leoni

Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Strukja e humanizmit

Ku ishte strukur keqardhja e dhimbja e madhe e këtyre ditëve kur po bëheshin masakra në Çeçeni, Siri, Burma ( Mianmar),…

   Sa gëzohet njeriu kur anekënd botës sheh popuj me përkatësi të ndryshme racore, fetare e kombëtare, duke shfaqur dhembshuri e protestë kundër dhunës e vrasjeve në Ukrainë. Nuk ka se si të mos i gëzohet njeriu reagimeve të tilla që manifestojnë mirësi e njerëzi ama gëzimi shuhet sakaq posa të kujtohen manifestimet edhe më të mëdha të dhunës brutale anekënd botës dhe reagimet e plogështa ndaj tyre, nga të gjithë!

   Kur kujton solidarizimin e popujve dhe qeverive anekënd botës me popullin ukrainas që po përballet me një agresion brutal të Kremlinit dhe reagimin e plogësht të po këtyre popujve  e qeverive anekënd botës ndaj barbarive shumëvjeçare në Çeçeni, Burma, Siri,… e vende tjera, nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja: Po çeçenet, sirianët, rohingasit,… a ishin njerëz. A e ndanin edhe ata të njëjtin qiell me ne!?, a ishin edhe ata njerëz si ne!? A dëshironin edhe ata të jetonin të lirë dhe të vendosnin vet për mënyrën e tyre të jetesës, besimit e të qeverisjes!? Ku ishte strukur atëherë ky humanizmi i sotëm i botës kur ndaj pjesëtarëve të këtyre popujve po ushtrohej dhunë tipike barbare, vrasje nga afërsia, dhunime e masakrime sistematike, për vite me radhë, dëbime e spastrime etnike por as edhe njëherë nuk ka pasur kaq reagime sikur po shohim gjatë këtyre ditëve ndaj agresionit rus kundër Ukrainës!!! A mund të themi: epo bota, njerëzimi është emancipuar tash, nuk është ajo e kohës kur Rusia e Putinit vite me radhë vriste, dëbonte e masakronte çeçen dhe bombardonte Groznin e qytete tjera në Çeçeni derisa i shndërronte në gërmadha, e as ajo bota ku Asadi i ndihmuar nga Rusia digjte flakë qytetet anekënd vendit të tij, me gra e fëmijë, e as ajo bota kur Kina dhunonte, dëbonte e vriste komunitetin rohinga në Birmani. Nuk jemi as në botën kur uria dhe mungesa e ujit të pijshëm bën kërdi në Etiopi! Dhe kur kujton këto, për një grimë kohë sikur ndjen qetësi por ajo shuhet posa kujton se të gjitha këto kanë ndodhë në shekullin 21!!!

   Dhe kur kujton të gjitha këto, nuk ka se të mos vije një pyetje që të drithëron:

   Protesta dhe keqardhja e sotme për ato që po ndodhin në Ukrainë buron nga ndërgjegjja dhe brendia jonë apo është imitim i të tjerëve rreth nesh – përpjekje për të ju përngjasuar të tjerëve që po duartrokiten!?

  Se cili ka qenë brutaliteti dhe dhuna barbare e Rusisë në Çeçeni, më së miri na e dëfton gazetarja dhe humanistja ruse, Anna Politkovskaia në librin e saj “ÇEÇENIA – Turpi Rusisë”. Në këtë libër ajo mes shumë historive na dëfton edhe këtë të Aishes. Ajo ishte viktime e një bastisje të pjesëtarëve të njësive speciale të forcave ruse të cilët, veç tjerash po kërkonin edhe alkool. Pasi Aisha ju tregon se janë mysliman dhe feja e islame e ndalon konsumimin e alkoolit, ata shtijnë me armë zjarri nga afërsia në trupin e Ajshes. Por jo me plumba të rëndomtë por me plumba të tillë që bëjnë trajektore zigzage nëpër trupin e njeriut duke i shkaktuar plagë kryq e tërthor. Gazetarja dhe humanistja ruse, Anna Politkovskaia në këtë libër na sjell histori edhe më drithëruese. Ajo na tregon edhe për raste kur pjesëtar të njësive speciale ruse, me pretekst të bastisjeve për armë, hynin nëpër shtëpi të ndryshme dhe dhunonin vajza të reja në prani të nënave të tyre si dhe nëna të reja në prani të fëmijëve të tyre!!! Barbari e shkuar barbarisë. Por as edhe njëherë nuk kemi pasur protesta ndaj kësaj dhune brutale të Rusisë të ushtruar vite me radhë anekënd Çeçenisë për vite me radhë. Anna Politkovskaia nuk u ndal as edhe njëherë të vetme të shkruaj e ta afirmoj para botës të vërtetën që po ngjante në Çeçeni, as edhe kur e kërcënuan me vdekje, as kur e helmuan por vazhdoi të shkruaj, protestoi dhe dokumentoi vrasjet e dhunën barbare, derisa e vranë!!! Po sikur të vepronim të gjithë sikur Anna, a do të ishte bota kështu sikur është sot!? Nuk e besoj. Por ja që zëri protestues i Annës haste në vesh të shurdhër dhe dhimbja e saj për njeriun, pavarësisht fesë, kombit apo racës së tij, nuk depërtonte në mendjet dhe zemrat tona e as nuk zinte vendin e merituar në mediet tona!!!

  Por ne jemi të vegjël ta mësojmë botën se si, e kur duhet të reagoj por para se të reagojmë për ngjarjet anekënd botës, a kemi reaguar kur ligësi janë bërë edhe në mesin tonë, nga njerëz puthador nga mesi ynë!?

Shembulli i reagimit të Elena Kovalskaya (drejtore e Teatrit Shtetëror në Moskë) ndaj invadimit të Rusisë mbi Ukrainë, na e dëshmon këtë më së miri. Posa kishte filluar ushtria ruse të depërtoj brenda kufijve të Ukrainës për ta pushtuar atë, humanistja, Elena Kovalskaya jep dorëheqje nga pozita e drejtores së Teatrit Shtetëror në Moskë dhe publikisht deklaron: Nuk punoj për një vrasës ( Putinin vër.jonë)! Elena nuk mjaftohet me kaq por shkruan më tutje: Është e pamundur të punosh për një vrasës e të paguhesh prej tij. Në shenjë proteste kundër pushtimit rus të Ukrainës, po jap dorëheqje. Ju bëjë thirrje të gjithë rusëve që të protestojnë e ta kundërshtojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe të mos heshtim” ka shkruar në adresën e saj elektronike, drejtorja e Teatrit Shtetëror në Moskë, Elena Kovalskaya. Ajo gjithashtru kishte njoftuar komunitetin artdashës se projektet e Teatrit Shtetërore në Moskë nuk do i len në gjysmë por do të punoj vullnetarisht, për realizimin e tyre, pa pagesë.

    Po sahan lëpirësit tonë, e struc politikanët tonë, si reaguan gjatë demonstratave popullore të vitit 1981 kur makineria vrastare jugosllave u sul drejt Kosovës për të shtypur me vrasje e dhunë demonstratat liridashëse!?

   Keni dëgjuar për ndonjë politikan të asaj kohe të ketë dhënë dorëheqje pas urdhrit për t’i shuar me zjarr e hekur demonstratat popullore!?

   Keni dëgjuar të ketë dhënë dorëheqje ndonjë gjykatës a prokuror kur mijëra të rinj e të reja, burra e gra, u dënuam me rreth 25 mijë vite burg dhe u degdisën anekënd burgjeve të Jugosllavisë?

  Keni dëgjuar për këto 22 vite liri, ndonjë ish UDB-ash, prokuror apo gjykatës të ketë kërkuar falje për torturat  apo ndëshkimet që ua kanë bërë shqiptarëve liridashës!?

  Asnjë!?

   Me gjithë këtë mungesë kërkim falje njerëzve të gjakut e gjuhës sonë, ne vazhdojmë të vuajmë për të tjerët dhe mirë që vuajmë ama si shpjegohet që protestojmë kundër invadimit të ushtrisë ruse në Ukrainë por kurrë nuk i kemi dëgjuar të shfaqin keqardhje epo kërkim falje që familjar të tyre i kanë shërbyer një ushtria që bënte krime më mizore në Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë!!!

   Dhe për fund, mirë edhe që kemi njerëz, politikan e pushtetar që admirojnë presidentin, Volodimir Zelenskin që lufton kundër invadimit të ushtrisë ruse në atdheun e tij – Ukrainë ama kanë ndje ndonjëherë keqardhje apo do të kërkojnë falje për shkrimet:  Shko ( në Hagë vër.jonë ) Hashim!?

Kontrolloni gjithashtu

KMDLNJ

KMDLNj; Aktiviteti i shtuar i Gjykatës Speciale po ndërmerret para zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë

Sipas KMDLNj-së, fallangat e Gjykatës Speciale në mëngjesin e së të enjtes, deri në këto …