Shefket Ahmet Muhadini (1.5.1973 - 2.4.1999)

Shefket Ahmet Muhadini (1.5.1973 – 2.4.1999)

Shefket Muhadini i takon brezit çlirimtar, që kishte kaluar jetë të rëndë në mërgim, ndërsa kur u dha kushtrimi i Legjendarit Adem Jashari në Prekaz, në fillim marsin e vitit 1998, ai brez atdhedashës la Londrën, Bonin, Parisin, Vjenën, dhe fillimisht mësyu Shqipërinë.

Pasi armatosen iu rrekën maleve të Pashtrikut e të Shkëlzenit, për t’ u futur në vijat e fronit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta luftuar dhe për ta dëbuar armikun serb përgjithmonë nga trojet tona. Familja Muhadini e fshatit Topillë, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha shumë luftëtarë, në mesin e tyre edhe një dëshmor, Shefket Muhadinin dhe një ushtar të plagosur në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Naser Muhadinin.

Shefket Muhadini lindi në fshatin Topillë të Malësisë së Budakovës e të Graiçevcit. Babai, Ahmet Muhadini dhe nëna Shefkije, me mund rriten gjashtë bijtë e tyre: Abdullahun, Sokolin, Isakun, Ismetin, Shefketin e Fadilin, si dhe bijën e vetme, Vezirën. Shefketi lindi më 1 Maj të vitit 1973. Babi i tij, Ahmet Muhadini, ishte një malësor trim, i cili asnjëherë nuk iu bind regjimit okupator serb.

Disa herë policia serbe e kishte keqtrajtuar me qëllim që t’ia thyente krenarinë dhe atdhedashurinë, mirëpo asnjëherë nuk kishte arritur ta gjunjëzonte.  Shefketi Mësimet e shkollës fillore dhe të mesme i mori në Shtime. Qysh në rininë e hershme ballafaqohet me punën e rëndë fizike dhe me peshën e rëndë të robërisë. Meqë ishte kryengritës dhe i pamposhtur nga natyra, zgjon mërinë e policisë vrastare serbe të Shtimes.

Ata, me pretekst të kërkimit të armëve, i bastisin dhe i matretojnë fizikisht Shefketin dhe familjarët e tij, të cilët ishin shpërngulur nga fshati Topillë dhe tashmë jetonin në vendin e quajtur Lagja e Pajtimit afër Shtimes. Ishte vetëm 13 vjet kur policët e rrahin brutalisht për herë të parë, rrëfen nëna, Shefkija, e cila numëron sa e sa raste të keqtrajtimeve, që kishin bërë policët serbë, por edhe disa policë shqiptarë e magjupë të Stacionit policor të Shtimes. Më vonë, kur kishte mbushur rreth 16 vjet, ishte kacafytur me policët, të cilët ia kishin arrestuar babanë.

“Me orë të tëra e kanë rrahur këtu në shtëpi në praninë time, derisa e kanë përgjakur të tërin”, thotë e ëma Shefkija, duke i evokuar kujtimet për të birin dëshmor. Mirëpo, Shefketi nuk ishte thyer, përkundrazi ishte mbushur pezm dhe helm kundër policisë armike. Duke parë se tërë familja e gjerë Muhadini ndodheshin në presion sistematik, vendos të largohet nga Kosova dhe fillimisht, në vitin 1990 vendoset në Zvicër. Ndërkohë kthehet sërish në Shtime, duke qëndruar vetëm për pak kohë, dhe sërish shkon në mërgim. Kësaj radhe vendoset të vëllai, Abdullahu, i cili punonte në qytetin Vesterland të Gjermanisë.

“Gjithnjë ka qenë azilant dhe i ndjekur nga një vend në tjetrin”, shton Abdullahu, vëllai i tij i madh, i cili numëron vendet ku e ka kaluar jetën Shefketi në Zvicër, Gjermani, në Holandë, në Britani të Madhe e gjetkë. Edhe në mërgim i kishte përjetuar sa e sa burgje duke kaluar ilegalisht kufijtë nga një vend në tjetrin. Gjatë kohës sa ka qëndruar në mërgim ka mbajtur kontakte me Isak Musliun nga fshati Reçak i Shtimes. Isaku nga ana e tij kishte kontakte ilegaliteti me veprimtarët e UÇK-së në Gjermani dhe në fillim të marsit të vitit 1998 bëjnë përgatitje për të shkuar në Shqipëri e prej andej në radhët e luftëtarëve të lirisë, në pikat e luftës në Kosovë. Më 14 mars 1998, Shefket Muhadini së bashku me Ismet Jasharin, Fatmir Limajn, Milaim Behën, Isak Musliun, Halil Ollurin, Haxhi Shalën, Ramiz Qeriqin e të tjerë nisen në rrugë për të kaluar kufirin.

