Frank Shkreli: Politika shqiptare nënshtruese ndaj interesave të huaja


Gjatë disa viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetare-kuturore në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqendruar në vendet me shumicë myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina.  Siç duket në frymën e kësaj fushate diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të mërkurën, më 23 tetor.  Mediet e Prishtinës  njoftojnë se zyrtarisht udhëheqësi turk po viziton Kosovën për të inauguruar  terminalin e ri  të aeroportit, “Adem Jashari” në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi.  Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do t’i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama — e gjithë këjo gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë — gjë që disa analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.


Fatkeqësisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjejnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohshme politike, ekonomike e të tjera.  Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia.  Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët.   Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel.   Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkërenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina — Kryeministri serb Daçiq — deklaroi ditët e fundit se  është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit — dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama.  Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani.  Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,”  ka thënë  Erdogan për televizionin turk TRT.


 


Kosova, është tepër e vogël për të folur kundër Islamit!  Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e tillë  është nën mëshirën e tij.  Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama, “Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e hidhur.  Krijimi i raporteve të mira do të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës dhe traditës së tjetrit.  Ne, si ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten.  Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte pikërisht feja.  Vendosëm që asaj të mos i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte fundosur.  Ashtu sikurse mund të na fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm”, i shkruan deputetja e Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.


Edhe udhëheqsi serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare, pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.  Hajde dreq e merre vesh këtë punë.   Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të pandërprerë anti-shqiptare.   Asnjë përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi Shqiptar?


Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të tjerve.  Shqiptarët megjithë vuajtjet e tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë.  Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të dyanshëm.  “Ne nuk mund t’ju akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj” thotë deputetja shqiptare, “por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh mirëkuptim.”


Duke shprehur ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë gjithashtu se, “Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve, dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet.  Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë nën dritën e tij”, shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.


Sa ironik është fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z.  Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë  dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtrimi për bashkim qëllimi  e ideje.  Sado tërheqëse që të jenë premtimet  për ndihma financiare dhe investimet nga të huajt, siç ka thënë edhe Mid-hat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a fitohet a humbet — por jo në çështjen kombëtare.”  


Në takimin e Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe ndërgjegjes ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.  Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqësues të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe më 1878.


 


Frank Shkreli: Amaneti i çuar në vend


 


Javën e kaluar, z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi më tej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesëmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqësit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’. 


Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.


Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.   


Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.


Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.


Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.


Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme. 


 Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.


Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …