Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur dy çështje në dhe pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit: agjendën e Qeverisë për procedimin e 65 ligjeve brenda më pak se tre muajsh dhe rolin institucional të Kuvendit lidhur me strategjinë për mbrojtjen e të zhvendosurve në Hagë. Tahiri ka vënë në pikëpyetje nëse kjo agjendë u përgjigjet nevojave të qytetarëve apo është thjesht një listë e gjatë ligjesh, pa prioritete të qarta dhe pa drejtim strategjik. “Ligjet nuk maten me numër, por me cilësi, ndikim dhe rezultate konkrete. Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë ligje, por për ligje të mira që zgjidhin problemet e qytetarëve”, ka theksuar ai. Po ashtu, Tahiri ka kërkuar që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij institucional edhe në raport me strategjinë për mbrojtjen e të zhvendosurve në Hagë. “Qeverisja nuk është statistikë. Është përgjegjësi, vizion dhe rezultate”, ka deklaruar Besnik Tahiri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
