George Wikoff: Hapja e urës mbi Ibër është çështje e Kosovës dhe BE-së, jo e KFOR-it

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan George Wikoff, ka deklaruar se vendimi për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër nuk i takon KFOR-it, por Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Wikoff tha se KFOR-i ka mandat të vlerësojë sigurinë dhe praninë e trupave të tij në urë, ndërsa vendimmarrja për të ardhmen e saj duhet të bëhet nga institucionet përkatëse. KFOR-i ka njoftuar se po zhvillon procesin e kufizimit të pranisë së përhershme në urë, e cila aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Sipas NATO-s, ky proces lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe kalimin gradual të përgjegjësive te Policia e Kosovës. Ura, e cila lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, ka qenë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve që nga paslufta dhe ndër vite është konsideruar një nga pikat më të ndjeshme në veri. Kosova ka kërkuar vazhdimisht hapjen e saj të plotë, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar si absurde që ura kryesore vazhdon të jetë e mbyllur. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka kërkuar koordinim dhe konsultime ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të prekura, duke theksuar nevojën për garantimin e sigurisë së të gjitha komuniteteve. Serbia ka kundërshtuar kufizimin e pranisë së KFOR-it në urë, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar NATO-s që ta ndalojë këtë proces. Ndërkohë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur këtë zhvillim si kërcënim për komunitetin serb nuk përputhen me realitetin në terren.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Ismet Jashari ishte një nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së

Komandanti i ZOD, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorin e UÇK-së, Ismet Jashari – Kumanova, në …