Elezaj: Mos konstituimi i institucioneve, po e vonon zbatimin e ligjit për veteranët e UÇK-së

RKL: Z. Elezaj, Keni qenë luftëtar i lirisë dhe i keni mbetur besnik vlerave çlirimtare dhe fitimtare të kësaj lufte, të cilat prore janë atakuar dhe po atakohen nga qarqe të njohura e të panjohura, vendore e ndërkombëtare. Ku e ka burimin kjo e ligë?

Elezaj: Unë mendoj se edhe kjo e ligë, ashtu sikur shumë të liga të tjera që kanë ndodhur dhe mjerisht po ndodhin, në vendin tonë,  burimin e kanë në politikën zyrtare të  Beogradit dhe të  bashkëpunëtorëve të  tyre në Kosovë. Serbia nuk e ka ndërruar aspak qëndrimin karshi Kosovës, për këtë, ne veteranët jeni shumë të vetëdijshëm.

RKL: Fillimisht a mund të na thoni si ndiheni Ju dhe  veteranët e UÇK-së  me zhvillimet politike në vend?

Elezaj: Ne, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht shoqatat e dala nga lufta ndjehemi shumë keq, me ngërçin politik që e ka pllakosur vendin  sepse mos konstituimi i institucioneve, mes tjerash po e  vonon edhe zbatimin e ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, të cilin po e  presim qe  15 vjet. Ne kërkojmë nga partitë politike që të lënë anash interesat e tyre të ngushta  partiake,  ta zhbllokojnë situatën dhe të angazhohen për të mirën e popullit, sepse pikërisht për këtë edhe e kanë marrë besimin e elektoratit.

RKL: Ku mendoni Ju se  e ka origjinën dhe mbështetjen  padrejtësia që iu ka bërë dhe po i bëhet UÇK-së, sidomos  nga mbarimi i luftës ?

Elezaj: Padrejtësia që iu ka bërë dhe iu bëhet  luftëtarëve të lirisë, sidomos pas luftës sonë çlirimtare, e ka burimin pikërisht te ata individë apo grupe të caktuara,  që ishin shprehur dhe kishin marrë qëndrim kundër luftës. Disa prej tyre madje  kanë shkuar aq larg sa edhe në mënyrat më të ndryshme e kanë penguar luftën, madje kanë shpenzuar miliona marka e dollarë për ta dëmtuar luftën tonë të drejtë si  dhe procesin për çlirimin e Kosovës nga regjimi më kriminal i kohës së pas luftës së Dytë Botërore në Evropë, sikur ishte regjimi i kryekriminelit të Serbisë, Milosheviq.

RKL: A ka insistuar sa duhet Organizata që ju përfaqësoni si dhe shoqatat e dala nga lufta të nxirret ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës?

Elezaj: Ne, nga ana jonë  në vazhdimësi kemi bërë presion lidhur me nxjerrjen e këtij ligji dhe falë këtij presioni sistematik, duke u mbështetur në të drejtën tonë, kemi arritur të ndikojmë  që më në fund  ta nxjerrim edhe ligjin,  i cili do t’i njohë vlerat e luftës sonë çlirimtare. Sa do që ky proces është zvarritur me vite të tëra ne kemi arritur të ndikojmë në nxjerrjen e ligjit.

 RKL: OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje veteranëve të apostrofuar nga Serbia si kriminelë, që të mos i përgjigjen ftesave të EULEX-it, i cili mbështetet në dosjet e kohës së Milosheviqit, kundër çlirimtarëve.

Elezaj: Duke e ditur burimin e këtyre akuzave, dhe duke parë padrejtësitë që kanë bërë gjyqtarët e gjykatësit ndërkombëtarë, në proceset gjyqësore, krejtësisht politike  kundër qindra çlirimtarëve të vendit tonë, ne  jemi detyruar të ju bëjmë thirrje veteranëve të mos ju përgjigjen këtyre akuzave, sikur thonë ata,  për krime të luftës. Qëndrimi ynë si Organizatë është i prerë, nuk e kemi njohur  gjykatën e UNMIK-ut, kur ka qenë ajo, por as tani gjykatën e EULEX-it.  Ata nuk kanë arritur të na bindin me gjuhën e fakteve dhe argumenteve se ne paskemi bërë krime lufte, kur ne kemi qenë pala e sulmuar nga Serbia me qëllim për shfarosje kolektive dhe spastrim etnik të vendit tonë.

RKL: UNMIK-u EULEX-i dhe gjykata vendore, prej mbarimit të luftës e deri tani  kanë dënuar qindra veteranë dhe pjesëtarë të UÇK-së, shumë të tjerë janë liruar të pafajshëm dhe sërish janë akuzuar. Shumica e politikanëve të vendit ka aprovuar edhe krijimin e një Gjykate Speciale kundër UÇK-së.

Elezaj: Ne si Organizatë e Veteranëve të luftës së UÇK-së kemi qenë kundër kësaj gjykate, ndërsa përgjegjësia historike do të mbetet  mbi politikanët dhe deputetët që e kanë votuar krijimin e kësaj gjykate, e cila paragjykon krime lufte, që gjoja paska kryer UÇK-ja. Kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet UÇK-së por edhe popullit liridashës të vendit, përgjithësisht tërë Kosovës. Ne jemi të bindur se Gjykata Speciale është kryekëput gjykatë  politike, ashtu sikur kanë qenë e kanë mbetur edhe gjykatat e tjera, të cilat edhe pse kanë dënuar sa e sa çlirimtarë të vendit, ata nuk kanë arritur gati asnjëherë t’i dëshmojnë  dhe t ‘i faktojnë me argumente akuzat e ngritura, kryesisht nga dëshmitarët e instruktuar dhe të mbrojtur.

RKL: A keni ide si mund të dalim nga ky batak ku na kanë shtyrë qarqet antishqiptare dhe pro-serbe, me faktin se jemi të ndarë në pesë gjashtë shtete dhe nuk përbëjmë dot një faktor unifikues kombëtar?

Elezaj: Unë mendoj se angazhimi i patriotëve dhe popullit deri më tani është një fuqi e pamposhtur kundër armiqve të jashtëm dhe atyre të brendshëm. Ne këtë e kemi treguar në vepër gjatë kohës së luftës së UÇK-së, se bashkimi bën fuqinë. U kemi treguar edhe atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që kanë qenë dhe janë kundër pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe populli ynë  do ta gjejë rrugën e vet në ndërrimin e një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt…

 5 nëntor 2014

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …