Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ngritur alarmin për gjendjen e sektorit energjetik në vend, duke e cilësuar atë si të rënduar dhe në situatë të jashtëzakonshme. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike, Shala theksoi se kjo seancë është thirrur nga Grupi Parlamentar i PDK-së për të adresuar, sipas tij, dështimet në menaxhimin e këtij sektori jetik. Ai deklaroi se analizat e bëra nga PDK, të mbështetura edhe në raporte zyrtare, tregojnë për një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës energjetike në vend. “Ne si Grup Parlamentar kemi ndjekur në vazhdimësi zhvillimet në sektorin e energjisë, mënyrën e menaxhimit dhe nivelin e investimeve. Nga të gjitha këto, kemi ardhur në përfundim se qytetarët po paguajnë një taksë jomeritore”, u shpreh Shala. Sipas tij, kjo situatë nuk është vetëm vlerësim i opozitës, por përfaqëson një shqetësim më të gjerë që ndahet edhe nga shoqëria civile. Shala shtoi se sektori energjetik në Kosovë ndodhet në një gjendje të rënduar në çdo dimension, duke nënvizuar nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe politika më të përgjegjshme për të shmangur përkeqësime të mëtejshme që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
