Enver Eqrem Duraku (22.1.1979 - 2.4.1999)

Enver Eqrem Duraku (22.1.1979 – 2.4.1999)

Luftimet e shpeshta e të vrazhda në arealen luftarake të Anadrinit, aksionet e njëpasnjëshme të luftëtarëve të lirisë në Zonën Operative të Pashtrikut, veçanërisht në aksin rrugor të magjistrales Prizren – Gjakovë e të rajonaleve Xërxë – Rahavec – Malishevë e Rahavec – Therandë, si dhe fillimet e bombardimeve të forcave të Aleancës Veri – Atlantike, ndikuan në çmendurinë e bandave të shfrenuara serboçetnike, që si humbës të luftës kundër luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kalojnë në operacione sadiste të tipit karpatoid prej datës 24 mars të vitit 1999. Kështu, aksin rrugor të magjistrales Prizren – Gjakovë atyre ditëve e mbuloi një gjarpër i zi i autobatalionit serb që shtrihej prej Prizreni e deri në Pejë. Veçanërisht të fokusuar në objektivin e këmbësorisë serbe ishin fshatrat: Landavicë, Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Fortesë, Hoçë e Vogël, Brestos, Reti dhe Rudinë të Anadrinit, përkatësisht fshatrat ku, prej 24 majit të vitit 1998 ishin zhvilluar luftimet më të përgjakshme e forcat policore, paramilitare e ushtarake serboçetnike kishin pësuar humbjet më të mëdha. Së këndejmi, pas djegieve, vrasjeve, plaçkitjeve dhe rrënimeve nëpër fshatrat e përmendura, forcat paramilitare serboçetnike depërtojnë nëpër “Përrua të Keq” të Qëndresës (ish – Randubravë), nëpër “Lugun e Brestosit” dhe “Lugun e Bërnajakës” kah “Rrapishta” për ta sulmuar arealen luftarake të Malishevës, me objektiv marrjen e fshatrave: Pagarushë, Dabërdelan, Studençan, Samadraxhë, Shkozë, Jançist, Gurishtë, Kasterc, Breshanc, Semetisht, Peçan e Nishor, pasi që së andejmi drejtoheshin operacionet e brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut, por edhe të shkatërrohet masa e madhe e popullatës së mbledhur në Pagarushë ku pothuajse ishte mbledhur i tërë Anadrini.
Gardhi mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtrihej prej Shkoze në drejtimin “Grabi i Samadraxhës” – “Qafa e Pagarushës”, “Arat e Fangut”, “Gallusha” e kah Semetishti e Peçani e me fokus në “Vneshtin e Sadës”, “Arën e Hasanit” – Sllapuzhan e Biraq, por forcat serbe me çdo kusht pretendojnë thyerjen e këtij gardhi e në luftimet e ditës së 28 marsit 1999 merr përjetësinë Shefki Hamit Thaçi i Rogovës së Hasit, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 126 të Hasit, ndërsa plagosen rëndë Enver Eqrem Duraku, e pranë tij edhe Hamëz Kryeziu, Xhelil Thaçi e Sabit Gashi, por plagët i mbijetuan: Hamza, Xhelili e Sabiti. Enver Duraku nuk u mbijetoi plagëve të rënda dhe u përjetësua më 2 prill të vitit 1999.
Enver Duraku, sugar i Eqremit dhe Fetijës së Gashëve të Abdyl Bajramit, vëlla i Reshadisë, Shemsedinit, Serisë, Agronit dhe Resmisë, është i lindur në fshatin Krushë e Madhe të profesor Ukshinit, më 22 janar të vitit 1979. Fëmijërinë e kaloi duke dëgjuar rrëfimet e t’ët e të mixhallarëve rreth të parëve të nënës, Gashëve të Bajram Limonit e të Durakëve të Krushës së Madhe. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në filloren “Bajram Curri” kurse të mesmen në Gjimnazin që sot mban emrin “Xhelal Hajda – Toni” të cilin Enver Duraku e kishte nipash, bashkëluftëtar, idol dhe komandant.
Si nxënës i gjimnazit organizohet në format e veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, së bashku me Fitim Islam Durakun e Mifterem Gashin të lidhur me Smajl Latifajn dhe Grupin e Drinasit. Pas mbarimit të gjimnazit, Enver Duraku së bashku me pjesën dërmuese të djelmoshave të Krushës së Madhe, braktis ekonominë familjare të të et, vendlindjen dhe sipas udhëzimeve të prof. Ukshin Hotit e Muhamet Malësorit, regjistrohet në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Enver Duraku është në kontakt veprimi me Bekim Gashin, Ismajl Kryeziun, Smajl Latifajn, Mensur Zyberajn, Bedrush e Feim Gashin, Bedri Zyberajn, Muhamet Malësorin, Rexhep Hotin, Hasim Shtërbanin, Hysni Durakun e Fatmir Limajn. Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Enveri u bashkohet burrave që mbi supet e veta morën barrën e madhe të historisë kombëtare, vendos t’u bashkohet Atyre që u radhitën në vargun e luftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jasharit. Dita e 26 prillit të vitit 1998 Enverin e gjeti shumë të përgatitur dhe në këtë ditë, jo larg konaqeve të Durakëve të Krushës së Madhe, te “Përroni i Keq” të Krushës së Vogël, në aksin rrugor Prizen – Gjakovë, krisën pushkët e para të Anadrinit dhe u shpartallua njësiti patrullues – mobil i policisë serbe në orët e hershme të mëgjesit.
Këshilli Koordinues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për fshatrat: Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Fortesë, Celinë, Xërxë, Krushë e Vogël, Piranë e Qëndresë ngriti nivelin e gatishmërisë dhe djelmoshat: Enver, Fitim e Hysni Duraku, Bekim, Nijazi e Habib Gashi, Dalip Behra, Agim e Sami Nalli, Hida, Isak, Ismet, Sedat, Sinan, Shukri e Visar Hoti, Naser e Sahit Krasniqi, së bashku me Shefki Hamit Thaçin, angazhohen në stërvitjet ushtarake që mbaheshin në fshatin Zatriq, mbi Drenaj nën komandën e Xhemë Gashit të njohur si “komandant Gjermani”. “Djemtë e Anadrinit” në përgjithësi dhe të Krushës së Madhe në veçanti, e në mesin e tyre Enveri me Fitimin e Bekimin, shquhen për shkathtësi dhe gatishmëri që tregonte pjekurinë e mjaftueshme për t’u përballur me forcat serbe. Luftimet në “Lugun e Bardhatinit” më 12 maj, në Gardhisht më 14 maj, në Drenas më 6 qershor, në Kromnik më 19 qershor dhe aksionet e shumta nëpër Rrafshin e Anadrinit e forcuan luftëtarin e lirisë Enver Duraku dhe kështu më 14 korrik 1998, Kompania e Krushës së Madhe del në pozicione duke bllokuar katër hyrje në Krushën e Madhe nga aksi i magjistrales Prizren – Gjakovë; si kah Celina ashtu edhe kah Krusha e Vogël, edhe pse të rrezikuar sa prej forcave policore serbe aq edhe prej argatëve shqipfolës e dështakëve të shumtë që himnizonin ushtrinë dhe policinë serbe për ta përbuzur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë ditët kur Xhelal Hajda – Toni me Selajdin Mullabazin – Micin, zhvillonte operacionet logjistike për kompletimin e Batalionit të Rahavecit.
Depërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec e detyroi kompaninë e fshatit Fortesë që ta barrikadojë aksin e rajonales Xërxë – Rahavec mu në qendër të fshatit, prandaj kompania e Krushës së Madhe tërhiqet kah “Pisjaku” i Celinës për t’i zënë pozicionet në fshatin Fortesë ku u zhvilluan luftimet e përgjakshme deri në orët e vonshme të mesnatës së 18 korrikut, ndërsa Enver Eqrem Duraku është së bashku me luftëtarët e Krushës së Madhe. Pas tërheqjes së popullatës civile prej Rahaveci grupi i Enver Durakut i bashkohet Xhelal Hajdës – Tonit dhe merr pjesë në “Betejën e Lugut të Shqipeve” për t’i penguar paramilitarët e shfrenuar që të depërtojnë në Malishevë. Pas kësaj beteje i tërë grupi i Krushës së Madhe ndërmerr hapa për riarmatosje dhe kështu Enver Duraku, së bashku me shokët depërton në Kosovë sërish më 21 shtator të vitit 1998. Merr pjesë në betejat në Izbisht, në “Lugjet” e Retisë dhe në “Lis – Dervish”. Vendosmëria dhe gatishmëria e Enverit në luftimet te “Kryqi i Apterrushit” më 6 nëntor 1998, është shembull i luftëtarit me moral të lartë. Në këtë betejë mbetet pa nipin dhe komandantin Xhelal Hajda, por nuk e ndërpret vrullin e veprimeve. Në dhjetor mbetet pa profesor Muhamet Malësorin, Hysni Durakun, Isanë, Hidanë, Ismetin, Sedatin, Sinanin e Isak Hotin, të cilëve u printe Skënder Hameli, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Sërish përpiqet që në atë moshë rinore t’i konsolidojë radhët së bashku me Fitim Durakun, Ismail Gashin, Dalip Behrën dhe Bekim Gashin, por më 21 janar të vitit 1999 i plagoset rëndë bashkëluftëtari dhe djali i axhës, Fitim Duraku, ndërsa merr përjetësinë komandanti Skënder Rexhepi. Prej plagëve në “Bardhabreg” ndërmjet Fortesës dhe Sopajt shpëtojnë Xhavit Elshani e Mustafë Bajraktari.