Nëpër ecejaket e Pashtrikut, grupi i çlirimtarëve futet në trojet e përflakura të Dukagjinit. Ndërkohë, Shefket Muhadini, Milaim Beha, Halil Olluri e të tjerë vendosen në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Likoc të Drenicës, ku do të qëndrojnë disa ditë, derisa marrin rekomandime për t’u sistemuar në pikat, të cilat tashmë i kishte zgjeruar UÇK-ja. Pasi kishte marrë vesh për kyçjen e Shefketit në UÇK, vëllai, Abdullahu se bashku me motrën e vetme, Veziren, e vizitojnë atë në Likoc të Drenicës. Inkuadrimi i Shefketit në radhët e UÇK-së mbahej sekret, nga frika për represionin që do të ushtronte policia e Shtimes. Me rekomandime nga eprorët e Likocit, Shefket Muhadini, Isak Musliu, Halil Olluri e të tjerë fillimisht sistemohen në Grykën e Llapushnikut. Komandues lokal i pikës, qe caktuar luftëtari nga Reçaku, Isak Musliu, pastaj Imer Alushani, Ali Zogaj e të tjerë.

Shefketi merr pjesë në zënien e Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998. Ai, së bashku me disa luftëtarë sulmon forcat policore serbe, të cilave iu shkaktojnë humbje në njerëz dhe teknikë lufte. Bashkëluftëtarët e quanin Tamul. Ishte një djalosh i zeshkët, me vështrim autoritar, tërë energji, trim dhe tejet i vendosur në luftë kundër forcave serbe. Shefket Muhadini mori pjesë edhe në Betejën e Rahavecit, prej 16 deri më 19 korrik të vitit 1998. Ishte në mesin e luftëtarëve që u dalluan duke luftuar përballë forcave vrastare serbe, së bashku me Sadik Shalën, Agush Gjocin, Nuhi Mazrekun, Afrim Buçajn, Hamdi Berishën e shumë të tjerë.

Më 25 dhe 26 korrik, ende pa marrë frymë mirë dhe pa pushuar nga flaka e zjarrit të Betejës së Rahavecit, Shefket Muhadini, së bashku me Imer Alushanin, Isak Musliun, Ali Zogajn, Mehdi Hoxhën, Sokol Elshanin, Mehedin Morinën, Luljetë Shalën, merr pjesë në mbrojtje të Grykës së Llapushnikut, përballë forcave të motorizuara të armikut, të cilat kishin vënë në veprim, mijëra ushtarë, rreth 120 tanke, dhjetëra topa kalibrash të mëdhenj, dhjetëra autoblinda dhe disa raketahedhës të raketave të tipit “tokë-tokë” dhe “kaçusha”. Me rastin e thyerjes së Grykës së Llapushnikut, Shefket Muhadini, Isak Musliu, Afrim Musliu, e luftëtarë të tjerë, në fillim të gushtit të vitit 1998, depërtojnë në pikën luftarake të Rancës, e cila ishte një pikë strategjike e ndërlidhjes së veprimeve dhe vajtje-ardhjeve të luftëtarëve çlirimtarë, mes Zonës Operative të Drenicës dhe të Pashtrikut me Zonën Operative të Neredimes.

Më 26 shtator të vitit 1998, forcat të shumta ushtarake serbe, të pozicionura në Neredime, pastaj te “Gështenjat” e Shtimes”, në fshatin Dramjak, sulmojnë pozicionet e luftëtarëve të UÇK-së së Zonës Operative të Neredimes. Edhe pse asokohe Shefketi ishte i sistemuar në Pikën e Rancës, ai me shumë bashkëluftëtarë si: Jetullah Çarri, Shaqir Tërshani e të tjerë merr pjesë në luftime. Shtëpia e kushëririt të tij, Faik Muhadinit, ishte bërë bazë e luftëtarëve të lirisë, ndërsa luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kishin bashkuar edhe vëllezërit e kushërinjtë. Në radhët e UÇKsë tashmë luftonin vallezërit: Avdullah dhe Isak Muhadini, pastaj Faik Muhadini me të bijtë Naserin dhe Enverin e shumë të tjerë.

Përveç pikës strategjike të Rancës, të cilën e komandonte Isak Musliu, i njohur si komandant Çerçizi, një bazë tjetër shumë e rëndësishme e UÇK-së ishte konsoliduar fillimisht edhe edhe pikat e luftës, në Graiçevc e në Topillë, pika këto të cilat i komandonte, Jetullah Çarri, i njohur si komandant Guri. Duke qenë se ishte ushtruar në inxhinierinë fushore, Shefketi kishte një detyrë sa të vështirë, po aq të rrezikshme dhe delikate. Ai, me togën e tij bënte minimin e pikave nga ku supozohej se do të kalonte forca armike. Kujdesi në vëzhgimin e lëvizjeve duhej të bëhej me angazhim maksimal të syçeltësisë, meqë pjesëtarë të popullatës civile e fshatarë nga vende të ndryshme, për hallet e telashet e tyre, depërtonin nga një vend në tjetrin dhe fare lehtë mund të binin në fushë të minuar. Ai, në raste të caktuara kishte për detyrë ta bënte dominimin e terrenit të minuar, me mjete dhe metoda improvizuese, pa aparaturë të caktuar. Shefket Muhadini, Afrim Musliu, Naser Muhadini me bashkëluftë- tarët e tyre disa herë kanë vajtuar në Shqipëri, kanë marrë armatim dhe janë kthyer pa pësuar asnjë humbje. Duke i parë shkathtësitë e tij luftarake, komanda e Zonës së Neredimes, Shefket Muhadinin e kishte caktuar komandant të Kompanisë së Dytë të Brigadës 161, “Ahmet Kaçiku”. Pas intervenimit të NATO-s kundër makinerisë serbe, më 24 mars të vitit 1999, zona e Neredimes kishte marrë masa për sigurimin e pikave nga ku supozohej me të drejtë se mund të bënte përpjekje të depërtonte forca e këmbësorisë armike.

Duke pasur një përvojë të hidhur me Reçakun, eprorët e UÇK-së kishin caktuar pikat delikate, ku mendohej se do të  mësynin forcat serbe. Shefket Muhadini me togën e tij, merr për obligim ta sigurojë terrenin strategjik në vendin e quajtur “Guri i Likejeve”, një vijë në mes të fshatrave Petrovë dhe Reçak të Shtimes. Më 30 mars të vitit 1999, Shefketi arrin të bëjë minimin e terrenit, nëpër të cilin supozohej se do të mësynte forca armike. Nga fusha të cilën e kishte minuar me shumë kujdes dhe vështirësi, kishte larguar bashkëluftëtarët, të fundit e kishte larguar Nebih Musliun, ndërsa kishte mbetur për të sprovuar siguresat. Në një çast të kyçjes të sinjalit të radiolidhjes, nga net të tëra pa gjumë dhe në borë e acar, Shefketit i eksplodon mina në duar. Fuqia e eksplodimit ia kishte shkurtuar dy duart dhe këmbën, por Tamuli nuk ishte dhënë. Me atë rast u plagosën edhe dy ushtarë.

Bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin gjallë, mirëpo plagët ishin fatale. Reporteri i luftës, Ruzhdi Jashari lajmëron komandën e Zonës dhe bën përpjekje, që Shefketin e plagosur rëndë ta nisin sa më parë për në Tiranë. Mirëpo në rrethanat që qenë krijuar përnjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kishin egërsuar skajshëm forcat vrastare serbe dhe rruga për të shkuar në Shqipëri ishte me shumë rreziqe.

Tamuli po dergjej në dhembje të padurueshme. Ndihmën e parë mjekësore ia kishte dhënë mjeku i luftës, doktor Vezir Bajrami, i cili kishte konstatuar se gjendja e Shefket Muhadinit ishte tejet e rëndë dhe e pashpresë. Shefketi kishte propozuar Vezirit që t’ ia amputonin këmbën, por ai kishte edhe plagë të tjera fatale në këmbën tjetër dhe në duar. Edhe në çaste më kritike kur luftonte me plagët e dhembjen e padurueshme, ai pyeste për shokët, për luftën, thellë i bindur në fitore. Në mbrëmjen e 2 prillit të vitit 1999, Shefket Muhadini, i mbiquajtur Tamuli, thith për herë të fundit ajrin e Reçakut të bërë shkrumb nga predhat dhe baroti i luftës.

Bashkëluftëtarët e varrosin në Varrezat e dëshmorëve në fshatin Mollapolc, ku prehet në përjetësi së bashku me dëshmorët e tjerë. Shefketi nuk ka qenë i martuar. Familja e tij kanë marrë mirënjohje për djalin dëshmor nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga Kuvendi komunal. Një bust në shenj përkujtimi e nderimi i është ngritur në Lagjen e Pajtimit, ku aktualisht jeton familja Muhadini e shpërngulur nga fshati Topillë disa . (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …