ne fakt, Bernd J. Fisher thotë se “ajo që propozonte Hungeri ishte reforma agrare”. Ishte e kuptueshme që, përpara Revolucionit të Qershorit 1924, qeveria e kryesuar nga çifligari më i pasur në vend, Shefqet bej Vërlaci, të mos i pranonte propozimet liberale të ekonomisë së tregut të parashtruara nga Hungeri dhe në maj të vitit 1924 e kishte dëbuar nga Shqipëria (23).

Duhej të fitonte Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924, që reforma agrare të vihej “në rend të ditës”. Në autobiografinë e shkruar në vetën e tretë, ish-kryeministri Fan Noli pohon se gjatë regjimit të tij, ai vuri në rend të ditës reformën agrare në Shqipëri, toka e së cilës, deri atëherë, sundohej dhe zotërohej nga një grusht çifligarësh. Ishte e natyrshme për një graduat të Universitetit të Harvardit të vinte në rend të ditës demokracinë në atdheun e tij (24). Në projektin e hartuar nga Ministria e Bujqësisë në muajin tetor 1924 u parashikua shpronësimi i pasurive shtetërore. Tokat që do të shpronësoheshin, do t’u jepeshin fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë. Çdo familjeje fshatare që kishte deri në tre djem, do t’i jepeshin deri në 6 ha tokë e punueshme. Nëse familja kishte më tepër se tre djem, do t’i jepej një sasi toke plotësuese prej 2 ha etj. Në projektligjin e reformës nuk thuhej nëse toka do t’u jepej fshatarëve të varfër falas apo kundrejt pagesës, por përmbajtja e tij linte të kuptoje se do të përdoreshin të dy format (25). Megjithatë, si në të gjitha ndërmarrjet e tjera, Fan Noli u lëkund dhe u tërhoq përfundimisht nga projekti i dëshiruar. Në përgjigjen dërguar historianit Xhozef Suajër, Fan Noli do të dëshmonte:

“Duke këmbëngulur për reformat agrare, unë ngjalla zemërimin e aristokracisë së tokës; duke mos arritur t’i realizoja ato, humba mbështetjen e masave fshatare. Kolegët e mi në qeveri dhe shumica e oficerëve të ushtrisë ishin ose kundër, ose, në rastin më të mirë, indiferentë ndaj këtyre reformave, megjithëse më parë ishin dekla-ruar në favor të tyre. Zoti Sotir Peci, Regjenti, iu kundërvu atyre haptazi dhe ashpërsisht. Zoti Eyres (Ajris) arriti t’i bindte të gjithë ata që ishin përreth meje se reformat agrare ishin një novacion i rrezikshëm bolshevik (26).

Për rrjedhim, duke mos e zbatuar “rendin e ditës” në praktikë, Fan Noli jo vetëm që nuk e kreu deri në fund ciklin e plotë të zhvillimit të embrionit të revolucionit demokratik, por e kompromentoi edhe kryengritjen e armatosur që e solli në pushtet, për të cilën disa studiues shprehen se ishte një “puç ushtarak”, “grusht shteti”, “pronunciamento militare” etj.(27)

Si përfundim, ashtu siç shkruan edhe Sejfi Vllamasi, vendi u zhyt në një anarshi dhe një ankth vëllavrasjës. “Paaftësia e qeverisë dhe mungesa e vullnetit të anëtarëve të saj për t’u vënë gardh pasioneve të çfrenuara, e bënte rrezikun të paevitueshëm – dëshmon Vllamasi. “Zogu, pasi invadoi Shqipërinë me ndihmën e Jugosllavisë, u instalua në Tiranë si zot absolut i vendit me ndihmën e forcave civile dibrane e matjane. Ai, me të ardhur në fuqi, thërret shokët e tij të luftës që kontribuan për ardhjen e tij në fuqi, si Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Preng Previzin dhe Qerim Nasufin, dhe përpara tyre shtron çështjen e mënyrës së administrimit të vendit. I pyet shokët e tij nëse Shqipëria duhej të administrohej me një sistem qeveritar autoritar, duke i dhënë popullit një liri të kufizuar, apo me një diktaturë? Shokët e tij iu përgjigjën menjëherë e me një zë se ata pëlqenin të parin. Atëherë Zogu u thotë se ai do të mendohej dhe pas 24 orëve do t’u jepte përgjigje. Pas 24 orëve ai u përgjigjet, duke u thënë se ishte për diktaturë. Zogu e kishte vendosur qysh më parë sistemin qeveritar që do të ndiqte, por ai, i bindur se shokët e tij për hipokrizi do të pranonin diktaturën personale të tij, ata i pyeti që të justifikonte deri diku vijën e mallkuar që kishte vendosur të ndiqte (28).

Pas vendosjes së diktaturës autoritare zogiste (1924-1939), Shqipëria do të përjetonte  edhe dy nga regjimet më të egra të shekullit XX: diktaturën fashiste e naziste (1939-1944) dhe atë totalitare komuniste (1945-1990). Për fat të keq, praktikat qeverisëse dhe mentalitetet autoritariste të trashëguara nga tri diktaturat e mëparshme vazhdojnë të shfaqen edhe gjatë 22 vjetëve të shdërrimet paqësore demokratike. Me ketë rast, historiografia demokratike shtron pyetjen historike: á do të arrijë ideologjia dhe praktika e demokracisë liberale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës Perëndimore të fitojnë edhe në Shqipëri, apo do t’ia lënë vendin përsëri diktaturave postkomuniste që kanë fituar terren në Rusi, disa vende të Europës Lindore dhe të Azisë ?!

Shënimet:

  1. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 150–151, dok. nr. 159 (Thirrja e shoqërisë “Bashkimi”, 16 qershor 1924, botuar në gazetën “Bashkimi”, 8 korrik 1924).
  2. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 151–153 (Programi i qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli, botuar në gazetën “Drita”, 19 qershor 1924); Musine Kokalari “Jetëshkrimi”, botuar në rubrikën “Dossier” të gazetës “Ndryshe”, nr. 406, 11 shtator 2007, f. 18.
  3. Pjesë nga intervista e korresp. të gazetës “The Times”, 4 shtator 1924, revista “Studime historike”, nr. 3–4, Tiranë, 1999, f. 234.
  4. S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, vep. e përm., f. 408.
  5. Po aty, f. 384, 392, 430.
  6. F. Quku, Qëndresa shqiptare gjatë Luftës…, vëll. I, f. 25.
  7. F. Konica, Vepra 3, f. 331 (artikulli “Shtëpi të ra me qereste të vjetër”, botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, 16 gusht 1924).
  8. T. Selenica, Shqipria më 1927, f. III; Valentina Duka, Qytetet e Shqipërisë në vitet 1912–1924, Tiranë: Toena, 1997, f. 77, 113.
  9. Iljaz Fishta, Veniamin Toçi, Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912–1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat, Tiranë, 8 Nëntori, 1983, f. 66–67; Iljaz Fishta, Mihal Ziu, Historia e ekonomisë së Shqipërisë, Tiranë: Dita, 2004, f. 35; Stavro Skëndi, Albania, New York: F. Praeger, 1956, f. 152; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 55; Beqir Meta, Politika tatimore e shtetit shqiptar (1925–1939), Tiranë: Shkenca, 1999, f. 9.
  10. B. Fischer, Mbreti Zog…, vep. e përm., f. 61–63.
  11. Fan S. Noli, Vepra 6, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë, 1990, f. 295.
  12. Niko Deçka, Mbi reformën agrare të përgatitur nga Qeveria Demokratike e Fan Nolit, në librin “Çështje të lëvizjes demokratike dhe revolucionare shqiptare në vitet 1921–1924”, Tiranë: 8 Nëntori, 1977, f. 149–150.
  13. J. Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, f. 350; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 230.
  14. Gazmend Shpuza, Viti 1924 – midis revolucionit, puçit dhe ndërhyrjes së armatosur, “Studime historike”, nr. 1–2, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë, 2000, f. 70; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 227.
  15. S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, f. 384, 435–36

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …