RKL: Beogradi zyrtar paragjykon dhe paralajmëron destabilitetin e vendit tonë në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë

 


Politika gjithnjë antishqiptare dhe luftënxitëse e kreut të Serbisë është intensifikuar sidomos tani, kur Kosova po përgatitet për të shënuar njëvjetorin e pavarësisë. Yshtjet, ndërsyrjet dhe turri i shovinistëve serbë, dita ditës po merr përmasa të një fushate të orkestruar mirë, e cila në mos më shumë po bën përpjekje që ta destabilizojë Kosovën, e bindur se për këtë destabilizim faktori ndërkombëtar do t’i fajësojë dhe do t’i ndëshkojë shqiptarët si kurdoherë deri tani.

Përveç thirrjeve publike të djegies së pikave doganore të Kosovës, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, nga kreu politik i Mitrovicës së veriut edhe ministri i Jashtëm serb, Jeremiq ka deklaruar se më 17 shkurt, në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, nuk përjashtohet mundësia e destabilizimit të situatës në vend. Jeremiq po ashtu ka thënë se pushteti serb së shpejti do të nisë t’ia përkujtojë opinionit botëror 17 marsin e vitit 2004, kur në Kosovë, sipas tij është ushtruar dhunë brutale kundër serbëve. Nuk do të lejojmë të harrohet ky përvjetor, dhe çdoherë do ta rikujtojmë këtë datë tragjike, edhe në Këshill të Sigurimit, në UNESCO, por edhe në mediat më të fuqishme botërore, ka thënë Jeremiq.
Këto deklarata të serbit Jeremiq, kanë mbetur një jermi dhe delir i politikave të përjetshme antishqiptare serbe, të gjuajtjes së gurit dhe fshehjes së dorës, sikur vepruan, më 17 mars të vitit 2004 kur u mbytën në lumin Ibër tre fëmijë shqiptarë të fshatit Qabër dhe rasti i tillë nuk u zbulua kurrë nga prokuroria ndërkombëtare, por as nga prokurorët e policët tanë, të cilët në rastet e tjera kanë treguar e tregojnë zell të tepruar për të vepruar dhe për të zbuluar kryesit e veprave të ngjashme.
Pikërisht kjo mbytje barbare e tre fëmijëve, bëri që revoltat e ligjshme të shqiptarëve të përshkallëzojnë, ashtu sikur i përshkallëzuan edhe i nxorën në sipërfaqe qëllimet e tyre destruktive edhe luftënxitësit serbë, të cilët edhe në të kaluarën kanë viktimizuar të vetët, për të arritur qëllimet e tyre të liga dhe krejtësisht të panjerëzishme. Edhe pse dëmin më të madh në njerëz e pësuan shqiptarët, serbët me metodat e tyre të imitimit dhe demonstrimit të viktimës, arritën ta bindin një pjesë të faktorit ndërkombëtar se jeta e përbashkët me shqiptarët në Kosovë ishte e pamundur.
Përderisa politika serbe dhe ajo pro serbe protestat e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004 i pasqyruan si sulme të egra të shqiptarëve kundër serbëve dhe kishave e manastireve të tyre, politika zyrtare e Prishtinës nuk tregoi guxim qytetar e kombëtar për ta trajtuar realitetin faktik të revoltave, nuk u tregua e aftë ta nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën, as u tregua e aftë të ballafaqohet me ato momente kritike, Ata, në asnjë segment nuk reflektuan një qasje realiste në pasqyrimin e realitetit objektiv dhe krejt kjo bëri që shqiptarët të trajtohen dhe të demonizohen si ekstremistë.
Pikërisht për këtë, ministri Jeremiq paralajmëron një kryqëzatë mediale kundër Kosovës, ndërsa pushtetarët tanë po merren më shumë me përgatitje të shënimit të përvjetorit të pavarësisë, sesa me paralajmërimet e zyrtarëve dhe bandave serbe. Kjo ndodh për shkak se kreu politik dhe institucional i vendit, beson fuqishëm në vendosmërinë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare, e cila në shumë raste, në të kaluarën ka dështuar, madje në mars të vitit 2004 ka dështuar krejtësisht dhe plotësisht.
Edhe një vit më parë, kur serbët dogjën dy pikat doganore të Kosovës, e më vonë kur vranë një dhe plagosën 30 policë ndërkombëtarë në Mitrovicë dhe kur u dhanë zjarrin shumë shtëpive të shqiptarëve në veri të vendit, atje ishte e pranishme forca paqeruajtëse dhe policia ndërkombëtare, e cila si kurdoherë deri tani, qysh prej 11 qershorit të vitit 1999 është treguar shumë e durueshme dhe shumë e vëmendshme për të mos iu kundërvënë asnjë grupi serb, qofshin ato edhe grupe të armatosura jashtëligjshëm. Kjo sjellje tejet tolerante e faktorit ndërkombëtar, nuk lë vend për komoditet, edhe pse Kosova tashmë ka themeluar dhe ka kompletuar strukturat e sigurisë, të paktën në anën formale, por nuk ka asnjë segment të kompletuar për t’u ruajtur nga sulmet e grupeve dhe bandave serbe.
Kërcënimet e hapura që vijnë nga Beogradi, nuk duhet të injorohen. Mjafton të kujtojmë rastin sesa me ashpërsi, mllef dhe zemërim të egër është komentuar në Beograd oferta e kryeministrit Thaçi për normalizim të raporteve dhe marrëdhënieve me Serbinë. Oferta e Thaçit për hapje të ambasadave të ndërsjella, në Prishtinë dhe Beograd, nxori në sipërfaqe disponimin jo vetëm nacionalist dhe shovinist serb, por formën më të egër dhe më barbare të këtij disponimi, të cilin asnjë shqiptar me mend në kokë nuk duhet ta injorojë.

Kontrolloni gjithashtu

Nën patronatin e kryeministrit Haradinaj sot bëhet rivarrimi i heroit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit, Hazir Malaj

Më 9 maj të vitit 1998, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, …