KEK
Fillimi / Analiza / FJALIMI I DEPUTETIT, XHEVAT BISLIMI, NË KUVENDIN E KOSOVËS MË 17 SHTATOR 2007
Xhevat Bislimi

FJALIMI I DEPUTETIT, XHEVAT BISLIMI, NË KUVENDIN E KOSOVËS MË 17 SHTATOR 2007

Të gjithë jemi dëshmitarë se si filluan dhe vazhduan bisedimet dhe se si u krijua Grupi negociator. Dihet se si u votua për këtë Grup. Në arkivin e Kuvendit është edhe shiriti filmik. Personalisht kam qenë kundër bisedimeve me Serbinë për disa arsye. E para, sepse Kosova hynte në bisedime si një krahinë e përfaqësuar nga një grup politik (shumëpartiak), kurse Serbia hynte në bisedime si shtet. E dyta, Serbia hynte në bisedime me një dokument të miratuar nga Kuvendi i Serbisë më 29 prill 2004, ndërsa Kosova hynte në bisedime pa një dokument të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Rezultoi që dokumenti i Serbisë, i miratuar në Kuvendin e Serbisë, u bë (në thelb) plan i Atisarit! Kush të doj mund t’i krahasoj këto dy dokumente (atë të Serbisë dhe të Atisarit). Dokumenti i Serbisë është edhe sot i publikuar në gjuhën serbe dhe në gjuhën shqipe. U pa edhe sot, në këtë mbledhje, se ky Grup negociator, që ka parapëlqyer të vetëquhet “grup i unitetit”, në të vërtetë është grup i jounitetit. Por, siç po shihet, këta na e kanë ndryshuar edhe kuptimin e fjalës “unitet”. Edhe sot ky Grup doli para Kuvendit me pesë fjalime të ndryshme dhe gati pa asnjë ide. Ishin fjalime shterpe dhe pa ide të reja. Nga ana jonë me pusin që thahet dihet çfarë bëhet: E mbyllim, sepse mund të mbytet dikush në të.

Në Konferencën e Rambujes u arrit një marrëveshje, të cilën e nënshkroi delegacioni ynë, por nuk e nënshkroi Beogradi. Megjithatë, ne (Kosova) e zbatoi atë dokument, madje më tepër se sa kërkohej! Pra, u treguam më të zellshëm se ç’duhej, megjithëse ishte një marrëveshje (dokument) i panënshkruar nga të dyja palët. Sot jemi vënë para një situate kur plani i Atisarit u pranua nga ky Kuvend (dihet se si u bë edhe pranimi edhe miratimi) i manipuluar, por ky plan nuk u miratua në Këshillin e sigurimit, sepse nuk po e pranojnë Rusia dhe Serbia! Megjithatë, sot dëgjuam nga shumë deputetë zotimin se “ne do ta zbatojmë gjithsesi planin e Atisarit, sidomos atë pjesë që bënë koncesione tragjike për Kosovën”!

  Grupi negociator dhe klasa politike, kryesisht ata që kishin përgjegjsinë, ata që morën besimin e qytetarëve për t’i kryesuar dhe udhëhequr institucionet e Kosovës, në vend se të angazhoheshin për unifikimin e territorit të Kosovës dhe kontrollimin e plotë të tij (gjë që nuk e kishin) u angazhuan për ricopëtimin e mëtejmë të Kosovës dhe legalizimin e këtij ricopëtimi! Në vend se të angazhoheshin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ilire, të shkatërruar sistematikisht nga Serbia gjatë historisë (jo vetëm këtu brenda, por edhe deri në Nish) këta, edhe këtë pak trashëgimi që i kishte shpëtuar shkatërrimit, e bënë trashëgimi kulturore serbe! Grupi negociator, në vend se të angazhohej për forcimin e unitetit të brendshëm, për rritjen e gatishmërisë së qytetarëve, për organizimin dhe mobilizimin politik, por edhe të formave të tjera që i duhen një vendi, ata u angazhuan për ca simbole, për ca paçavure për ta mashtruar edhe kësaj herë popullin shqiptar se “ne po e bëjmë shtetin me simbole”! Madje ky Grup pati “guximin” ta manipulojë qytetarin e Kosovës edhe me përgatitjen e njëfarë kushtetute! Ku keni parë në botë që të nxirret kushtetua për një vend që nuk e ka të definuar statusin e tij?! Kushtetuta, kudo në botë, bëhet konform statusit që ka një vend. Kjo dihet nga të gjithë…

Tash u pa se plani i Atisarit nuk kaloi. Ky Grup negociator, që zotohej se nuk do ta negociojë pavarësinë e Kosovës, pranoi planin e Atisarit, që nuk është pavarësi e Kosovës, por është një pavarësi e mbikëqyrur, e kontrolluar, e komanduar, etj.. Thuaj si të duash, s’ka rëndësi. I njëjti Grup negociator tash do t’i rifillojë bisedimet, që do të kenë për bazë planin e Atisarit! A mund të mbahet Kosova pas planit të Atisarit? Mund ta merrni me mend ku do të përfundojë Kosova… Ky, Grup, akoma pa kaluar plani i Atisarit në Këshillin e sigurimit, i ka “detyruar” këta deputetë t’i duartrokasin këtij plani! Ky Grup, akoma pa u miratuar plani i Atisarit kërkon zbatimin e tij, veçmas atë pjesën që e dimë të gjithë (për pakicën serbe)! Ky Grup, akoma pa kaluar plani i Atisarit fton një mision të Bashkimit evropian. Nuk e ka pyetur kush për këtë punë, por po bënë sikur po e fton këtë mision! Unë do të isha kundër këtij misioni dhe kundër cilitdo mision tjetër pa u zgjidhur statusi i Kosovës (pavarësimi i plotë i Kosovës nga Serbia). Ky Grup (negociator), në vend se të angazhohej për kthimin e shqiptarëve, një milionë shqiptarë janë shpërngulur vetëm nga viti 1981 dhe jetojnë në një gjendje të rëndë si refugjatë në tërë botën, pastaj për çështjen e muhaxhirëve të dëbuar para 130 vjetësh nga vatrat e tyre, u angazhua t’i kthejë ata që dihet se çfarë i bënë Kosovës dhe popullit shqiptar!

Rusia dhe Serbia kërcënojnë vazhdimisht me luftë Kosovën. Kërcënimet e tyre i përsërisin përditë. Ato i ka bërë Koshtunica edhe në Kosovë! Grupi negociator, në vend se t’u thotë: “Nëse doni fqinjësi të mirë, nëse doni paqe, ja ku e keni Kosovën për paqe. Nëse doni të luftoni për një krahinë që kurrë nuk ka qenë e juaja (Kosova historikisht ka qenë shqiptare, madje deri në Nish), luftë do të keni”, këta i thonë: “Nuk është mirë që po na kërcënoni, sepse jetojmë në kohë demokracie dhe paqeje, pastaj i thonë se është bajat, marre…”. Por, Serbia marre s’ka hiç. Ajo nuk do t’ia di për marre.

Një çështje tjetër që unë dua ta ngrit këtu është ajo e Tiranës zyrtare. Nga kjo foltore e ftoj Tiranën zyrtare që t’i marrë përgjegjësitë e saj historike dhe kombëtare, sepse është e vetmja qendër, i vetmi shtet që ka mandat të plotë për Kosovën. Tirana zyrtare nuk mund t’i ik përgjegjësisë që ka për këtë vend. Nëse i del zot Serbia, që e kishte pushtuar dhe masakruar gjatë dyqind, treqind e pesëqind vjetësh, si mund të mos i dal zot Tirana zyrtare vendit (krahinës) të saj? Kjo ishte porosi edhe e miqve tanë, të cilët e bënë edhe publike këtë porosi…

Unë mendoj, nuk kam asgjë personale me këtë Grup të ulur para nesh, por mandati i tyre, të tillë çfarë e kishin, ka përfunduar me planin e Ahtisarit. Por, këta, meqë janë të “kapur” dhe nuk mund të japin dorëheqje, propozoj që ky Kuvend, nëse duam t’i japim mesazhe botës dhe Serbisë se Kosova e ka me gjithë mend të ketë pavarësi të plotë nga Serbia, t’i shkarkojë dhe të emrojë një Qeveri të shpëtimit kombëtar.

Sot, deri sa të bëhen ato punë, nëse i bënë ky Kuvend, propozoj të miratohet edhe një rezolutë që rikonfirmon vullnetin e paluhatshëm të këtij populli për pavarësi të padiskutueshme, për pavarësi të plotë nga Serbia.

17 shtator 2007

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: E drejta shqiptare do të fitojë në emër të drejtësisë njerëzore

Isuf Ismaili: E drejta shqiptare do të fitojë në emër të drejtësisë njerëzore

Lufta çlirimtare e UÇK -së është sa heroike aq edhe madhështore, sepse bijtë dhe bijat ...