Në Ferizaj u mbajt takimi i dytë me akterët relevantë institucionalë dhe shoqërorë, në kuadër të procesit të hartimit të Planit të Veprimit për Shërbime Sociale dhe Familjare për Komunën e Ferizajt.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Albion Sherifi, shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili vlerësoi lart këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e hartimit të një plani të mirëfilltë që adreson nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në avancimin e shërbimeve sociale dhe familjare në nivel lokal.
Takimi shërbeu si vazhdim i procesit të diskutimeve dhe planifikimit të përbashkët, me qëllim të identifikimit të prioriteteve dhe përcaktimit të masave konkrete për përmirësimin e shërbimeve sociale, me fokus të veçantë në mirëqenien, mbrojtjen dhe përkrahjen e qytetarëve.
Gjatë diskutimeve u trajtuan disa fusha prioritare, përfshirë zhvillimin dhe mbështetjen e fëmijërisë së hershme, shërbimet për personat me aftësi të kufizuara, parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, mbështetjen për personat e moshuar, si dhe nevojat e grupeve të tjera në situata të cenueshme.
Pjesëmarrësit kontribuuan me komente, sugjerime dhe rekomandime të rëndësishme, të cilat synojnë të ndihmojnë në identifikimin e nevojave reale të qytetarëve dhe në përcaktimin e masave e aktiviteteve konkrete për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme.
Takimi u zhvillua në frymë konstruktive bashkëpunimi, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe akterëve relevantë për adresimin më efektiv të sfidave sociale dhe fuqizimin e mekanizmave të mbrojtjes e mbështetjes për individët dhe familjet në nevojë.
Hartimi i Planit të Veprimit për Shërbime Sociale dhe Familjare përbën një hap të rëndësishëm drejt planifikimit të qëndrueshëm të politikave sociale në Komunën e Ferizajt. Përmes këtij procesi synohet të përcaktohen qartë prioritetet, masat dhe aktivitetet që do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Komuna e Ferizajt mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve sociale dhe familjare përmes planifikimit të bazuar në nevoja, bashkëpunimit me akterët relevantë dhe zhvillimit të zgjidhjeve konkrete, me vëmendje të veçantë ndaj kategorive më të cenueshme të shoqërisë.
Kjo punëtori u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, duke kontribuar në avancimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e iniciativave që synojnë fuqizimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve në interes të qytetarëve.