Gani Salih Uka (7.9.1972 – 16.5.1999)

Gani Salih Uka (7.9.1972 – 16.5.1999)

Familja Uka e fshatit Ticë të Drenicës, çlirimit të Kosovës nga robëria serbe i ka dhënë dy vëllezër dëshmorë, Gani Uka dhe Ismet Uka. Babai Salihu dhe nënë Azizja rritën bijtë: Ismetin, Musliun, Mehmetin Samiun, Ganiun si dhe bijën Hanifen.
Ganiu u lind më 7 shtator të vitit 1972. Katër klasat e shkollës fillore i kreu në Ticë ndërsa tetëvjeçaren në fshatin Likoc. Pastaj ka kryer shkollën e mesme, në Skënderaj Me qëllim për ta ndihmuar familjen, Ganiu qysh i ri i rreket punës në bujqësi e ndërtimtari. Në vitin 1997 Ganiu me vëllezër, ndodhej duke punuar në Ulqin dhe në Tuz të Malit të Zi.
Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë, më 28 Nëntor të vitit 1997, shumë të rinj nga Drenica, që ishin duke punuar larg familjeve fillojnë në kthehen në familjet e tyre, meqë lufta për çlirimin e Kosovës, tashmë kishte filluar.
Në janar të vitit 1998, vëllezërit Gani Uka dhe Ismet Uka vendosin të kthehen nga Mali i Zi në Kosovë, ndërkohë që kishin mbetur atje për të punuar dhe për ta ndihmuar familjen, vëllezërit e tjerë: Mehmeti, Samiu e Musliu.
Në shkurt të vitit 1998, në shumë fshatra të Drenicës ishin formuar pikat e para të luftës së UÇK-së. Pikën e luftës në fshatin Plluzhinë e kishte themeluar Xhavit Ferizi i cili edhe ishte emëruar Komandant i Pikës. Kësaj pike pa vonuar i bashkohet edhe Ismet Uka dhe disa luftëtarë të tjerë. Më 28 shkurt, pas luftimeve të përgjakshme në Qirez dhe në Likoshan, 13 luftëtarët e parë të Plluzhinës dhe Ticës bëjnë betimin e ushtarit të UÇK-së dhe tregojnë gatishmëri për të luftuar kudo ku paraqitej nevoja.
Likoci, në pranverë të vitit 1998 ishte kthyer në një bastion të UÇK-së. Atje ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Shtabi i Zonës së Drenicës dhe Spitali ushtarak. Nga një fshat i pazhvilluar dhe i humbur i Drenicës, Likoci në verë të viti 1998 ishte bërë baza e luftës së Ushtrisë Çlirimtare, ku venin e vinin gazetarë nga vendi e bota dhe shumë diplomatë e politikanë të huaj.
Pas betejës, qëndresës dhe rënies heroike të Legjendarit, Adem Jashari dhe të Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat liridashëse të Kosovës ishin mobilizuar me shpejtësi të rrufeshme. Vetëm gjatë muajve prill, maj e qershor të atij viti, UÇK-ja ishte shtrirë në tërë Drenicën, ku ishin krijuar shumë baza e shtabe lokale të luftës.
Grupit të parë të UÇK-së, përveç Ismet Ukës, tashmë iu kishin bashkuar edhe Xhevdet Dani, pastaj Xhemajl Mehmeti, Sabri Mustafa, Nezir Jeta, Alush Jeta, Xhafer Nura e të tjerë. Ky grup kishte shkuar në ndihmë edhe në fshatrat Cerovikë të Klinës, Negroc të Drenasit etj.
Më 9 maj 1998, me rastin e bllokimit tsë Grykës së Llapushnikut, grupi i luftëtarëve të Ticës dhe Plluzhinës kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar me qëllim për ta zënë pikën strategjike të Drenicës dhe për t’i pamundësuar ushtarët dhe policët serbë të depërtonin në drejtim të trevës së Dukagjinit, Pejës e Gjakovës.
Ganiu, pas rënies së vëllait, Ismetit, më 29 qershor të vitit 1998, me pushkën e tij kyçet në radhët e luftës së UÇK-së. Edhe deri atëherë ai e kishte ndihmuar luftën në mënyra të ndryshme.
Me rastin e strukturimit të UÇK-së, në vjeshtë të vitit 1998, në fshatin Plluzhinë ishte themeluar kompania e Batalionit të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Komandant i Kompanisë ishte emëruar Latif Smakaj, ndërsa Gani Uka ishte emëruar komandant skuadre. Ai me bashkëluftëtarët e tij vepronte në fshatrat Ticë, Plluzhinë, Makërmal, Rezallë, Aqarevë e në fshatra të tjera.
Pas intervenimit të NATO-s kundër pozicioneve serbe, më 24 mars 1999, ushtarët dhe policët serbë kishin filluar një ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së dhe kundër popullatës civile shqiptare, me qëllim për dëbimin e saj në Shqipëri e në vende të tjera. Serbët kishin zbarkuar mijëra forca në Drenicë, ku rezistenca kundër tyre nuk kishte pushuar për asnjë ditë të vetme. Në kushte dhe rrethana të tilla, luftëtarët e lirisë ishin ndarë në grupe dhe vepronin në lëvizje nga një vend në tjetrin, ndërsa popullata ishte zhvendosur në lugina malesh dhe nëpër pyje.
Më 16 maj të vitit 1999, Gani Uka me disa bashkëluftëtarë ndodhej në shtëpinë e tij. Atë ditë, forcat serbe kishin sulmuar Ticën nga drejtimi i fshatit Turiçec. Luftëtarët e lirisë ndodheshin nën breshërinë e papushuar për asnjë çast të forcave serbe. Ndërkohë gjatë luftimeve Ganiu goditet për vdekje, ndërsa marrin plagë Miftar Dani i Açarevës, së bashku me nipin e tij, Xhemën, nga Ujmiri, pastaj Ujkan Dani, nga Tica, dhe Muharrem Deliu nga Rezalla. Dy ditë pas rënies, bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Gani Uka e varrosin në varrezat e fshatit, aty ku ishte varrosur edhe vëllai i tij Ismet Uka dhe bashkëluftëtari i tyre Xhemajl Mehmeti.
Gani Uka ka qenë i martuar dhe ka lënë një djalë, Ismetin, i cili bart emrin e xhaxhait dëshmor. Ismeti i ri ndihet krenar për babanë dhe xhaxhanë dëshmorë, Ai jeton tok me gjyshin dhe xhaxhallarët.
Familja e dëshmorit, Gani Uka ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …