Mbi 1.1 milion lidhje në Wi-Fi falas në Kosovë, projekti shtrihet në 33 komuna

Mbi 1.1 milion lidhje në internet janë regjistruar përmes rrjetit publik falas WiFi4WB në Kosovë, ndërsa projekti ka përfunduar shtrirjen në 33 komuna, në gjithsej 43 lokacione.

Përfundimi i shtrirjes së projektit u shënua në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Prishtinës, ku u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Prishtinës dhe GIZ-it gjerman.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi se numri i lidhjeve të regjistruara dëshmon nevojën e qytetarëve për qasje falas në internet.

“Sot, nga Prishtina, shënojmë përfundimin e shtrirjes së projektit WiFi4WB (Western Balkan) në të gjithë Kosovën, duke mundësuar internet falas në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Në pikat WiFi4WB në Kosovë janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Vetëm këtu, në Bibliotekën Kombëtare, janë regjistruar më shumë se 14 mijë hyrje brenda vetëm pak javësh. Këto shifra dëshmojnë nevojën. Ato tregojnë se sa shumë shfrytëzohet një mundësi kur ajo u vihet në dispozicion qytetarëve”, tha Rama.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, e cilësoi projektin si rezultat konkret të bashkëpunimit për zgjerimin e qasjes digjitale.

“Ky është një rezultat konkret, të cilin qytetarët mund ta përjetojnë drejtpërdrejt, duke pasur mundësi të lidhen falas me internetin në hapësirat publike në 33 komuna të vendit. Deri më tani, në këto pika të qasjes në internet në të gjithë Kosovën janë regjistruar më shumë se 1.1 milion hyrje në rrjet. Ky është një numër mbresëlënës, që dëshmon si kërkesën e madhe, ashtu edhe vlerën praktike të kësaj nisme. Kjo na kujton gjithashtu se transformimi digjital i Evropës nuk është diçka abstrakte”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Daniel Alker, theksoi se përveç instalimit të infrastrukturës, rëndësi të veçantë ka edhe mirëmbajtja e saj, në mënyrë që shërbimi të vazhdojë të funksionojë në afat të gjatë.

“Ky projekt është një shembull i mirë i asaj që mund të arrihet kur mbështetja evropiane dhe gjermane kombinohet me partneritet të fortë lokal në Kosovë. Kur flasim për Wi-Fi publik, ajo që shihet është shumë e thjeshtë: një pikë qasjeje dhe një lidhje interneti. Por, pas këtij rezultati të thjeshtë, qëndron një proces dukshëm më kompleks. Megjithatë, instalimi i infrastrukturës është vetëm një pjesë e procesit. Po aq e rëndësishme është të sigurohet që ajo të vazhdojë t’u shërbejë komuniteteve në afat të gjatë dhe që, së bashku, të arrijmë të ndërtojmë infrastrukturë të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve. Mendoj se kjo është një pikë të cilën dëshiroj ta theksoj veçanërisht: qëndrueshmëria. Siç kemi dëgjuar, Bashkimi Evropian ka siguruar financimin fillestar për 18 muaj të projektit, por, natyrisht, ne dëshirojmë që kjo infrastrukturë të vazhdojë të shfrytëzohet dhe të mirëmbahet”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

NJOFTIM – Bllokohet përkohësisht rruga Drenoc – Bubavec

Komuna e Malishevës njofton të gjithë qytetarët se, për shkak të punimeve në asfaltim, gjatë …