Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Fal luftës çlirimtare të UÇK-së dhe NATO-s Kosova doli nga errësira në dritë…

Ndonëse për armata të shumta të militantëve të ekzaltuar nga fjalimet pompoze e të mbushura me demagogji të liderëve të tyre se me ardhjen e kësaj apo asaj partie në krye të Kosovës po lind një epokë e re, është një tregim i këndshëm ( demagogji e këndshme), gëzimi dhe entuziazmi shuhen sakaq, posa heq dorë nga romantizmi dhe kthehesh në realizëm! Duhet të jesh dogmatist i madh për të mbetur i lumtur e i gëzuar sa s’ka më e për të  ju besuar dokrrave të liderëve të partive politike se vetëm me ardhjen e tyre në pushtet këtu bëhet mirë sepse para se të vijnë ata, këtu është kanë ferr, pa asnjë përparim e zhvillim!!!

Nuk është shqetësues ky vet hiperbolizim i kontributit që kanë dhënë apo që kanë për ta dhënë nëse do jenë në majat e pushtetit por besimi i verbër i armatave të militantëve të tyre si dhe dogmatizmi i tyre se asgjë nuk është bërë më parë në Kosovë, se këtu jeta është kanë ferr dhe s’ka pas asnjë patriot më parë por gjithçka fillon me liderin dhe partinë e tyre!!! Si është e mundur që të mohohet historia mijëra vjeçare e Kosovës dhe kontributi i shumë e shumë gjeneratave para tyre që Kosova është këtu ku është ani pse ka mundur të jetë në një gjendje edhe më të mirë!? Si është e mundur që këta lider vizionar e super inteligjent e harrojnë luftën çlirimtare të sa e sa gjeneratave e që u kurorëzuan me atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të NATO-s që u finalizuan me të arriturën më të madhe të Kosovës gjatë gjithë historisë së saj!?

   A ka ditë më të mirë dhe më të çmuar për një popull se sa ajo e çlirimit dhe pavarësimit të tij!? A ka kontribut më të madh se sa ai për realizimin e kësaj ëndrre mijëra vjeçare!? Po popujt anekënd  botës, cilat ditë kanë më të shenjta në kalendarët e tyre historik!? Ato të çlirimit e pavarësisë apo ditët e fitoreve të partive politike!?

     Ndonëse fal luftës liridashëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-s kemi hyrë në dekadën e tretë që në Kosovë jetohet lirshëm, pa frikën e rrahjes, poshtërimit, dëbimit, vrasjes e masakrimit nga policia dhe ushtria e Serbisë, fal kastave të partive politike, në vendin tonë është duke u formësuar një mendësi mesjetare. Mendësia e principatave, oborrtarëve, bajraqeve dhe nënshtrimit me çdo kusht autoritetit!!!

Fal mendësisë që po zhvillohet mes kastave tona politike, liderëve dhe oborrtarëve të tyre dhe armatave nëpër rrjetet sociale, ne e kuptojmë sot edhe më mirë luftën e pa kompromis në mes të principatave tona dhe kërkimi i ndihmës nga perandori e popuj tjerë për ta nënshtruar tjetrin me çdo kusht pa e vrarë mendjen se nesër do të jemi edhe vet të nënshtruar! Lufta e pa kompromis e partive tona politike, ku disa kujdestarojnë në shpërndarjen e ndonjë postimi të ndonjë burokrati të Bashkimit Evropian ndërsa rivalët e tyre ju bëjnë jehonë ndonjë postimi të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta përkujtojnë luftën e principatës së Topiajve ndaj Balshajve. Topiajt ftojnë Perandorinë Osmane në ndihmë për t’i mundur e dominuar Balshajt të cilët me parë kishin kërkuar ndihmë nga Venediku për t’i sunduar Topiajt. Brenda pak kohe, Perandoria Osmane e shtrinë pushtetin anekënd Arbërisë, deri në ardhjen e kryetrimit të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut që i bashkoi princat shqiptar dhe bashkërish dëbuan Perandorinë Osmane dhe për një çerek shekulli i bënë ballë perandorisë më të fuqishme të kohës, gjatë kohës kur në tri kontinentet po zgjeroheshin kufijtë e saj dhe askush nuk arrinte t’i rezistonte! Mbase kjo është koha e artë dhe më e lavdishme e historisë së kombit tonë duke na e dhënë edhe mësimin më të mirë se vetëm të bashkuar mund të jemi të lirë dhe të vendosim vet për fatin tonë. Por ja që këtë mësim nuk e kanë mësuar liderët e partive tona që krekosen sikur me ta fillon gjithçka në Kosovë! Përderisa kryetrimi ynë thoshte me modesti: Lirinë nuk ua solla unë por atë e gjeta këtu, në mesin tuaj!, këta trimoshat e partive tona hiqen sikur edhe liria, edhe mirëqenia ekonomike, edhe patriotizmi e gjithçka tjetër fillon me ta, me ardhjen e tyre në pushtet sepse para tyre këtu s’ka pas asgjë, as liri, as patriotizëm, as nacionalizëm, as përparim! Mendësi mohuese e të arriturave paraprake dhe krijimin e mendësisë se gjithçka fillon me ardhjen në pushtet të tyre dhe partisë që e drejtojnë. Moho, injoro e shkatërro të arriturat paraprake dhe mandej lufto sërish nga fillimi! Ruaje Zot Kosovën nga farkëtuesit e kësaj mendësia dhe militantët dogmatistë që i pasojnë verbërisht!

   Janë interesante disa mite greke të cilat janë thurur thua se janë bazuar në realitetin e sotëm të shoqërisë sonë. Një ndër ta është miti i Sizifit i cili bën fjalë për një djal, Sizifin, i cili ishte dënuar nga kryeperëndia i mitologjisë greke, Zeuesi. Ai e kishte dënuar Sizifin që ta rrokulliste një guri tejet të madh drejt majës së një kodre prej nga ai sërish rrokullisej poshtë e Sizifi do ta ngjiste sërish lart edhe pse e dinte se posa ta shpije në maje, guri sërish do të bie poshtë dhe ai do të duhej ta bëjë këtë sërish nga fillimi, në pafundësi!!! Pak a shumë, këtë bëjnë kastat tona politike, duke mohuar gjithçka paraprake dhe duke bindur armatat e tyre dogmatiste për ta mohuar e herë herë edhe rrënuar gjithçka paraprake dhe duke i bindur se gjithçka e mbarë fillon me ta! E fatkeqësisht, dënimin që ia bëri kryeperëndia greke, Zeusi djalit të quajtur Sizif mijëra vite më parë, janë disa trimosha tanë qo po duan ta dënojnë jo një djalë por një popull: eja ta shkatërrojmë e t’ia vejmë flaken vendin e mandej ta ndërtojmë ne nga fillimi, mbarë e mirë e duke harruar se kështu po e mbjellin farën e vetshkatrrimit që është armiku më i madh i njeriut, kombit e i njerëzimit!

Nuk do ishte shqetësuese nëse këtë diskurs do ta kishte vetëm një lider por është fatkeqësi që ky diskurs është bërë diçka normale në shoqërinë tonë, te shumica e liderëve dhe ithtarët e militantët e tyre. Dallimi qëndron vetëm te numri i militantëve të tyre që ju bëjnë jehonë anekënd Kosovës fjalimeve të tilla të mbushura vrerë kundër atyre që i konsiderojnë rival politikë apo konkurrent për kulaqin e pushtetit ama jo edhe kur e shohin që pa njëri tjetrin nuk mund të arrijnë te pushteti!!! Sa shumë ndryshojnë kur e shohin se me ndihmën e atyre që dje i kanë sharë e mallkuar, sot mund të arrijnë te alfa dhe omega e jetës së tyre= PUSHTETI! Thuhet se për interesa të tij, djalli është i gatshëm ta citoj Biblën ndërsa politikanët tonë ia tejkalojnë atij sepse janë në gjendje ta përqafojnë e hyjnizojnë djallin nëse mendojnë se me ndihmën e tij mund të arrijnë në pushtet!!!

Pavarësisht fjalimeve demagogjike të tyre, nuk duhet ndonjë analizë e madhe për t’i kuptuar se e vetmja mjeshtri e tyre është se dinë ta ambalazhojnë tej mase mirë luftën për pushtet me luftën për shtet!!! Sa e sa herë i kemi dëgjuar duke akuzuar njëri tjetrin për hajni e vrasje dhe pas fushatës së korrje-shirjeve, n‘përqafimin e njëri-tjetrit!

   Liderëve dhe militantëve të tyre dogmatist, përgjigjen më të mirë ua ka dhënë një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit që lam pas, Karl Poper. Ai në mes tjerash shkruan se “Në qendrën më të thellë të qenies tonë, ne jemi krijesa shoqërore. Mendimi se dikush mund të fillojë diçka nga e para, i lirë nga e kaluara, ose pa qenë borxhli ndaj askujt, nuk mund të ketë imagjinim më të gabueshëm”. Athua si do të reagonin turmat dogmatistë kundër këtij mendimtari!? Po të jetonin në kohën e mesjetës sigurt do ta gurëzonin ndërsa sot me ekuivalentin e gurëzimit- shkrime denigruese ama që janë ushqimi më i preferuar për ithtarët e tyre dhe armatat dogmatistë që kujdestarojnë nëpër rrjete sociale!

  Një nga njohësit më të mirë të demokracisë, studiuesi Xhovani Sartori, në librin e tij “ Çështë demokracia” në mes tjerash shkruan se nëse njeriu për një kohë të gjatë jeton në një mjedis ku nuk guxon ta shfaq mendimin e tij nga reagimi dhe ndëshkimi, ai pas një kohë as nuk do të mendon për gjërat që s’guxon t’i shfaq, publikon.

E a na duhet ne një shoqëri në të cilën njeriu mund të mendon ndryshe nga eprori apo shefi ama nuk guxon në asnjë mënyrë ta shfaqë sepse do ndëshkohet!? Apo mbase ata që na mbajnë ligjërata për mendimin e lirë kanë një koncept tejet të varfër për këtë çështje sepse kjo për botëkuptimi e tyre të varfër nënkupton se njeriu ka të drejt vetëm të ketë mendim të lirë ama jo edhe që ta shfaq publikisht!?  Mbase është mirë të na tregojnë se çka mendojnë ata saktësisht kur deklarohen si ithtar të një shoqërie ku do të respektohet mendimi i lirë!? A do të respektohet vetëm liria për të menduar apo edhe liria e shfaqjes, publikimit të mendimit të lirë!? Sa për lirinë e parë, askush s’ka nevojë se fundja e fundit as që mundemi ta dimë se çka mendon   t  j e t r i!

Është interesant edhe koncepti i  t j e t r i t i t  i trajtuar mjeshtërisht nga një prej filozofëve më të mirë francez të shekullit që lam pas, Zhan Pol Sartërit. Ai ndante mendimi se për njeriun, ferri janë të tjerët e fatkeqësisht kjo mendësi po instalohet në vendin tonë. Fal mendësisë së disa liderëve politik dhe fetar që besojnë se vetëm pasuesit e tyre meritojnë parajsën, të tjerët meritojnë ferrin sepse të gjitha të ligat na vijnë nga të tjerët prandaj këta meritojnë ferrin. Është shqetësuese se hapi i parë është bërë, ka filluar të krijohet hendeku NE dhe ATA, ku ne- nënkupto të mirët, engjëjt, patriotët, ndërtuesit e të gjitha epitetet tjera pozitive ndërsa ATA nënkupton të këqinjt, djajt, tradhtarët, rrënuesit, e të gjitha etiketimet tjera negative. Të mos harrojmë se eliminimit fizik gjithmonë i paraprijnë mohimi ideor, mohimi i autenticitetit të tjetrit. Pasi ai nuk është si NE ai është kundër nesh dhe është burim rreziku për mirëqenien tonë. Të mos harrojmë për asnjë moment se është fjala që i paraprinë veprimit. A nuk na e mëson edhe Bibla këtë në të cilën thuhet: Dhe e para ishte fjala. A nuk na e mësonte këtë 20 shekuj më vonë, një ndër filozofët më të mirë të filozofisë analitike, Ludvig Vitgejnshtajni kur thoshte se gjuha përveç që mundet ta pasqyroj realitetin, ajo mundet edhe të krijoj realitete tjera.

E gjuha e disa prijësve politik dhe fetar po e pasqyron mendësinë e tyre përjashtuese e linçuese ndaj të tjerëve që mendojnë ndryshe ama uroj që të mos bëhet hapi tjerët i radhës- që kjo gjuhë e urrejtjes edhe të krijoj realitet të reja, sikur ka shkëndija të prirjes për të krijuar realitete tjera, me NE xhenetlinjt e patriotët që duhet të sundojmë dhe TË TJERËT që duhet ulur kurrizin sepse përndryshe i dërgojmë aty ku e meritojnë- në ferr!!!

Mbase të tillëve më së miri do të ishte të ju kundërvihemi me fushatën # Me Kosovën dhe # me Shqipërinë dhe PËR realizimin e ëndrrës së dëshmorëve dhe heronjve të saj e jo me atë apo këtë, e as me ata apo këta që po na i kontaminojnë mediet e rrjetet sociale e nëpërmjet tyre po na e kontaminojnë edhe mendësinë e kultivuar shekuj me radhë se ndryshimet i japin kolorite botës, e bëjnë më të këndshme dhe më të begatshme për të jetuar. Fundja e fundit a nuk e kemi lexuar në Kuran fjalinë: Ne ju ndanë në fise e popuj që ta njihni më mirë njeri tjetrin!? A nuk porosiste shekuj me parë profeti Muhamed: I bardhi nuk ka epërsi ndaj të ziut, as arabi ndaj joarabit,… A nuk e shpërfaqte ëndrrën e tij dekada më parë humanisti, Martin Luter King kur me shumë pasion na thoshte: Unë kamë një ëndërr që do të vijë një ditë kur njeriu do të vlerësohet nga karakteri i tij e jo nga ngjyra,…

Fatkeqësisht, për këto fjalime mbresëlënëse më së shumti kanë nevojë disa prijës partish dhe fetar pasi për ta njeriun e bënë të vlefshëm përkatësia partiake e fetare e jo veprat e tij!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …