Fjala e kryetarit Latifi në promovimin e librit “YJET E LIRISË”, i autorit dr. Sadik Krasniqi

Fjala e kryetarit  të Komunës, Smjal Latifi në promovimin e librit “YJET E LIRISË”, i autorit dr. Sadik Krasniqi

Përshëndetje për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës dhe për gjithë ju që jeni të pranishëm. Përshëndetje për autorin, dr. Sadik Krasniqi, i cili është edhe bashkëluftëtar i dëshmorëve dhe vëlla i dëshmorit, Naser Krasniqi, po ashtu edhe bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar i imi. Përshëndetje për recensuesit dhe të gjithë ata që u kujdesën që të dalë në dritë e të promovohet libri “Yjet e Lirisë”, i cili iu kushtohet dëshmorëve, Jah Hoti, Naser Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi, Islam Krasniqi dhe Lulzim Hoti nga fshati Ratkoc, atyre që lanë pas veprën atdhetare, e cila frymëzon sot, nesër dhe gjithmonë. Dëshmorët e atdheut si gjithandej, edhe 7 dëshmorët, tash në Kosovën e lirë, si arritura më e madhe historike e popullit tonë, i cili dha shumë mund, djersë e gjak nga gjaku i vet, dha bijtë më të mirë e më besnik që janë vepër lirie, të cilët janë emra të pavdekshëm në kujtesën tonë historike, janë emra të gjallë që i gjejmë në rrugë e sheshe, qendra kulturore e shkolla.

Të dashur të pranishëm!

Në këtë botë të trazuar edhe shpirtërore, edhe ekonomike, edhe politike, edhe sociale, po ashtu, të mbarsur edhe me kërcënime nga armiqtë e kundërshtarët e lirisë sonë, është nevojë dhe detyrim kushdo që ka mundësi investohet në vlera kombëtare, në lartësimin e emrit dëshmor e martir, në shpërfaqjen e vlerave kulturore e të trashëgimisë, në vlera kombëtare e historike, të shkruajmë e të paraqesim kujtime për gjithë ata vepruan, vuajtën, u persekutuan e u burgosën, për ata që vdiqën pa përjetuar lirinë e që jetën e tyre e shkrinë për atdheun, për gjithë ata që jetën ia falën lirisë dhe atdheut. Është detyrë e shokëve, bashkëluftëtarëve, të gjithë atyre që dinë, e që kanë përjetuar, atyre që ndjejnë, po ashtu është shumë e rëndësishme që edhe familjet e të rënëve, të gjithë të japin të dhëna objektive, të shpalojnë kujtime e të rrëfejnë për njerëzit që vulosën me gjak lirinë, të cilëve u jemi borxhli përjetë. Është ndjenjë e veçantë të marrësh pjesë në promovimin e veprave ku shkruhet e thuhet për jetën dhe veprën e dëshmorëve, eshtre detyrim moral e institucional të kujdesesh e të ndihmosh aq sa kemi mundësi botimin e veprave të tilla. Unë ju bëj thirrje që të shkruajmë për luftën dhe për kontributin e trimave, bijve e shokëve tanë që janë ngulitur në kujtesën dhe vetëdijen tonë kolektive, për dëshmorët. Është shumë e rëndësishme jo vetëm të mbajmë mend, por edhe ta regjistrojmë në botime e libra, monografi e shkrime atë që e kemi në kujtesë.

Sa më shumë që shkruajmë, aq më mirë.

Verba volant, scripta manent (Fjalët fluturojnë-i merr era, shkrimet mbesin). Duke e përgëzuar aurtorin Dr. Sadik Krasniqi, njëherësh e nxisë atë që të bëjë plotësimet nëse do të ketë ribotim, duke përfshirë edhe korrigjimin e ndonjë gabimi ose edhe begatimin e librit. Gjithashtu, duke shprehur urimet më të mira për të gjithë ju, për 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ju nxisë që të hidhni në letër kujtimet, rrëfimet dhe gjithë ato që dimë, jo vetëm për të hedhur dritë për të vërtetën e luftës, kontributet e luftëtarëve të UÇK-së, por edhe për të lartësuar më tej përmes botimeve, veprën e pavdekshme të dëshmorëve dhe rrugëtimin e bijve dhe bijave më të mirë që kurrë s’u ndalën së vepruari për liri. Komuna e Rahovecit dhe unë si udhëheqës i saj do të vazhdojë t’i mbështesë botimet të cilat na bëjnë nder e krenar ne të gjallëve, e brezave që vijnë pas nesh u japin mundësi të lexojnë e rilexojnë, e kurrë mos ta harrojnë rrugëtimin e gjatë e të vështirë, luftën e paepur të veprimtarëve e luftëtarëve, posaçërisht sakrificat e atyre që derdhën gjakun për liri. Ndihem i nderuar që në vigjilje të shënimit të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, po i dhurohet lexuesve edhe një vepër e shkruar që u kushtohet 7 dëshmorëve, 7 YJEVE TË PASHUAR TË LIRISË.

Urime, Dr. Sadik Krasniqi!

Urime familjeve të dëshmorëve, shokëve e bashkëluftëtarëve të dëshmorëve!

Lavdi 7 yjeve të lirisë dhe gjithë dëshmorëve e martirëve, të gjithë atyre burrave e grave, veprimtarëve e patriotëve që u angazhuan, luftuan e u flijuan për liri, pavarësi e bashkim, për dinjitet njerëzor e kombëtar!

Urime 17 SHKURTI 2008!

Na priftë mbarë!

Rahovec, 16 shkurt 2022

Smajl Latifi

Kryetar i Komunës së Rahovecit

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …