Fjala e kryetarit Latifi, mbajtur në Ditën e Qendrës së Kulturës “MENSUR ZYBERAJ” në Rahovec

Fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi, mbajtur sot në Ditën e Qendrës së Kulturës “MENSUR ZYBERAJ” në Rahovec. LUFTA PËR LIRI ËSHTË DETYRIM HISTORIK

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, e respektuara familja e Heroit të Kombit Mensur Zyberaj, invalidë e veteranë të luftës, miq e bashkëpunëtorë, të nderuar të pranishëm, sot po kremtojmë një ngjarje e rëndësishme për kulturën në komunën e Rahovecit. 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit dhe të popullit shqiptar, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës, në trekëndëshin Pojatat e Mullaabazëve – Krushë e Madhe- Qëndresë (ish Randobrava). Beteja e majit mori përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, Heroi i Kombit Mensur Zyberaj. Përhapja e rrezeve të kulturës dhe shkëlqimi e ngrohtësia që japin këto rreze, arsyetojnë luftën dhe përpjekjet e  popullit tonë për liri. Qendra e kulturës, që mban emrin e këtij protagonisti të madh të luftës tonë për liri, është vendi ku ne shpesh mblidhemi për të evokuar kujtime, për të shënuar ngjarjet e rëndësishme të historisë e kulturës tonë, për të mbajtur aktivitete kulturore, rinore e shoqërore. Është kjo qendër ku njerëzit hyjnë e dalin dhe gjithmonë diçka sjellin e diçka marrin. Pra, është një qendër ku gravitojnë grupe artistësh, ku të rinjtë e të rejat zhvillojnë talentet e tyre dhe ku njerëzit e shijojnë lirinë. Zaten për këtë edhe luftuan e ranë dëshmorët tanë. Prandaj, është një nga detyrimet tona morale e institucionale që të ofrojmë më shumë mundësi për njerëzit tanë, duke synuar që jeta dhe vepra e dëshmorëve të jenë fanar ndriçues në rrugën tonë kah përparimi. Vetëm në këtë mënyrë merr kuptim dhe peshë rënia e tyre. Organizimi i sa më shumë festave e ngjarjeve kulturore në këtë vatër të kulturës, jo vetëm që përbën thelbin e ekzistimit të qendrës së kulturës, por se është edhe mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin për të rënët. Të nderuar të pranishëm,

Maji ishte muaji i rënieve e sakrificave të mëdha për liri.   Mensuri, Sadedini, Bekimi, Mexhiti, Ismaili, Habibi,  Milaimi,  Xhevdeti, Naimi, Besimi, Avniu, Alajdini, Xhevati, Bujari, Jetoni, Selimi dhe shumë dëshmorë të tjerë të zonave të ndryshme që ranë në këtë këto anë duke luftuar përballë një armiku të egër e gjakatar, dëshmojnë për përmasën e madhe të flijimeve tona për liri. Jemi në rrugë të mirë që vendin tonë ta radhisim  krah popujve të zhvilluar e të qytetëruar. Këtë e meritojnë brezat që vijnë, mirëpo kërkohet shumë mund e djersë për të përmbushur amanetin e dëshmorëve tanë. Besojmë se nuk do t’na mungojë forca dhe dëshira për ta bërë këtë. Për të përjetësuar kujtimin për dëshmorët tanë na takon që në këtë vatër të kulturës të shpalosim gjithnjë e më shumë promovime të kulturës tonë tradicionale, të sjellim vlera të reja artistike dhe ngjarje kulturore me karakter kombëtar. Presim bashkëpunim më të thelluar me artistët dhe krijuesit e komunës tonë, duke synuar që jeta jonë kulturore të jetë sa më e pasur. Kjo dëshmon një përkushtim të madh në ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore. Në këtë linjë po vazhdojmë ende, sepse paraprijës kemi idealin e atyre që u flijuan për këtë vend. Prandaj, uroj artdashësit, krijuesit, artistët dhe të gjithë ata që po e pasurojnë jetën kulturore në Rahovec, sepse lufta për liri është kulturë dhe detyrim historik. Gjithnjë duke pasur në mendje e zemër ata që u flijuan për lirinë, që brezat të vazhdojnë të krijojnë vepra arti, ndërsa ideali i dëshmorëve t’ju prijë në veprimtarinë e tyre krijuese. Lavdi dëshmorëve dhe atyre që u flijuan në rrugëtimin e lirisë! I pavdekshëm ndër breza është emri dhe vepra e tyre!

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …