Fazli Murat Fetahu (19.9.1971 - 16.4.1999)

Fazli Murat Fetahu (19.9.1971 – 16.4.1999)

Në një familje me gjendje të rëndë ekonomike në Besianë, u lind dëshmori i ardhshëm i kombit, Fazli Fetahu. Babai i Fazliut, Murati, në vitin 1994 u keqtrajtua rëndë në stacionin policor në Besianë nga polici famkeq serb, Grujiq.
Fazli Fetahu u lind më 19 shtator 1971 në Besianë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Besianë. Si nxënës i shkollës së mesme ai mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat e organizuara në Besianë kundër regjimit jugosllav, në vitin 1988 – 1989. Për pjesëmarrje në këto demonstrata në vitin 1988 e larguan nga shkolla dhe në vitin 1989 u arrestua nga policët “Elezi, Ajvazi, Izeti, Fehmiu” e të tjerë, të cilët edhe e keqtrajtuan në mënyrë mizore bashkë me shokun e tij të idealit, Sami Rama, i cili kohë më vonë ka vdekur si pasojë e torturave mizore. Edhe Fazliu, nga burgu qe liruar në gjendje tejet të rëndë fizike. Pas lirimit nga burgu policët e kërkonin kohë pas kohe në shtëpinë e tij, derisa ai u detyrua të largohej nga shtëpia. Më 2 nëntor të vitit 1989, ai u largua nga shtëpia dhe shkoi në Zarë të Kroacisë. As atje nuk mundi të qëndrojë gjatë, sepse qe përcaktuar për rrugën e lirisë dhe donte të jepte kontributin e tij në këtë drejtim e nga atje ai nuk mund të kontribuonte.
Në vitin 1990 u kthye në Besianë, ndërsa në dhjetor të atij viti i erdhi ftesa për shërbimin në ushtrinë jugosllave. Pas disa muaj qëndrimi atje filloi lufta serbo-kroate. Fazliu e braktis ushtrinë jugosllave dhe i bashkohet ushtrisë kroate. Asokohe ishte në të njëjtin njësit me Bekim Berishën-Abenë, CD-në dhe me shumë të rinj të tjerë nga Kosova, të cilët tashmë ishin bërë pjesë e ushtrisë kroate dhe luftonin kundër armikut të tyre dhe okupatorit shekullor të Kosovës.
Pas kthimit nga Kroacia, për të siguruar ekzistencën u detyrua të punojë punë të rënda në ndërtimtari, por për asnjë çast mendjen nuk e largoi nga rruga e lirisë dhe mezi priste që edhe në Kosovë të fillonte lufta kundër okupatorit serb.
Me fillimin e përgatitjeve për luftë ai u angazhua në stërvitjet ushtarake, ndonëse kishte një përvojë të mirë në këtë drejtim nga lufta në Kroaci. Fillimisht si ushtar i UÇK-së u radhit në pikën në fshatin Kastrat, ish-Obrançë, ku komandonte Refik Jashari-Kika, në njësitin “Ulpiana-36” të Brigadës 152 “Shaban Shala”.
Në të gjitha betejat që u zhvilluan në fshatrat përreth, ku ishte ai, si në Llapashticë, Kastrat, Bradash e të tjera, ai ishte çdo herë në vijën e frontit në këto beteja dhe dallohej në luftimet kundër ushtrisë, policisë dhe njësiteve paramilitare serbe. Këtu qëndron deri në fillim të prillit të vitit 1999, kur vetë i dhjeti kalon në anën tjetër të Llapit, në fshatin Surdull. Kishte shkuar si përforcim në ato anë për të mbrojtur popullatën e strehuar nëpër fshatrat e kësaj treve.
Forcat serbe gjatë muajit prill 1999 kishin shpeshtuar sulmet e tyre kundër këtyre fshatrave, me qëllim për të depërtuar edhe në këtë pjesë të Llapit. Në fshatin Surdull u zhvilluan shumë beteja, në të cilat pjesëtarët e UÇK-së qëndronin të pathyeshëm, kurse popullata mbrohej nga bijtë e saj. Njëra nga betejat më të ashpra që u zhvillua në këtë fshat ishte ajo e 16 prillit 1999, kur forcat serbe me një numër të madh ushtarësh dhe me mjete të blinduara kishin mësyrë pozicionet ku qëndronin të pathyeshëm pjesëtarët e UÇK-së, të cilët për të mbrojtur popullatën kishin kaluar nga ana tjetër vullnetarisht. Në mesin e tyre ishin edhe Fazli Fetahu dhe Mirsad Gashi. Ata për asnjë çast nuk pranuan të tërhiqen nga vendi ku ishin pozicionuar për ta luftuar shkaun. Dhe kështu vepruan derisa ranë në altarin e lirisë. Ata ranë në Surdull, ku u zhvillua luftë e ashpër, në të cilën qenë plagosur edhe dy bashkëluftëtarë të tjerë të tyre. Edhe shokët e tyre sot kujtojnë heroizmin e këtyre trimave të lirisë, të cilët ranë ballë për ballë me armikun, në një distancë shumë të vogël, duke mos iu trembur syri nga forcat serbe dhe makineria e tyre ushtarake. Ranë heroikisht dhe trimërisht pasi e shpaguajnë veten dhjetëra herë, ranë në tokën e Kosovës për të mos vdekur kurrë.
Bashkëluftëtarët e Fazliut, Ismet Hyseni, Shahin Fazliu, Naim Zeqiri, Shefqet Berisha, tregojnë se me urdhrin e komandantit të Brigadës 152 “Shaban Shala”, Arif Muçolli-Profa, u formua toga vullnetare “Kështjella 36 A”, si përforcim i fshatit Surdull, në mbrojtje të popullatës, pasi një pjesë e madhe e saj ishte përqendruar në ato pjesë, dhe ku forcat paramilitare çetnike serbe, kishin filluar një koncentrim të madh të tyre në këto anë .
Në përbërjen e këtij togu ishin Shefqet Berisha, komandues togës, Ismet Hyseni, zëvendëskomandant dhe komandant i Skuadrës së Parë, Naim Zeqiri, komandant i Skuadrës së Dytë, Afrim Mulolli, Fazli Fetahu, Mirsad Gashi, Musa Munishi, Shahin Fazliu, Skënder Nesushta, Blerim Behrami dhe Sani Avdiu. Në rrugëtimin që ka filluar nga fshati Kastrat-Bardhash, duke vazhduar për në Potok-Majas, furnizohen me armatim shtesë për frontin e luftës që i pret në Surdull. Duke kaluar në fshatin Barilevë, përleshen me ushtrinë serbe. Rruga vazhdon për në fshatrat: Rimanishtë, Koliq, Kalticë për të arritur në fshatin Surdull.
Me të arritur në Surdull, ata marrin detyra të caktuara ushtarake për hapjen e istikameve, ndërsa forcat okupatore ishin diku 300-400 metra më larg në vijë ajrore. Të nesërmen, vëzhguesit që në orët e hershme vërejnë vëzhguesit serbë duke u ofruar e pas tyre edhe forcat serbe, të cilat përgatiteshin për sulme.
Në mëngjesin e 16 prillit 1999, dëshmori Fazli Fetahu zën pozicionin e luftimit në vijën e frontit përballë forcave serbe, në betejën që pritej të zhvillohej atë ditë. Në këtë betejë të ashpër, pjesëtarët e UÇK-së për orë të tëra qëndruan të pathyeshëm, kurse luftëtari i lirisë, Fazli Fetahu ra heroikisht bashkë me Mirsad Gashin nga fshati Buzëllap. Në vendin e rënjes është ngritur lapidari që ruan kujtimin për këta dy dëshmorë. Trupi i dëshmorit Fazli Fetahu është gjetur pas mbarimit të luftës në ato pjesë ku është zhvilluar beteja dhe më 25 qershor 1999 është varrosur me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Besianës.
Dëshmori Fazliu Fetahu ishte i martuar me Meritë Shalën nga Letanci, e cila sot, me përkushtim rrit frytin e dashurisë së tyre, Endritin, që në kohën e rënies së të atit kishte vetëm 20 muaj.
Edhe i vëllai i dëshmorit, Vedati, është invalid i luftës së UÇK-së, po ashtu luftëtar i radhëve të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.
Familjes së dëshmorit Fazli Murat Fetahu i ka dhënë Mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, si dhe Komanda e Zonës Operative të Llapit. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …