Fetnete Ramosaj: Në dy-vjetorin e demonstratës së përgjakshme të 10 shkurtit dhe rënies së dëshmorëve Arben Xheladini e Mon Balaj

 


Dy vjet më parë, pikërisht më 10 shkurt, në qendër të Prishtinës, ndodhi ajo që mbase asnjëri prej nesh nuk e ka besuar se mund të ndodhte në një vend të lirë e demokratik. Demonstratën paqësore të organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, të cilës iu bashkëngjitën rreth 20 mijë qytetarë, organet e rendit (ndërkombëtare dhe vendore) me ndërhyrjen e tyre brutale, të papërgjegjshme e të paarsyeshme nga një protestë paqësore e shndërruan në një demonstratë tepër të përgjakshme. Dy dëshmorët e rinj Arben Xheladini dhe Mon Balaj u ekzekutuan nga afërsia me plumba në kokë dhe mbi 80-të protestues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë.
Pamjet në televizione e në mediet tjera, sado të (auto)censuruara ishin tejet shokuese, trishtuese, të tmerrshme e të papritura. Por edhe më të tmerrshme ishin pasojat. Tetë vjet pas luftës shufra gome, gaz lotsjellës, plumba, rrahje, keqtrajtime e tërheqje zvarrë të nënave të martirëve e të zhdukurve rrugëve të Prishtinës. Plumba në gjokse e në lule të ballit të demonstruesve, kur ata tashmë veç ishin zmbrapsur, pati edhe pengime edhe për t’ua dhënë ndihmën mjekësore…
U pa qartë se demonstruesit u qëlluan për t’u vrarë. Këtë e tregojnë plagët e shumta në koka e në gjokset e tyre, por edhe plagët vdekjeprurëse të dy dëshmorëve. Ndërhyrje të tilla të policisë nuk ndodhin në botën demokratike. Këtë ditë në Kosovë u përdor municion i ndaluar me konventa ndërkombëtare (madje edhe të OKB-së) para më se 30 vjetësh. Plumba gome, plumba plastikë dhe plumba të metalit të veshur me gomë (ky i fundit plagos edhe nëse hidhet me dorë) u përdorën nga vetë OKB-ja!
Por edhe në këtë rast, sikurse është treguar sa e sa herë në Kosovën e pasluftës, kur viktimat janë shqiptare, askush nuk nxirret para drejtësisë, askush nuk jep përgjegjësi. Vrasësit kanë imunitet. Madje nuk është çudi që për vrasjet e tyre edhe të dekorohen, siç ndodhi me njësitin rumun!
Ndonëse me çlirimin e vendit nga okupatorët serbë, për çka është dhënë shumë mund e sakrifica dhe është derdhur tepër gjak, kemi besuar se kërkesat e popullit të Kosovës, siç është kërkesa elementare për të drejtën për vetëvendosje, nuk do të kishte më nevojë të adresoheshin nga rruga, por do të adresoheshin dhe do të mbroheshin nga institucionet tona zyrtarisht, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Në rastin e 10 shkurtit 2007, institucionet e Kosovës dështuan, dështoi në masë të madhe edhe shoqëria civile, edhe një pjesë e madhe e medieve dështuan në pasqyrimin e të vërtetës, në raportimin real të asaj që po ndodhte në Prishtinë, para, gjatë dhe pas kësaj demonstrate. U fshehën faktet dhe u shtrembërua e vërteta. (Mbase kjo erdhi si rezultat i kërcënimeve, akuzave dhe shantazheve ndërkombëtare të bëra ndaj medieve pas trazirave të marsit të vitit 2004).
Na ka rënë të dëgjojmë se më 10 shkurt, përdorimi i forcës nga policia “ishte proporcional e i domosdoshëm”, se “demonstruesit u bashkuan me Beogradin”, se demonstruesit “dhunuan institucionet e vendit”, se demonstruesit “rrezikuan jetën e qytetarëve”… Institucionet vendore nuk u distancuan nga vrasësit, por nxituan që njëzëri si Ekip i Unitetit (pozitë e opozitë) të dënojnë dhe të linçojnë Lëvizjen “Vetëvendosje”. E filluan gjahun për arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, sa për ta adresuar diku fajin, por e vërteta e kësaj ngjarjeje u vërtetua se ishte krejtësisht tjetër.
Kur jemi tek ngjarjet tragjike të 10 shkurtit 2007, do të ndalemi këtu në dy raste që janë të ndryshme nga kjo demonstratë.
Protestat e 17 e 18 marsit të vitit 2004 dihet se ishin provokuar nga pala serbe, të cilat u lanë me gjakun e shqiptarëve pa fajin e tyre. Tre fëmijët shqiptarë që i mbytën në lumin Ibër dhe dhjetëra protestues të vrarë e qindra të tjerë të plagosur nga militarët serbë dhe forcat ndërkombëtare të rendit qëllimshëm mbetën nën hijen e disa shtëpive e kishave të djegura…
Është një fakt tanimë i ditur se shumica e kishave që u dogjën gjatë këtyre trazirave ishin të shënjuara (të bëra me shenjë) një apo dy ditë para trazirave, gjë që tregon implikimin e elementëve të huaj në këto akte. Por nën trysninë ndërkombëtare u fajësuan shqiptarët dhe asnjëherë nuk u tha e vërteta për këto trazira. Dhe në fund të fundit shtrohet pyetja: Kush përfitoi nga djegiet e disa objekteve serbe? – Çuditërisht, djegia e këtyre kishave bëri që të mbesin nën hije edhe krimet dhe gjenocidi serb i kryer gjatë luftës në Kosovë. Në anën tjetër, mijëra hektarë tokë shtetërore e private të shqiptarëve pas këtyre ngjarjeve iu dhanë manastireve ortodokse serbe në emër të zonave të mbrojtura dhe eksterritorialitetit. Pos kësaj, siç u bë e ditur vitin që shkoi pas incidenteve që ndodhën brenda vet kishës ortodokse serbe, kur ndodhi që emisarët e saj për shkaqe karrieriste të thyhen edhe këmbë e duarsh mes veti, doli në shesh se vetëm peshkopi Artemije Radosavleviq personalisht, me firmën e tij “Rade Neimar”, nga rindërtimi i manastireve në Kosovë kishte përfituar mbi 100 milionë dollarë.
Në rastin tjetër, duhet pasur parasysh si u trajtuan aktet kriminale, të kryera e të organizuara nga Serbia pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, si djegia dhe shkatërrimi i pikave doganore në veri, uzurpimi, demolimi dhe shkatërrimi i inventarit të Gjykatës së Qarkut në veri, keqtrajtimet ndaj banorëve shqiptarë, djegiet e shkatërrimet e pronave të shqiptarëve në Serbi (që nga disa organizata ndërkombëtare u cilësuan akte raciste), djegiet e ambasadave të huaja në Beograd, etj., por mbi të gjitha duhet ndalur tek përleshjet e 17 marsit 2008 në Mitrovicë, kur serbët e armatosur, në mesin e tyre edhe shumë pjesëtarë të ushtrisë e policisë shtetërore serbe, pos djegies dhe shkatërrimit të dhjetëra makinave të forcave ndërkombëtare, plagosjes së dhjetëra policëve dhe ushtarëve të KFOR-it, vranë edhe një polic ndërkombëtar të UNMIK-ut nga Ukraina. Por si reagoi OKB-ja në këtë rast? OKB nuk i gjykoi fare aktet kriminale serbe, por hartoi një raport zyrtar në të cilin i akuzoi forcat ndërkombëtare për përdorim të tepruar të dhunës!
“Pakoja” e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dihet se ishte një pako ekskluzivisht për të përmbushur apetitet e serbëve. 99 për qind të propozimeve të ndërmjetësit të OKB-së bazohen në mbrojtjen e minoritetit serb, që është një dokument i pashembullt në diplomacinë botërore. Në emër të privilegjeve për pakicën problematike serbe vazhdojnë të shkelen të drejtat e shumicës shqiptare por edhe të pakicave joserbe. Të gjithë i dimë ngjarjet që pasuan në Kosovë dhe rreth Kosovës gjatë vitit që shkoi. Dihet se cili ishte qëndrimi i OKB-së dhe i Serbisë ndaj kësaj pakoje. Në këtë rast, analistë ndërkombëtarë nuk kanë ngurruar të theksojnë se OKB-ja është vënë në anën e Serbisë.
Në njërën anë popullit shqiptar të Kosovës i bëhet thirrje të harrohet historia madje tentohet t’i ndërrohet edhe identiteti kombëtar, në anën tjetër serbët vazhdojnë të thirren në “të drejtën historike”, duke u bazuar tërësisht në gënjeshtra e mite të falsifikuara.
Është paradoksale se ndonëse krimet dhe gjenocidi që bëri Serbia në Kosovë janë të tmerrshme, megjithatë Kosova është i vetmi vend në ish-Jugosllavi që nuk ka bërë padi ndaj Serbisë për krimet e luftës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa vet duhet të përballet me padinë e Serbisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në të njëjtën gjykatë.
Lëshimet (e padrejta) që po bëhen vazhdimisht nga institucionet ndërkombëtare ndaj shantazheve të palës serbe, të cilët nuk bartën asnjëherë pasojat e veprimeve të tyre terroriste e gjenocidiale, janë një mësim shumë i keq, së paku për popujt e hapësirës ballkanike. Të gjitha këto në të shumtën e rasteve po përcillen me heshtje dhe pasivitet nga klasa politike kosovare.
Me problemet e ngritura që moti nga Lëvizja “Vetëvendosje” qytetarët e Kosovës po ballafaqohen çdo ditë e më shumë dhe çdo ditë e më shumë po i japin të drejtë kësaj Lëvizje.
Në këtë rast do ta ndanim mendimin me mikun tonë të çmuar, ambasadorin William Walker, i cili gjatë vizitës së fundit në Kosovë, deklaroi se e vetmja opozitë e mirëfilltë në Kosovë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, në Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë,  në fshatin Berishë, qëndroi  për një vizitë, …