Ferdin Liçaj: Libri Çarçanët e Fushëbardhës

Ferdin Liçaj: Libri Çarçanët e Fushëbardhës

Një libër për familjen, një baladë historike për pemën e prejardhjes fisnore, një rrëfenjë e ëmbël për vendlindjen: kështu do ta quaj pa u ndalur sadopak për të formuluar një frazë “më të goditur” testamentin e zemrës së kolegut, shokut dhe mikut tim të vjetër.

Pasi e lexova me një kërshëri të pandalshme, pata ndjesinë e përjetimeve të një romance të largët mbushur me histori dhe ngjarje që rridhnin si ujët e kthjellët të një gurre që zbret nga mali duke shkumëzuar përjetësisht nëpër gurët e bardhë. “ Lum ata që do lexojnë këtë libër”- mendova – dhe një mall i natyrshëm më pështolli të tërin, për gjithçka që kam përjetuar dhe ruajtur në zemër, për njerëzit që më rritën e më edukuan në truallin e të parëve, në vendlindjen time.

Në rininë e largët, kur në shkollë mësonim me zell vjershat e rilindësve tanë të ndritur, fjalën MËMËDHE e mësuam në vargjet e poetit dhe atdhetarit të njohur A. Z. Çajupi ashtu siç gjetëm edhe fjalën ATDHE në vjershat e Naim Frashërit, Vaso Pashës, Ndre Mjedës etj.

Dikush mund të pyesë: Po çe shtyu Parimin ti hyjë një pune sa delikate aq dhe të vështirë? Cilat kanë qenë muzat magjiplote që e ngujuan këte bir plangprishës të Fushëbardhës dhe i kërkuan blatimin e shpirtit për paraardhësit e rrjedhës fisnore, për familjen prindërore, për ata që njohu dhe e njohën gjatë fëminisë dhe rinisë së herëshme, për ëndërrat e thurura e të ngurosura përjetësisht në panteonin e padukshëm të zemrës, për rrënjët e të parëve që shtrihen thellë në historinë shekullore të trevës së jugut, dhe për gjithçka që ky shpirt delikat pa dhe dëgjoi në truallin amëtar ku lindi e u rrit me të gjithë hiret e paraardhësve të tij.

Përgjigjen e këtij “misteri” po e jap nëpërmjet vargjeve të një elegjie kushtuar Lopësit, vendlindjes sime të dashur, prejardhjes sime fisnore:

Vendlindje e dashur, Mëmëdhé i bekuar,

Tek Ty hedh shikimin kur jam i vetmuar,

Kur vorbull e jetës më lë pak hapësirë,

Vij të të puth dorën si fëmijë i mirë,

 Aty kam rrënjët futur thellë në dhét,

 Aty unë rrënjë do bëhem dhe vet.

Të paktë janë ata që e kanë shndërruar në laitmotiv të jetës mbushjen e shpirtit të tyre me një dashuri të madhe si kjo që dhurohet nëpërmjet faqeve të këtij libri nga një shok fëminie, nga një mik i jetës, nga një i afërm i gjakut, nga një vëlla dhe bir i shquar i një fisi të madh e me histori siç është ai i Çarçanëve të Fushbardhës.

E falënderoj nga zemra që më dha mundësinë për të shprehur në këta pak rrjeshta vlerësimin tim të sinqertë për personalitetin e tij i cili, gjatë tri dekadave të marrdhënieve miqësore që kemi mbajtur ndërmjet nesh, ka reflektuar plotërinë e një njeriu të edukuar e të talentuar i cili asnjëherë nuk e ka vrarë fjalën mes njerëzish por ka ecur përpara me durim, pjekuri, vullnet dhe përkushtim të vazhdueshëm duke lënë gjurmë mbreslënëse në çdo etapë të jetës së tij.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …