Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me partnerë strategjikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Kroacia, kanë përmbyllur ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”. Në ushtrim morën pjesë edhe institucione të tjera të sigurisë në Kosovë. Sipas njoftimit, ushtrimi kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve operacionale në fushën e luftës jokonvencionale dhe testimin e aftësive profesionale e specialistike të forcave pjesëmarrëse. Një tjetër synim ishte forcimi i ndërveprueshmërisë mes njësive, në mënyrë që ato të mund të bashkëpunojnë dhe të koordinohen më mirë gjatë operacioneve të përbashkëta. Gjatë aktivitetit u punua edhe në harmonizimin e procedurave dhe standardeve të Operacioneve Speciale mes partnerëve. FSK-ja e vlerësoi ushtrimin si dëshmi të progresit të vazhdueshëm të Operacioneve Speciale dhe të rëndësisë së partneritetit me SHBA-në, si dhe të bashkëpunimit me partnerët vendorë e ndërkombëtarë. Sipas FSK-së, “VALOR SHIELD 2026” përbën një hap drejt konsolidimit të një force profesionale dhe të ndërveprueshme, të gatshme të përmbushë misionin e saj në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
