Fatmir Graiçevci

Fatmir Graçievci: Të merren vendime për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj e jo për interesin e burokratëve

Ka vite që qeveritarët, disa analistë, politikanë, deputetë e burokratë ndërkombëtarë nuk ndalen së mbajturi ligjërata, duke na treguar  se sa mirë do ta kemi pas liberalizmit të vizave kur do të mund të shëtisim nëpër shtetet e Bashkimit Evropian. Thua se do të shkojmë në parajsë! Aq shumë është investuar për të bindur qytetarët se rruga e vetme për një jetë më të mirë është liberalizimi i vizave sa është krijuar bindja se gjithçka duhet bërë vetëm e vetëm që të na hiqen vizat!

 Kjo ka bërë që qeveritarët, disa akademikë e deputetë të kenë vullnet ta falin e ta sakrifikojnë edhe një pjesë të territorit të Kosovës për hir të procesit të liberalizimit të vizave për të na thënë më pastaj: Ja, ishim ne që ua mundësuam të shkoni të jetoni dhe shëtisni në vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kur dëgjon njeriu të tillët duke mbajtur ligjërata nëpër medie të bëhet nuk ke se si të mos mendosh se ata besojnë për veten e tyre se janë profetë të popullit të Kosovës me të vetmin dallim: Nocionin “Parajsës” të profetëve këta e kanë zëvendësuar me Bashkimin Evropian, ama kanë harruar se profetët kanë thënë se kusht për të shkuar në parajsë duhet të jesh njeri i mirë ndërsa kusht për të shkuar në Bashkimin Evropian është të jesh qytetar i pasur! Por edhe nëse e arrini këtë, para se të krenoheni, do të duhej të turpëroheni. Është marrëzi e shkuar marrëzisë që në vend se të angazhohesh për ta bërë shtetin tënd vend të zhvilluar dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët, të angazhohesh për t’ua mundësuar atyre të ikin një orë e më parë nga atdheu i tyre!

Është shpresëdhënëse kur i kujton njeriu vitet e luftës çlirimtare dhe dëshpëruese kur i kujton vitet e pas çlirimit!

Sa shpresëdhënëse ishin njoftimet se si me mijëra shqiptarë lenin jetën luksoze në perëndim dhe ia mësynë fronteve të luftës për ta çliruar Kosovën dhe me vetëdije të plotë ishin të gatshëm ta jepnin jetën për të bërë Kosovën të lirë dhe vend ku mund t’i realizonin ëndrrat e tyre të gjithë qytetarët e saj ndërsa tani janë me dhjetëra mijëra që po të munden, nesër ikin nga këtu!

 Vite më parë, në lumin Tisa në Hungari u shuan jetët e disa qytetarëve tonë në rrugën e tyre për të ikur nga Kosova dhe shkuar në një vend ku besonin se mund të kenë jetë më të mirë, ku mund t’i realizonin ëndrrat e tyre! Është cinizëm i skajshëm “brengosja”  e qeveritarëve tanë me lot krokodili se ata duan që t’ua mundësojnë qytetarëve të Kosovës të mos marrin rrugët ilegale e të rrezikshme për në Bashkimin Evropian por rrugët legale dhe që nuk rrezikojnë jetët e tyre. Nuk ka më keq se sa t’ua shkatërrosh shpresat qytetarëve për perspektivë në atdheun e tyre, e kastat tona politike ua kanë rrënuar shpresat qindra mijëra qytetarëve! Pak rëndësi ka se cila kastë politike ka kontribuar më shumë apo më pak në shuarjen e shpresave. Pak rëndësi ka se cila kastë ka kontribuuar më shumë apo më pak që në Kosovë me shumë të vlejë libreza e anëtarësisë së një kaste politike se sa diploma e fituar me meritë!

Rrënimi i shpresave për jetë më të mirë në atdheun e tyre ka bërë që qindra mijëra qytetarë ëndrrat e tyre t’i projektojnë në vende tjera por për të shkuar atje më parë duhet hequr vizat. Kjo ka bërë liberalizimi i vizave të jetë prioritet mbi prioritete!!!

Kur sheh se me sa lehtësi falin territor të Kosovës qeveritarët, akademikët dhe deputetët tonë nuk ka se si mos të vijë në mendje letra që prijësi i indianëve të Amerikës i kishte dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Pierce-it pasi ky kishte shfaqur dëshirë të blinte tokën e indianëve. I habitur me këtë dëshirë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prijësi indian Seathl, i Tribusë Suwamish, shkruan një letër e cila është përkthyer në dhjetëra gjuhë anekënd vendeve të botës.

Kur analizon letrën me vëmendje, të bëhet se nuk i është drejtuar amerikanëve por qeveritareve dhe disa akademikëve dhe deputetëve tanë për të cilët toka nuk ka asnjë vlerë!

 Në letër në mes tjerash shkruan: Si mund ta blini apo ta shisni qiellin, ngrohtësinë e tokës? Çdo pjesë e kësaj toke është e shenjtë për popullin tim. Çdo gjilpërë pishe, çdo breg ranor, çdo pikë vese nëpër pyjet e errëta, çdo insekt që fluturon është i shenjtë në kujtesën dhe përvojën e popullit tim. Kur kryetari i madh i Uashingtonit na çon fjalë se dëshiron të blejë tokën tonë, ai na kërkon shumë. Sepse kjo tokë është e shenjtë për ne. Uji vezullues që rrjedh nëpër përrenj dhe lumenj, nuk është vetëm ujë, por dhe gjaku i paraardhësve tanë. Njeriu i bardhë trajton nënën e vet, tokën, dhe vëllaun e vet, qiellin, si gjëra që mund të blihen, të shfrytëzohen dhe të shiten, si të ishin rruaza të ngjyrosura! Duhet t’u mësoni bijve tuaj që trualli nën këmbët e tyre është hiri i paraardhësve tanë. Me qëllim që ata ta respektojnë tokën, u thoni bijve tuaj që toka është e pasur me jetët e popullit tonë. Toka ka pirë gjakun e paraardhësve tanë, ajo ruan kripën e lotëve të tyre,,,. Mësojuni bijve tuaj atë që ne u kemi mësuar bijve tanë, që toka është nëna jonë. Që gjithë ç’do t’i ndodhë tokës, do t’u ndodhë edhe bijve të tokës. Nëse njerëzit pështyjnë mbi tokën, pështyjnë mbi veten e tyre.

Ndonëse indianët janë trajtuar si njerëz të egër, nga kjo letër e shkruar afër 200 vite më parë, mësohet se ata kanë pasur shumë më shumë dashuri dhe respekt për takon e të parëve të tyre se sa kanë qeveritarët dhe disa deputetë, analistë, ekspert’ dhe akademikë tanë!!!

Kur lexon letrën e shkruar afër dy shekuj më parë, të bëhet sikur kjo letër ju është adresuar qeveritarëve dhe disa akademikëve dhe deputetëve tanë që nuk kanë asnjë grim respekti për tokën por që e pështyjnë në të djathtë e në të majtë!

Në përpjekje për ta arsyetuar veprimin e tyre për t’i fal tokë Malit të Zi, disa tru-peshq na mbajnë ligjërata se Mali i Zi është nga vendet e para që ka njohur Kosovën!!! Athua e dinë këta mjeranë se me ndihmën e kujt Mali i Zi e fitoi pavarësinë nga Serbia vite më parë. Këta të mjerë nuk shohin përtej hundës së tyre e as nuk duan të shohin sepse po të shihnin do të mësonin se ishin votat e qytetarëve shqiptarë që ndihmuan Malin e Zi të ndahet nga Serbia,  sepse aq sa kishte banor që kishin dëshirë që Mali i Zi të ndahej nga Serbia aq kishte edhe që dëshironin të mos ndahej dhe vota shqiptarëve në referendumin e Malit të Zi për pavarësi kishte rëndësi të jashtëzakonshme. Por ja që qeveritarët tanë, disa akademikë, analistë  e deputetp raportet Kosovë-Mali i Zi i shohin vetëm nga momenti i njohjes së vendit tonë nga Mali i Zi dhe kjo bënë sikur ne i paskemi borxh këtij vendi sepse na paska njohur pavarësinë!

  Është dëshpëruese kur kujton procesin e demarkacionit me shtetet fqinje. Gjatë demaskimit me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosova humbi rreth 2 mijë e 500 hektarë, me Malin e Zi mund t’i humb 8 mijë hektar dhe duke u bazuar në këtë logjikë të faljes së territorit nuk duhet shumë imagjinatë për të parashikuar se sa territor do të sakrifikohet gjatë demarkimit me Serbinë!

   Njohësit e demokracisë ka kohë që kanë vënë re se të zgjedhurit e qytetarëve shpesh herë i tjetërsojnë interesat e zgjedhësve të tyre. Duke bërë këtë, ata marrin vendime në interes të tyre personal, klanor apo grupeve të interesit por më parë bindin qytetarët se po e bëjnë për interesin e tyre dhe të shtetit. Kjo është duke ndodhë edhe në Kosovë. Nëse Qeveria dhe ata deputetë, akademikë ekspertë e analistë që janë vënë në shërbim të Qeverisë besojnë se është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj votimi i këtij demarkimi me Malin e Z,i sepse do të na mundësoj të shkojmë si turist nëpër Bashkimin Evropian, le ta vënë këtë çështje në referendum!

  Nuk kanë pse të kenë frikë nga rezultati i referendumit nëse besojnë se vërtetë janë përfaqësues së qytetarëve dhe se me politikat e tyre kanë krijuar mirëqenie aq të mirë ekonomike sa që qytetarët kanë aq shumë lek sa të mund të shëtisin si turist nëpër vendet luksoze Bashkimit Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …