Edmond Hysni Hoxha (10.10.1975 - 31.1.1997)

Edmond Hysni Hoxha (10.10.1975 – 31.1.1997)

Edmond Hoxha ka lindur më 10 tetor 1975 në Junik të komunës së Deçanit. Familja e tij kishte trashëguar traditën e luftës e të qëndresës kundër pushtuesve të të gjitha kohëve. Gjyshi dhe mixha i Edmondit, Ymeri, në vjeshtë të vitit 1944 bien në luftë kundër pushtuesve serbë.  Ashtu sikurse edhe shumë luftëtarëve të tjerë shqiptarë, atyre, as sot nuk u dihen varret, por kujtimi për ta dhe për veprën e tyre heroike është përcjellë brez pas brezi. I ati i Edmondit, Hysni Hoxha ishte pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në armatën e Shqipërisë.

Me këto kujtime për të parët ishte rritur dhe edukuar edhe Edmondi, i cili qysh herët e kuptoi, ndërsa më vonë e përjetoi edhe vetë peshën e rëndë të robërisë.

Ishte vetëm gjashtëvjeçar kur më 10 maj të vitit 1981, forcat policore jugosllave ia burgosin vëllanë, Xhavitin, organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave të rinisë studentore të marsit dhe të prillit të vitit 1981. Tmerri që kishin lënë pas policët me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe arrestimit të vëllait, mbeten në kujtesën e Edmondit të ri, e cila do të mbushet pezëm e mllef kundër okupatorit. Edmondi, mësimet e para i mori në shkollën fillore të vendlindjes, në Junik. Shkollën e mesme e mbaron në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit.

Më 26 korrik të vitit 1992, për herë të -parë shkon në Durrës, në Shqipëri te vëllai i tij, Xhaviti, i cili jetonte atje së bashku me familjen e tij.

Prej vitit 1992 e deri në vitin 1996 Edmond Hoxha për çdo verë do të vizitojë vëllanë e tij “Xhavitin” në Durrës herë me të ëmën Hysnie, e herë me motrat: Flurie, Miradie, Lumnie, Fakete, Kumrije, Violetë dhe Valentinë.

Pikërisht në atë kohë të formimit të tij intelektual dhe atdhetar një rol të rëndësishëm luan edhe kontakti me shokët dhe të njohurit e vëllait të tij, Xhavitit, si, Jashar Salihu, Hajdar Salihu, Muhamet Rugova, Nasim Haradinaj, Beqir Hajrizi, Skënder Çeku, Xhavit Haliti e shumë të tjerë.

Nën ndikimin e krahut revolucionar militant të lëvizjes kombëtare, Edmond Hoxha u bë kundërshtar i pakompromis i politikës nënshtruese pacifiste.

Në vitin shkollor 1993/94 regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve vë kontakt me grupe militantësh që vepronin në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes vëllait të tij, Xhavitit, veprimtar i çështjes kombëtare, Edmondi njihet me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, me të cilët fillon veprimtarinë në bërthamat e para të UÇK-së, nga mesi i vitit 1996.

I vetëdijshëm për rëndësinë dhe seriozitetin e hapave që duhej të çonin drejt luftës finale për çlirim nga pushtuesi serb, Edmondi ishte shumë i vëmendshëm dhe konspirativ. Ai merrej edhe me sport dhe kryesisht, joshëse për të ishin sportet luftarake. Ishte i sinqertë me bashkëluftëtarët, i afërt e solidar me kolegët, kurse i dashur e i përzemërt me të afërmit.

Edhe pse ishte në moshë më të re se Zahiri dhe Hakifi, Edmondi fiton besimin e tyre në sajë të syçeltësisë dhe vendosmërisë që tregonte në kryerjen e aksioneve ilegale.

Edmondi ishte student i dalluar, mirëpo, i tërhequr nga zjarri i dashurisë për lirinë e Kosovës, në vitin e tretë të studimeve, ai sikur heq dorë nga studimet dhe provimet e fakultetit. Në vitin 1996, i kushtohet në tërësi aktivitetit ilegal luftarak në radhët më të ngushta të militantit Zahir Pajaziti, njërit ndër komandosët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Asokohe, Edmondit tërë vrull e fuqi djaloshare, Zahiri Pajaziti ia beson shumë detyra delikate, të cilat ai do t’ i kryente me vigjilencë dhe përkushtim.

Kishte marrë pjesë në aksione dhe kishte treguar aftësi të shkëlqyeshme në kryerjen e tyre. Pikërisht për këto veti dhe për karakterin e tij të pathyeshëm, Zahir Pajaziti e mbante afër sa herë që kishte në plan të kryente ndonjë aksion delikat.

Edmondi tanimë ishte njëri nqër komandosët e shquar të UÇK-së. Më 31 janar të vitit 1997 ndodhej në bashkëveprim me Zahir Pajazitin dhe luftëtarin tjetër të dalluar, Hakif Zejnullahu. Atë ditë forcat serbe kishin identifikuar lëvizjet e treshes militante, e cila për një kohë të gjatë kishte mbjellë tmerr në radhët e policisë okupatore dhe të atyre që ishin vënë në shërbim të saj. Po atë ditë, në dalje të Prishtinës, vetura e tipit “Llada”, ku ishin Zahiri, Edmondi dhe Hakifi ishte vënë në shënjestër të forcave të policisë kriminale serbe. Duke qenë se edhe luftëtarët e UÇK-së e kishin hetuar përcjelljen, kishin bërë manovrime në rrugën me prita të njëpasnjëshme të armikut. Në hyrje të fshatit Pestovë të Vushtrrisë, në orën 16 e 5 minuta prita e policisë serbe, e lajmëruar paraprakisht nga komanda e policisë, e cila e kishte filluar aksionin, merr në shënjestër veturën, në të cilën ishin përgatitur për rezistencë Zahiri, Hakifi dhe Edmondi.

Ata, duke e parë se ndodhen në rrethim, i drejtojnë automatikët e tyre kundër pritës. Breshëria e armëve të armikut kishte përshkuar nga të tri anët, nga prita dhe nga eskadroni i policisë që ishte vënë në ndjekje.

Atë ditë ranë në altarin e atdheut tre luftëtarët e përkushtuar të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ranë për të fituar pavdekësinë: Edmond Hoxha, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu.

Rënia e tyre heroike, duke luftuar ballë për ballë me armikun, u bë shembull frymëzimi për qindra e mijëra luftëtarë dhe luftëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trupi i dëshmorit Edmond Hoxha varroset në varrezat e Junikut, më 3 shkurt të vitit 1997. Në nderim dhe respekt për gjakun e tij të derdhur në altarin e atdheut, marrin pjesë mijëra qytetarë liridashës nga mbarë Kosova.

Po atë ditë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes komunikatës nr.30, i bën me dije opinionit se në altarin e atdheut kanë rënë dëshmorët e parë të lirisë. Pas çlirimit në vendrënien e dëshmorëve, në hyrje të fshatit Pestovë, është ngritur pllaka përkujtimore për tre dëshmorët e kombit.

Në nderim dhe respekt të veprës së tij Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, dëshmorit Edmond Hoxha i ka dhënë Mirënjohje.

Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, më 23 nëntor të vitit 2000 i ka dhënë diplomën STUDENT MARTIR. Mirënjohje, për veprën e tij atdhetare, i ka dhënë edhe Drejtoria e Sporteve në Deçan. Po ashtu mirënjohje për merita të veçanta dëshmorit Edmond Hoxha i ka dhënë edhe kryesia e manifestimit kulturor FLAKA E JANARIT, janar 2000 në Gjilan.

Përveç shkrimeve të ndryshme në gazeta dhe revista që janë botuar në Kosovë, në Shqipëri dhe në mërgatë, për jetën dhe veprën e dëshmorit Edmond Hoxha, veprimtari i palodhshëm i rezistencës kombëtare, magjistër Kadri Rexha, në vitin 2002, në Prishtinë, ka botuar librin “Pushkë lajmëtare”.

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …