Brickos

Shënohet 20-vjetori i rënies së dëshmorit Sahit Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në 20-vjetorin e rënies së dëshmorit Sahit Krasniqi nga Ratkoci tha se Sahiti me shumë bashkëluftëtarë të zot fituan përjetësinë në Rogovë të Hasit, me 29 janar 1999, duke lënë boshllëk të madh në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe te të gjithë ne. Rënia e aq shumë luftëtarëve në atë fund-janar tregon për përmasën e sakrificës dhe peshën e madhe të humbjes që patëm.

“I lindur në një familje të madhe e bujare, me traditë të mikpritjes, e organizuar dhe me ndikim në popull, e cila nuk i bindej pushtuesit duke u cilësuar si kundërshtare e regjimit titist, e keqtrajtuar nga ta për shkak të mospajtimit dhe ndjenjave të atdhedashurisë, Sahiti do të rritet dhe edukohet për të mos e turpëruar derën dhe oxhakun e Hoxhëve. I natyrshëm ishte besimi në djemtë e kësaj dere. Si në mese të tjera, edhe në këtë familje të madhe, asokohe zienin bisedat për të bërë diçka kundër pushtimit, sikurse edhe mbanim vesh për të dëgjuar rrëfimet për vuajtjet dhe kësisoj forcohej qëndrimi i patundur ndaj të keqes. Situatat e rënda ndikuan pashmangshëm në formimin e personalitetit të Sahitit. Koha për kundërvënie robërisë në forma të ndryshme kërkonte djem të zgjuar e të pjekur, karaktere të forta që guxojnë t’i hyjnë vështirësive, për t’i shërbyer atdheut. Sahiti, s’mund të ishte ndryshe, porse i gatshëm për t’i shkuar deri në fund rrugës që kishte zgjedhur. Njeriu zgjedh atë që është i bindur dhe që beson. Sahiti zgjodhi të ishte luftëtar për lirinë e atdheut të robëruar. Në një kohë kur gjendja përveç se ishte e vështirë e komplekse, nuk qe aspak e lehtë të zgjedhësh atë që mund të bartte pasoja për jetën tënde. Në një moshë shumë të re, padyshim Sahiti ishte i përcaktuar të ecte kah ecin njerëzit që përditshmërinë e kthejnë në mision, ani se dukej e pamundur. Përpjekja për të qenë i fshehtë në veprime e i hapur në ndeja me shokë e në familje, vetëm për t’i shërbyer kauzës së çlirimit të Kosovës, kërkon jo vetëm besnikëri në parime, por dhe pjekuri e përkushtim të mundimshëm. Pati të tillë që herët u ndanë nga dëshirat për ta jetuar jetën siç e projektojnë e ndodh natyrshëm te të rinjtë. Nuk është se të tillët kishin hequr dorë nga jeta apo i dorëzoheshin asaj. Përkundrazi. Ata donin t’i jepnin kuptim asaj, duke vepruar për të rinjtë e për bashkëkombësit e vet, të cilëve po iu mbylleshin të gjitha shtigjet. Është nder i madh të njohësh djemë si Sahiti që mbetën të palëkundur në rreshtin e drejtë e që militojnë natën dhe ditën, për lirinë e Kosovës. Ne që bashkëpunuam me të, përjetuam momente të rëndësishme të përkushtimit të veprimtarisë së tij. Guximi për veprim dhe shkathtësitë për t’iu shmangur situatave që mund të të zbulonin e dallojnë Sahitin, i cili vepronte pa zë dhe kryente me zell detyrat. Në dukje e pakuptimtë kjo sot, por asokoh kërkohej që punët përgatitore për luftën, ashtu duhej të bëheshin, pa lënë nam e në fshehtësi. Përveç atyre që duhej ta dinin veprimtarinë ilegale, askush tjetër nuk e dinte se çfarë po bënte Sahiti me shokë. Në frymën e programit të LKÇK-së, Sahiti bëri atë që kërkohej, duke dëshmuar vlera reale njerëzore e organizative në rrugën e lirisë, e cila kalonte nëpërmjet kryengritjes së armatosur çlirimtare. Te Sahiti nuk kishte dilema se kah do t’i biem rrugës së lirisë. Në këtë përcaktim të qartë ai bënte përpjekje që edhe të tjerët të besonin, se rrugë tjetër nuk ka. Është e parashikueshme se vendosmëria për të ecur kësaj rruge, ka dhimbje e mundime shumë. Kur atdhetarët e përcaktuar zgjedhin që t’i shërbejnë lirisë së popullit të tij, nuk njohin ikjen por ballafaqimin, nuk zgjedhin të notojnë në ujëra të turbullta apo të jenë spektatorë e t’i qëndrojnë pas ngjarjeve, por të tillët dalin në ballë. Sahiti e mbajti drejtimin edhe kur përplasjet e erërave të forta, të tundonin që të ikje për të qetësuar veten apo për t’u përshtatur si kameleoni. Sahiti ishte gjakftohtë dhe nuk turbullohej para dilemave të kohës, sepse ai kishte bërë hapa për të përmbysur konceptet e qëndrimit duarkryq, në një kohë kur mendimet të ngatërroheshin në kokë, e kur ishin mjaft prezente pritjet se liria do të vjen e gatshme, Sahiti vepronte drejt luftës e cila pashmangshëm po vinte Kosovës si domosdoshmëri jetësore për t’i hapur rrugën lirisë. Gjermania e Madhe, e zhvilluar e me mundësi të mirëqenies personale nuk iu duk dikutj vendi ku mund të gjente ndonjë mundësi të madhe për t’i kontribuuar Kosovës. Sahiti edhe mund të jetonte fare mirë atje, edhe mund të zgjidhte problemin e vet personal të qëndrimit e të jetesës, e më pas të krijonte mbase edhe familje. Por, jo – atë nuk e mbante dot toka e Gjermanisë, sepse e tundonte përcaktimi se lufta dhe suksesi i saj arrihet duke qenë vet brenda i përfshirë direkt në zonën e luftimeve. La Gjermaninë dhe u nis drejt Shqipërisë për të bërë stërvitjet e nevojshme që të hynte sa më i përmbushur edhe në aspektin fizik e teknik në luftën çlirimtare e cila tashmë kishte nisur. Erdhi në qershor ‘98 në Ratkocin e tij të dashur, me shumë bashkëluftëtarë. Iu bashkua luftëtarëve që po e prisnin dhe familjes së tij. Ishte plot vullnet veprues e i gatshëm për përballje me armiqtë e lirisë sonë. Sa bukur i rrinte uniforma e luftës, sa hije i kishte qëndrimi, sa shumë shprehej dëshira e zjarrtë për të dalë përtej istikameve të luftës e për t’i dhënë grushtin armiqve. Këto virtyte shprehin edhe një element të veçantë të karakterit e shpirtit kryengritës të Sahitit. Qysh në luftimet e korrikut 1998 spikatet roli dhe angazhimi në fushëbetejën e Fortesës e në mbrojtje të Rahovecit, kur ai do të përdorë mortajën e dorës kundër tanksit të ushtrisë serbe. Syrin e kishte pishë e kraharorin zjarr, sikur donte t’i përpinte barbarët serbë. Jeta e Sahitit me shokë kishte marrë përmasën e ndryshimit të rrjedhave të historisë, flakjes së robërisë dhe po i jepte shenja të qarta, se liria sado që vonohet, pavarësisht çmimit, do të vijë, por me zjarrin e luftës që do të përvëlonte e digjte armiqtë e këtij vendi. Sahiti do të mbahej i fortë edhe në ofensivën serbe të 3, 4, 5 e 6 shtatorit 1998. Nuk u pa i dëshpëruar, nuk u pa i ligështuar. Jo, ai me disa shokë duhej të kalonin për pak kohë në Shqipëri, për të ardhur përsëri, edhe më i përgatitur e me energji të reja në zonën e luftës. U fut përsëri në Kosovë, e duke qenë shembull besnikërie e motivimi do të tërheqë vëmendjen e shumë bashkëluftëtarëve, edhe të zonave të tjera operative. I lidhur me shokët e idealit, me Lleshët e Vraniqit e me luftëtarë të tjerë nga ZO e Dukagjinit, siç më ka thënë edhe vet Sahiti, sjellja e tij kishte tërhequr vëmendjen edhe të eprorëve të kësaj zone, madje edhe të komandantit të saj Ramush Haradinaj, ku ndaj Sahitit përveç se kishte besim, ia kishte dhuruar edhe revolverin personal. Pra, Sahiti do të shquhet me vepër dhe do të mbjellë farën e besimit edhe te luftëtarë të tjerë të sprovuar në fushëbeteja. Jo rastësisht, detyra të veçanta për të çarë përpara në fronte të vështira marrin përsipër ju besohen e i kryejnë vetëm luftëtarët besnik që cilësohen misionarë. Nuk kishte mision më të vështirë por dhe më fisnik, se sa të hapje shtigje të mbyllura për të plagosurit në luftë, për të sjellë furnizime e pajisje, vegla ushtarake e barot për luftëtarët që luftonin e vriteshin nëpër istikame në beteja me pushtuesit serb. T’ju dërgoje zjarr lirie atyre që kishin nevojë, ishte nder, përgjegjësi dhe mision fisnik. Fronteve të vështira nisen vetëm besnikët, të sprovuarit dhe të përgatiturit. I tillë ishte Sahiti me Memën, Prendën, Gegën e shokë të tjerë që bënin rrugën e vdekjes, për ta mposhtur vdekjen e luftëtarëve që prisnin armatime dhe municione, për të shpëtuar të plagosurit e për të transportuar ato nëpër borë e nëpër male, nëpër të ftohtë e nëpër rreziqe. Vdekja për t’i dhënë jetë Kosovës është dëshmi e sakrificës më sublime i luftëtarëve që përjetësuan fuqinë e pasosur të idealit njerëzor. Niseshin nga Shqiponja e kalonin përtej hundëve të piushtuesve e shërbëtorëve të tyre, vazhdonin drejt maleve të Pashtrikut, në një kohë kur bishat sllave e kishin bërë gardh kufirin që na ndante. Paramendoni prej Shqiponjës e deri në Vlahën, e në ato fshatra të thella malore të Hasit, duke përshkuar gjithë ato shtigje të ashpra e nëpër ato rreziqe, bënin rrugëtimin misionarët tanë që jetën e tyre ia kishin dedikuar lirisë. Janë të paktë si ata që i rezistojnë këtij rrugëtimi maratonik. Disa herë kishin triumfuar në këtë marshim, por rrugëtimi që nisi më 27 janar e vazhdoi me 28 dhe 29 janar 1999, mbeti një mision i papërfunduar për ta. Rreshtin e trimave e goditi prita armike tek Ura e Terzive, ku në betejë me skenarin e pritës ranë dëshmor dy luftëtarë të rreshtit të gjatë, e Sahiti me disa nga bashkëluftëtarët vazhduan rrugëtimin drejt Godenit për t’u përballur sërish me pritën e dytë ku mbetën të vrarë Mema dhe Prenda. Sahiti do të plagoset në këmbë gjatë përleshjes së armatosur në Goden. Të lodhur nga rruga, të mërzitur nga dhimbjet për humbjet e goditjet, luftëtarët tanë do të bashkohen në Rogovë të Hasit. Ende pa u çlodhur mirë, u gjetën të rrethuar nga armiqtë. Sahit Krasniqi nga Ratkoci me shumë bashkëluftëtarë të zot fituan përjetësinë në Rogovë të Hasit, me 29 janar 1999, duke lënë boshllëk të madh në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe te të gjithë ne. Rënia e aq shumë luftëtarëve në atë fund-janar tregon për përmasën e sakrificës dhe peshën e madhe të humbjes që patëm. 20 vjet pas Kosova ka ecur përpara, Kosova ka liri dhe ka fituar të drejtën që zyrtarisht të ketë edhe ushtrinë e vet. Historia jonë e re është shkruar me gjak trimash, që i dhanë jetë lirisë së Kosovës dhe shtat trupit të saj. Sa herë që rikthehemi në kujtimin e veprës së heronjve, krahas dhimbjes njerëzore që kemi për mungesën e tyre, gjejmë shembullin se çfarë duhet të bëjmë që rrugëtimi ynë, të jetë dinjitoz e ballëhapur. Atyre që me flijimin e tyre për atdhe, na bëjnë përherë krenar, ju themi me zemër: Lavdi!

Lavdi Sahit!

Kontrolloni gjithashtu

AAKV “Kastriotët” fitojnë dy çmime në manisfetimin kulturor-sportiv “Flakadani i Karadakut

Mbrëmë në edicionin e 23-të të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, “Flakadani i …