Intervistë me nënkryetarin e komunës së Skenderajt, Fadil Nura

RKL: Zotëri nënkryetar, për fillim të bisedës kërkojmë të na njoftoni me aktivitetet aktuale në komunën Tuaj si dhe projektet, të cilat i keni realizuar deri më tani?

Nura: Faleminderit për intervistën, njëkohësisht përshëndes të gjithë radio dëgjuesit e mediumit Tuaj që është i respektueshëm jashtëzakonisht shumë nga ana jonë si institucion por besoj se edhe nga pjesa më e madhe e Republikës së Kosovës. Sa i përket aktiviteteve tona, unë si bartës i funksionit publik, në këtë rast si zëvendës kryetar i komunës së Skenderajt, gjatë kësaj faze jemi në përmbyllje të projekteve  të cilat kanë qenë të planifikuara dhe njëkohësisht është përfunduar planifikimi për vitin e ardhshëm, kështu qe në këtë fund vit po vlerësojmë se kemi arritur në masën më të madhe të përmbyllim edhe obligimet karshi qytetarëve, për çka ndjehem mirë dhe komod.

 RKL: A mendoni se ndihma e Qeverisë së Kosovës është e mjaftueshme për realizimin e projekteve, duke qenë se komuna e Skenderajt radhitet në mesin e komunave më pak të zhvilluara edhe për shkak të shkatërrimeve që fshatrat e kësaj ane kanë pësuar gjatë luftës së fundit?

Nura: Përkrahja dhe ndihma e Qeverisë së Kosovës nuk ka munguar , megjithatë kur marrim parasysh nevojat e komunës sonë do të thosha që nuk ka qenë në masën  e kënaqshme aq sa të paktën ekziston një përshtypje në opinionin publik. Ngase kemi pasur një mos zhvillim për dekada të tëra. Ka qenë një zonë e diskriminuar në të gjitha fushat , kështu që kërkesa dhe nevoja të mëdha kemi pasur, megjithatë Qeveria e Republikës së Kosovës na ka përkrahur jashtëzakonisht shumë për çka edhe i jem falënderues.

RKL: Dihet se një pjesë e madhe e popullsisë së komunës së Skenderajt janë pjesë e skemave sociale. Çfarë po bënë komuna për t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie?

Nura: Gjendja e një shtrese me të vërtetë është në gjendje të rëndë, papunësi e madhe, por ne po përpiqemi që brenda mundësive dhe kapaciteteve që kemi që këto nevoja t’i trajtojmë t’i përzgjedhim dhe në kuadër të prioriteteve të cilat janë më emergjente ti dalim në ndihme. Vlerësoj se kemi arritur në një masë ti dalim në ndihmë sidomos të të pastrehëve, këtu përmendim Qeverinë dhe njerëzit e vullnetit të mirë, por kërkesat janë ende jashtëzakonisht të mëdha.

RKL: Skenderaj është prej atyre komunave që ka numrin më të madh të dëshmorëve dhe martirëve në vend, të cilët u flijuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Si është gjendja e familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së dhe sa po u del në ndihmë komuna juaj kësaj kategorie?

Nura: Kjo është kategoria më krenare për ne por njëkohësisht më e ndjeshme. Por gjendja e tyre varron varësisht nga rastet, falë edhe ligjit për familje të dëshmorëve, që ju ka krijuar mundësi që sado pak  të kenë të ardhura mujore. Ne si komunë po përpiqemi që në kuadër të mundësive ti trajtojmë me prioritet sidomos tek ndarja e bursave, tek taksat e tatimeve janë të liruara të gjitha kategoritë e dala nga lufta. Kemi filluar një projekt që është jashtëzakonisht i madh për ndarje të banesave për familjet e dëshmorëve të cilat për momentin kanë ngec për shkak se është  një projekti i kushtueshëm, por po shpresojmë se edhe me përkrahjen e qeverise do ta finalizojmë  dhe këtyre familjeve do ti trajtojmë për një akomodim ashtu siç e meritojnë.

RKL: A keni projekte të cilat nuk i keni arritur t’i realizoni në mungesë të mjeteve, apo të tilla që kanë ngelur në proces të realizimit?

Nura: Gjithsesi, kemi projekte që janë të nevojshme që në kuadër të mundësive buxhetore ne po hyjmë në kontrata afatgjata dy e tri vjeçare. Këtë vit kemi ngecur tek objektet shkollore, janë tri objekte shkollore si Gjimnazi, shkolla e Qirezit dhe shkolla e Qubrelit veç sa ka filluar. Është edhe kompleksi i banesave për familjet e dëshmorëve që është finalizuar vetëm një bllok dhe parashihen edhe dy të tjerë. Por shpresoj se me angazhimin tonë brenda një kohe relativisht të shkurtër të përmbyllen edhe këto projekte të rëndësishme.

RKL: Zoti nënkryetar, dihet se qeveria lokale e Skenderajt përballet me një mungesë pasi që z. Lushtaku është privuar nga liria për shkak të akuzave të fabrikuara. Si po përballeni ju si komunë me këtë mungesë kur dihet që z. Lushtatku është i vetmi kryetar në vend të cilit i është dhënë besimi gati 100 % i elektoratit ?

Nura: Mungesa e kryetarit është një hendikep jashtëzakonisht i madh për komunën e Skenderajt sepse duke marrë parasysh një kryetar që është më  i votuar në Kosovë por edhe rajon, një kryetar që gëzon përkrahje jashtëzakonisht të madhe në masa popullore dhe qytetare. Mungesa e tij është hendikep i madh, ne shpresojmë që shume shpejt deri para vitit të ri do të lirohet sepse ai po mbahet padrejtësisht qe dy vite. Andaj ne presim të lirohet dhe ti kthehet obligimeve për të cilat qytetarët ia kanë dhënë votën dhe ta vazhdoj punën si kryetar komune.

RKL: Një pyetje për Obeliskun e Marinës. Ku qëndron shkaku i mbylljes së Memorialit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Marinë dhe a do të qëndroj gjatë i mbyllur ky memorial ku janë shënuar emrat e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së?

Nura: Të them të drejtën çështja e Obeliskut të Marinës na ka prekur të gjithëve edhe neve si institucion. Forma e financimit dhe e ndërtimit të Obeliskut në këtë rast po flas personalisht, nuk ka shkuar ashtu siç duhet, ngase është dashur të shkoj në formën institucionale, sepse ajo është ndërtuar në territorin e komunën së Skenderajt dhe është dashur që të merr përgjegjësi edhe komuna jonë. Ne nuk kemi pasur asnjë ingerencë në këtë rast, asnjë mbikëqyrje dhe  zyrtarisht nuk mund të them asgjë se ku ka ngecur puna, pse nuk është realizuar, sepse ne kemi pasur gjithmonë interes për memoriale të tilla. Por forma se si është realizuar është një pikëpyetje. Një pjesë të investimeve e ka bërë  MMPH me donatorin, por nuk e dijë a kanë pasur memorandum mirëkuptimi apo jo. Por me komunën nuk ekziston asnjë lidhje me këtë. Gjendja është e keqe edhe për ne si institucion, pavarësisht vullnetit të mire të donatorit, forma e realizmit nuk më ka pëlqyer.

RKL: Ne ju dëshirojmë punë të mbarë ne realizimin me sukses të synimeve për ta zhvilluar sa më shumë komunën e Skenderajt!

Nura: Faleminderit Ju gjithë stafit dhe dëgjuesve, suksese edhe në të ardhmen.

Realizuar me 5 nëntor 2014

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …