Fjalimi i kryetarit Latifi në 20-vjetorin kushtuar dëshmorëve të kombit Skender Rexhepit dhe Fitim Durakut

Të dashur familjarë të dëshmorëve të Skender Rexhepit dhe Fitim Durakut, i nderuar Kryeministër Haradinaj, bashkëluftëtarë e ju pjesëmarrës! Thonë se koha shëron plagët, por ndonëse kaluan njëzet vite kujtimi për shokët tanë dëshmorë, Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku është i freskët sikur të kishte ndodhur sot. Kjo për faktin se djemtë tanë, ishin në rreshtin e parë të rezistencës dhe nuk ishin rastësisht të tillë. Edukata familjare dhe ngulitja e ideve çlirimtare që në fëmijëri i brumosi ata me idealet e lirisë, prandaj nuk mund të ishin ndryshe, vetëm se çlirimtarë. Ata qenë nismëtarë të luftës, sepse ishin pjesë e lëvizjes ilegale për çlirim. Prandaj, nuk pritën ftesë nga të tjerët, por i ftuan të tjerët t’ju bashkohen radhëve të luftës. Skënderi dhe Fitimi në një ditë të acartë janari u ndalën me zjarr e me hekur dhe rrugëtimi i tyre për liri u ndërpre, duke kaluar në një dimension tjetër të jetës, – atë të përjetësisë. Përfundimi i një rrugëtimi në këtë mënyrë është kapak floriri i veprimtarisë së begatë atdhetare për këta heronj. Plagët e rënda që Fitimi mori atë natë dimri ia këputën në mes ëndrrën e lirisë me 4 prill 1999, por qëndrimi stoik dhe përballimi i plagëve me aq vendosmëri, dëshmuan përkushtimin e tij atdhetar. Për moralin e lartë dhe gatishmërinë për t’u përballur me të keqen i luftëtarëve të lirisë, tregon edhe qëndrimi i Xhavit Elshanit dhe Mustafë Bajraktarit, të cilët morën plagë të rënda, por u rikthyen në radhët e shokëve pas shërimit të plagëve. Ndonëse, Mustafa vdiq pak vite pas luftës, qëndrimi i tyre u bë shembull për luftëtarët tjerë. Këta luftëtarë dhe të tjerë të shumtë që mbetën nëpër fushëbeteja, duke shtegtuar kah liria, mbollën farën e lirisë me flijimin e tyre, duke ujitur me gjak rrënjët e lirisë. Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar të pranishëm, – jeta është vetëm një udhëtim. Që të mos humbet rruga kërkohet një orientim i qartë në kohë dhe hapësirë. Për ecjen tonë të sigurt dhe të drejtë, kërkohet që të orientohemi në rrugën e nderit e të krenarisë që e ndoqën dëshmorët tanë. Ata mbeten gurët kilometrik dhe janë piketa orientuese për ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt të brezave. Të vetëdijshëm për peshën e madhe të përgjegjësisë që kemi mbi supe e ndjejmë obligim të vazhdueshëm që të japim gjithçka nga vetja për të jetësuar aspiratën e atyre që ranë në fushë të nderit. Asnjëherë nuk do të jetë e mjaftueshme së punuari për ndërtimin e lirisë e barazisë shoqërore, sepse asgjë nuk peshon më shumë se një jetë njeriu e shuar në lule të rinisë. Puna pa u lodhur është obligimi ynë dhe zotim publik, prandaj çfarëdo që të bëjmë për vendin tonë nuk do të jetë e mjaftueshme. Dëshmorët që po i përkujtojmë sot dhe ata që ranë gjithandej trojeve shqiptare, na e lanë në dorë pishtarin e lirisë, pishtar që djeg e përvëlon secilin që nuk e mban si duhet dhe që nuk duhet të shuhet asnjëherë. Vetëm në këtë mënyrë do ta kemi rrugën të ndriçuar, sepse dëshmorët janë pishtarë të pashuar lirie. Lavdi e përjetshme dëshmorëve Skënder Rexhepi e Fitim Duraku dhe të gjithë atyre që u flijuan për lirinë!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti vizitoi fshatin Stubëll

Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti vizitoi fshatin Stubëll. Aty  nga afër ai …