Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka nisur takimet me strukturat e partisë nëpër komuna, në kuadër të përgatitjeve për pritjen e ish-krerëve të UÇK-së. Pas takimeve në Dragash dhe Zhur, Hoxhaj ka vazhduar sot mobilizimin në Suharekë, duke bërë të ditur se aktivitetet do të shtrihen edhe në qytete të tjera.
“Bashkë me strukturat e PDK-së në Dragash dhe Zhur, në përgatitje të kthimit të çlirimtarëve!”, kishte shkruar Hoxhaj pas takimeve të djeshme. Ndërsa nga Suhareka, ai ka deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë në funksion të asaj që e cilësoi si “ditën e shumëpritur të lirisë”. “Nga qyteti në qytet me strukturat e PDK-së. Sot në Suharekë për ditën e shumëpritur të lirisë, për kthimin e çlirimtarëve në atdhe”, ka shkruar ai. Hoxhaj, i cili për vite ka qenë bashkëpunëtor i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, po i zhvillon këto takime në prag të 16 shtatorit, datë kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Takimet me strukturat e PDK-së synojnë organizimin dhe mobilizimin për pritjen e tyre në Kosovë, në rast të lirimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
