FILLUAN PUNIMET PËR NDËRTIMIN E RRUGËS NACIONALE M2, MILLOSHEVË –MITROVICË

Në prani të qytetarëve dhe personaliteteve të larta nga institucionet e shtetit, filluan punimet për ndërtimin e rrugës nacionale M2, Milloshevë –Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, aksi rrugor Smrekovnicë – Gojbulë. Duke iu adresuar mediave dhe të pranishmëve në këtë ceremoni, Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj tha: “Sot, kur jemi në vitin e 21-të të rënies së heronjve, Komandantit Zahir Pajaziti me bashkëluftëtarët Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, dhe disa muaj pas datës kur kemi përkujtuar këta heronj, po fillojmë punimet e ndërtimit, me të gjithë strukturën moderne, të rrugës të cilën, emrat e heronjve do ta mbajnë si shtylla, ashtu si gjaku i tyre është në themel të shtetit të cilin po e ndërtojmë të gjithë së bashku. Qeveria e  Republikës së Kosovës në respekt të veprës dhe sakrificës së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut e ka emëruar ketë autorrugë Nacionale, me emrin e tre heronjve të kombit. Ne si Ministri e Infrastrukturës po e nisim praktikisht atë nga vendi kur dikur ishin ndërprerë punimet. Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor 6 në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore. Investimi që po bëhet këtu përmes Fondeve Arabe, kap vlerën e rreth 12 milionëve, vetëm për këtë pjesë prej rreth 5 kilometrave. Përveç kësaj do të kemi edhe dy tjera të cilat po ashtu janë milionëshe e me këtë dëshiroj të them, se Vushtrria, Mitrovica e qytetet tjera nga niset e çka përshkon, do të jenë me të hapura për t’i afruar investitorët dhe me të afta për të transportuar prodhimet e veta, qofshin ato bujqësore apo edhe të tjera. Kjo rrugë jo vetëm që i lidhë ndërmjet vete këto qytete, por këto qytete i lidhë edhe me korridore rajonale. Ne, brenda 30 muajsh do t’i përfundojmë të gjithë 35 kilometrat që janë të pa ndërtuara në këtë autorrugë dhe kështu do të jemi më afër njëri tjetrit. Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen që të jetësohet ky projekt, kolegëve ministra e kryeministrit, kryetarit të kuvendit, por edhe secilit zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës që nuk janë ndalë për asnjë moment, e po vazhdojnë të punojnë edhe për segmentet e tjera. Operatorit ekonomik i themi se këtu do të jemi, për të monitoruar punën tuaj. Urime të gjithëve për këtë fillim të mbarë!”, tha Ministri, Pal Lekaj. Fjalë rasti në këtë ceremoni mbajtën edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Kryeministri, Ramush Haradinaj, Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, të cilët vlerësuan lartë punën e Ministrit Lekaj dhe rëndësinë e këtij projekti kaq të vlefshëm për qytetarët e vendit dhe lidhjen që kjo rrugë nacionale krijon mes qyteteve të vendit dhe korridoreve ndërshtetërore.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …