Brickos

Azem Vllasi dhe Sllobodan Millosheviq

Përpjekja për atentat kundër Azem Vllasit, ka vënë në siklet mbetjet ideologjike të së kaluarës titiste

Nuk justifikohet vrasja e Azem Vllasit 36 vjet pas kryengritjes së Marsit e Prillit të vitit 1981. Po  të ishte vrarë asokohe, gjithçka do të kishte qenë ndryshe, por kjo nuk ka ndodhur, sepse protestuesit e asaj kohe, nuk kishin qëllime të tilla, ata kishin kërkesa për liri, barazi e drejtësi, për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në RSFJ dhe për bashkimin  e shqiptarëve me një Republikë, pse jo edhe bashkimin e shqiptarëve me Shqipërisë e asaj dhe të kësaj kohe. Një pjesë e kërkesave të  vitit 1981 janë realizuar me luftën fitimtare të UÇK-së, kuptohet me ndihmën e Aleancës Veriatlantike, në radhë të parë të Amerikës, por jo me ndihmën  e atyre që i kishin shërbyer besnikërisht e me vjet të tëra ish-RSFJ-së.

 Prej vitit 1981 e deri tani, “janë vrarë politikisht dhe moralisht” jo vetëm Azem Vllasi, Ali Shukriu, Sinan Hasani dhe po thuajse tërë kreu i KSAK-së, por janë vrarë edhe ish dhe tani prokurorët, gjyqtarët hetues dhe gjykues, inspektorët e denoncuesit, milicët e policët dhe të gjithë ata që i kanë shërbyer atij regjimi. Vrasja e tillë ka ndodhur dhe kjo është qindra fish më tepër e më shumë,  sesa një atentat në përpjekje.

 Ky rast, pavarësisht se ka apo nuk ka prapavijë politike, ka nxjerrë në sipërfaqe, jo vetëm nostalgjikët e Jugosllavisë, por tërë një klasë shqipfolësish e shqipshkruesish, të cilët këtë përpjekje për atentat që rezultoi me plagosjen e Azem Vllasit e shohin si rast për shtrembërimin edhe më keq të së vërtetës së ndodhur në vitin 1981. Kjo është e patolerueshme, sepse ende nuk janë zbardhur në tërësi rrethanat, as e ka dhënë fjalën gjyqi, as janë zbuluar të gjitha ato që paragjykohen lidhur me atentatin në përpjekje.

Barazimi i Azem Vllasit me Azem Galicën, sikur bën një paralele hipoteke, groteske,  Adriatik Kelmendi, etiketimi i Avni Rrustemit si “terrorist” sikur shkruan Halil Matoshi, janë konstatime fyese e denigruese, të cilat kërkojnë “mejdan”, kuptohet mejdan debatues.

Po ashtu, për hir të së vërtetës, Azem Vllasi asokohe nuk ishte thjesht një komunist komunal i Prishtinës, sikur po paraqitet, por ishte më besniku i regjimit dhe kjo me të drejtë, asokohe e më vonë, ka irrituar shumicën dërmuese jo vetëm të protestuesve, por edhe tërë shqiptarëve liridashës, mirëpo asgjë në këtë drejtim nuk arrihet me vrasjen e Azem Vllasit apo të cilitdo ish zyrtar komunist të Jugosllavisë.

Duke qenë në mesin e të burgosurve politikë, pjesëmarrës në protestat e demonstratat e vitit 1981, i dënuar me burg për propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë, në vitin 1965,  në vitin 1979 dhe në vitin 1983, jam në mesin e atyre që kam shkruar sa e sa herë kundër veprimeve të Azem Vllasit, i cili edhe sot e kësaj dite nuk i ka ndërruar bindjet, sidomos jo ato për protestat e demonstratat e vitit 1981 dhe kjo është e drejta e tij. Nuk e mohoj se këto shkrime dhe të shumë të tjerëve si unë kanë pasur një ndikim të caktuar, por në asnjë prej shkrimeve nuk është kërkuar, as është paragjykuar linçimi i tij fizik, sepse shkrimet kanë pasur dhe kanë karakter të linçimit të tij politik, duke u mbështetur në deklaratat e tij publike, në debatet televizive në intervista e shkrime në medie.