Gjatë kohës së shërimit të plagëve të Fitim Durakut, Xhavit Elshanit e të Mustafë Bajraktarit në Spitalin Ushtarak të Pagarushës, Enver Duraku i shoqëruar nga togu i zbulimit, grupi në përbërje prej Rexhep Krasniqit, Xhavit Gashit e Fadil Zeqirit, shpesh trupon kodra e lugje kah Pagarusha, prandaj i njohu mirë kodrat e buta nëpër Reti e Samadraxhë, e Dabërdelan, ku nuk mungonin as aksionet të cilat i kryen grupi i përmendur duke shkatërruar forcat serbe në aksin e rajonales prej “Rrihjeve” të Rahavecit deri në hyrje të Therandës, në bashkëveprim me “Syrin e Shqiponjës” së Nezir Kryeziut, të Brigadës 123 të Therandës, e me atë 126 të Hasit, së bashku me Shefki Thaçin.
Bombardimet e NATO – s, Enver Durakun e gjejnë në Reti, prej nga niset me tërë njësitin për t’i ndihmuar popullatës civile të fshatrave të Anadrinit e cila përgatitej për ta braktisur Rrafshin e Anadrinit e të vendoset nëpër fshatrat përreth “Ligatave” të Pagarushës. Në këto rrethana, luftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut; brigadat 123, 124, 125 e 126, nën komandën e Tahir Sinanit, formojnë mburojën nëpër kodrinat malore të masivit që ndan Anadrinin prej Llapushës.
Këtu vendoset gatishmëria sublime e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këmbësoria së bashku me formacionet e kombinuara ushtarako – policore serbe pretendonte depërtimin në Pagarushë për ta përsëritur masakrën e Anadrinit, prandaj luftëtarët e lirisë duhej të qëndrojnë, të mos lejojnë këmbën serbe që ta shkelë Pagarushën. Kishte sulme, kundërsulme, aksione e depërtime në brendi deri në pasditën e 28 marsit e deri në mbrëmjen e 31 – shit, kur u derdhën breshëri e kanonada kah “Grabi” i Samadraxhës, “Dardhat” e Semetishtit dhe “Gallusha”, mu në ditën e Kurban – Bajramit të vitit 1999, kur në Izbicë vriten e masakrohen 150 shqiptarë nga radha e popullatës së pafajshme civile. Në këtë vendosmëri aktive marrin përjetësinë: Reshat Muçaj, Demir Demiraj, Enver Bytyçi, Fatmir Krasniqi, Hamdi Gashi, Haxhi Haxhaj, Hysni Morina, Milazim Kiçina, Indrit Cara, Ismet Kodra, Latif Shukaj, Lulzim Bylikbashi, Mejdi Xhaferi, Mirsad Musaj, Nexhmedin Hoti, Omer Gega, Ruzhdi Jupa, Sinan Hodaj, Xhavit Syla, Skender Bytyçi e Shefki Thaçi, ndërsa plagosen; Hamëz Kryeziu, Ismet Bylikbashi, Sabit Gashi e Enver Eqrem Duraku të cilin e çojnë në spitalin e Pagarushës bashkëluftëtarët Rexhep Krasniqi, Xhavit Gashi, Xhafer Kadiri e Demir Qena.
Pas transferimit të spitalit të Pagarushës, Enver Duraku i shoqëruar nga bashkëluftëtari Isa Gashi, bartet në një spital tjetër në drejtim të Drenicës, por më 2 prill merr përjetësinë. Bashkëluftëtarët e përcjellin në amshim në Varrezat e fshatit Baicë të Drenicës, ndërsa më 10 korrik të vitit 1999 bartet trupi i pajetë i Enverit deri në fshatin Krushë e Madhe, për t’u bashkuar me 20 dëshmorë dhe rreth 290 viktima të këtij fshati.
Sot në vendin e rënies shkëlqen një lapidar me dy emra që shënojnë rrufenë e Grabit të Samadraxhës dhe luftën heroike të dy dëshmorëve të kombit: Enver Eqrem Durakut nga Krusha e Madhe, e Shefki Hamit Thaçit nga Rogova e Hasit, që u përjetësuan në mbajtjen e vijës së parë të zjarrit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Nezir Myrtaj: Dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i kishte bashkuar ideali deri në vdekje

Është e njohur thënia se dëshmorët e kombit “nuk kanë hierarki dhe ata janë të …