Por të shpalosim anën tjetër të medaljes

Qëndrimi tejet i fortë i Azem Vllasit kundër protestave e demonstratave të vitit 1981, që buron nga vetëdija dhe përcaktimi i tij politik, aprovimi i cilësimit të ngjarjeve si “kundërrevolucion” gishti i tij i orientuar kundër Universitetit të Prishtinës, duke e cilësuar si “Bastion të nacionalizmit shqiptaro-madh”, kërkesa politike, publike, për shkatërrimin e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar, kanë thelluar hendekun mes shqiptarëve në Kosovë e më gjerë. Po nuk duhet harruar se Vllasi ishte zëdhënësi më i zellshëm i asaj që konstruktohej nga klasa më pro jugosllave e Kosovës sikur ishin Ali Shukriu, Sinan Hasani, Xhavit Nimani, Mehmet Maliqi, Kolë Shiroka, deri në një masë edhe Fadil Hoxha e Mahmut Bakalli dhe tërë një klasë shqiptarësh të cilët betoheshin për Jugosllavinë dhe ishin në gjendje të sakrifikonin gjithçka për atë shtet. Faktet i gjeni në faqet e Rilindjes prej vitit 1981 deri në vitin 1991 dhe në tërë shtypin e kohës. Këta asnjëherë nuk i kanë mohuar ato fakte, as kanë kërkuar falje për ato veprime.

Për arrestimet masive të mijëra të rinjve shqiptarë, nga regjimi i kohës, vrasjet e më shumë se 150 shqiptarëve liridashës nga viti 1981 e deri në vitin 1990, dënimi me burg të rëndë i më shumë se 5000 shqiptarëve gjatë asaj periudhe kohore, katandisja e të burgosurve shqiptarë në të gjitha burgjet e Jugosllavisë deri edhe në Goli Otokun famëkeq (i ngjashëm me Gulagun rus), në të shumtën e rasteve izolimi i familjeve të të burgosurve,  keqtrajtimi i tyre pas kthimit nga burgjet, vrasja e çdo perspektive për jetë dhe shumë të liga të tjera, është fajtor Azem Vllasi dhe të gjithë bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e tij, është fajtor regjimi,  të cilin me ndihmën e NATO-s, Aleancës më të madhe ushtarake të botës, e kemi përzënë përgjithmonë nga Kosova.

Me çlirimin e Kosovës nga Serbia, “janë vrarë” politikisht të gjithë ata që i kanë shërbyer regjimeve jugosllave, kanë ikur nga Kosova disa nga  ata që me të drejtë iu kanë frikësuar hakmarrjes, janë diskredituar botërisht të gjithë ata spiunë të njohur e të panjohur që edhe gjatë luftës kanë përkrahur regjimin kriminal të Jugosllavisë. Lufta jonë çlirimtare nuk e kishte në program hakmarrjen fizike pas luftës, edhe pse ndokush mund të ketë pësuar në kushte dhe rrethana jo të sqaruara, nuk kishte në program përmbysjen revolucionare dhe ndjekjen e armikut  e tradhtarëve, edhe për faktin se  nuk kishin qenë pak ata shqiptarë që i kishin shërbyer regjimeve, andaj një luftë e tillë, vëllavrasëse nuk duhej lejuar të ndodhte, as kishte ndodhur.

Por një gjë nuk ka ndodhur dhe do të duhej të kishte ndodhur.

Asnjë politikan në Kosovë, madje as Azem Vllasi as bijtë e bijat e atyre, që kanë vrarë e torturuar bashkëkombës, gjatë viteve të kohës së pushtimit, prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999,  as argatët e djeshëm, mjerisht disa syresh edhe argatë të sotëm, askush nga ajo klasë bashkëpunëtorësh të Serbisë nuk kërkoi falje publike për veprat e tyre të liga, për veprat e baballarëve të tyre, të vëllezërve e të afërmve të tyre.

Asnjë djalë prokurori apo gjykatësi nuk u kërkoi falje familjeve të viktimizuara, asnjë bir UDB-ashi nuk kërkoi falje për dhunën fizike që ka ushtruar babai i tij kundër atyre që hapur kishin kundërshtuar regjimin okupator. Asnjë milic i Jugosllavisë nuk ka kërkuar falje për dhunën e ushtruar kundër bashkëkombësve të tyre. Kosova deri në vitin 1990 kishte më shumë se 12,000 milicë aktivë. Nëpër duart e asaj policie kanë kaluar jo vetëm 12.000 shqiptarë, por qindra e mijëra syresh.

Kjo nuk mund të mohohet me fakte e argumente, as mund të zbehet jo me një atentat në përpjekje por  me asnjë atentat.

Përpjekja, që të gjithë ata ndjekës, vrastarë direkt dhe me porosi,  të paraqiten “patriotë institucionalistë”, ka nxitur dhe nxit zemërimin e të gjithë atyre të kanë kaluar nëpër kalvarin e vuajtjeve të papërshkrueshme. Dhe, ata janë tërë një armatë. Shumica syresh ende gjallë. Ata nuk janë hakmarrës, se po ta kishin pasur në program dhe po të kishin pasur synim hakmarrjen, asnjë nuk do të kishte shpëtuar sidomos në dy tre muajt e pas luftës, në vitin 1999. Nuk po flasim këtu për hakmarrje të mundshme individuale, që edhe mund të kenë ndodhur, sikur pretendohet me të drejtë apo pa të drejtë, por faktet flasin se në Kosovën e pas luftës janë disa raste vrasjesh të pazbuluara, ende të patrajtuara.

Këto fakte askujt nuk i japin të drejtë të bëjë vetëgjyqësi, por përderisa nuk kemi as edhe një rast të vetëm të kërkim-faljes, atëherë vetvetiu kjo nxit zemërim të pakontrolluar të individëve të caktuar, aq më keq kur pikërisht kjo klasa titiste është shtrirë gjerë e gjatë në të gjitha institucionet e vendit.

Gjendja e tillë, flirtet e shumicës  prej tyre, apo bijve e bijave të tyre  me ish kumbarët e “drugarët”  e tyre në Serbi, vizitat që ende i bëhen kufomës së Titos në Dedinje përurimet e veprave  në Beograd, lidhjet gjithnjë e më të mira të disa grupeve dhe individëve që bashkëpunojnë me Serbinë, në kohën kur nuk është zbardhur fati më i më shumë se i 1600 shqiptarëve të zhdukur, gjatë luftës, në kohën kur Serbia jo vetëm që nuk e njeh shtetin e Kosovës, por prore provokon dhe paralajmëron kthimin me ushtri e polici, në kohën kur kërkohet sa më shumë unitet dhe bashkim rreth idesë së fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan, një gjendje e tillë nuk ka si të mos i revoltojë sidomos ato familje që kanë pësuar shumë dhe që kanë mbetur pa më të dashurit e tyre.

Asnjë mendje esëll në Kosovë nuk mendon se mund të zgjidhet problemi shqiptar në Kosovë me atentate dhe jo se jo  me atentate kundër njëri tjetrit.

Por, do të ishte në rregull se para se të pajtohemi me Serbinë, apo para se do të na detyrojnë të pajtohemi me Serbinë, të pajtohemi mes vete dhe të ndahet shapi prej sheqerit, sepse është turp i botës të quhet patriot,  ai që ka hedhur nga kati i ndërtesës së Sekretariatit të UDB-së një maturant shqiptar, ai që ka vrarë në rrethim shqiptarët liridashës në Prishtinë, ai apo ata që vranë mizorisht 10 demonstrues më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, ata të cilët vranë në prita bashkëkombës  të tyre, për interes të Serbisë. Nga ky soj denoncuesish rrjedhin dëshmitarët e mbrojtur e të pambrojtur të Gjykatës së Hagës, të Gjykatës Speciale dhe gjykatave të EULEX-it.

Kjo është e keqja, ky është deformimi i shpirtrave të deformuar e të djallëzuar.

Ahmet Qeriqi

18. 3. 2017

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …