Mr. Sadete Islamaj: URREJTJA POLITIKE NUK KURSEU AS DASMËN

Sot, më shumë se kurrë, po bëhet e qartë se sakrifica e atyre që luftuan për liri dhe dinjitet kombëtar po përpiqet të përdhoset nga interesat e ulëta të politikës, e cila udhëhiqet tash e sa vite nga Albin Kurti. Ishte pikërisht propaganda e tij, e cila përmes një lufte hibride, e përdorur në formë dekori, u përpoq ta bindë masën e gjerë, e në veçanti të rinjtë, për formimin e një Republike të re sipas modelit të tij donkishotesk. Është e dhimbshme t’i shohim sot këta njerëz se si, pa asnjë kontribut etik apo kombëtar, duan ta rishkruajnë historinë, duke bërë përpjekje maksimale që ta lënë në hije luftën dhe sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Nuk ka asgjë më të rëndë sesa kur sheh se si kjo kastë politike sulmon çdo ditë kujtesën kolektive dhe përpiqet ta përçajë popullin, duke i vënë në shënjestër veteranët e UÇK-së për t’i detyruar të heshtin mbi të vërtetën e luftës së tyre. Përdorimi i dhunës digjitale ndaj mendimit ndryshe është targetuar përballë fakteve historike. Shpesh, padrejtësia më e madhe nuk është vetëm harresa e qëllimshme, por edhe hipokrizia që përdoret përballë fyerjes.

Ka ngjarje që nuk të lëndojnë vetëm si qytetar, por të godasin thellë edhe si njeri, sidomos atëherë kur helmi politik i militantizmit pa kufi nuk respekton as ditën e dasmës së djalit të heroit tonë Shkëlzen Haradinaj – Luanit. Si duket, pjesëmarrja e bacës Rifat në dasmën e tyre dhe bashkimi i dy familjeve ikonike në një gëzim të përbashkët i trembi neojugosllavët.

Në vend që ajo ditë të mbushej me urime, respekt dhe nderime për dy familjet emblematike të kombit tonë, ato u sulmuan në formën më brutale nga komentet e njerëzve cinikë dhe të verbuar nga narrativa e propagandës së Albin Kurtit. Ky fakt real është forma më tragjike e kohës, sepse përmes saj ai po i zhvesh njerëzit gradualisht nga ndjenja e turpit dhe po krijon një model të ri servilësh, të cilët po i mëson se si të luftojnë kundër luftëtarëve të lirisë. Atëherë lind pyetja: çfarë shoqërie po ndërtojmë ne sot, kur urrejtja politike po bëhet më e madhe sesa respekti për luftëtarët e UÇK-së? Heronjtë nuk vdesin vetëm në luftë; ata vriten edhe atëherë kur shoqëria jonë i lejon këto fundrina t’i fyejnë dhe t’i sulmojnë në mënyrë verbale këto familje edhe në momentet më të rëndësishme të jetës së tyre.

Sot, dhimbja e kësaj shoqërie nuk duhet të jetë vetëm gjendja reale nëpër të cilën po kalojnë këto familje; sot dhimbje është edhe gjendja morale në të cilën ka rënë një pjesë e shoqërisë sonë. Dihet se kur humbet respekti për njerëzit që derdhën gjakun për lirinë e këtij vendi, humbet edhe dinjiteti dhe ndjenja njerëzore. Më të rëndë e bën këtë fakt heshtja e klasës politike, e në veçanti e Albin Kurtit, i cili për asnjë çast nuk u distancua nga gjuha e urrejtjes që po e përdorin bashkëpartiakët e tij, duke mos e ndjerë përgjegjësinë e postit të kryeministrit.

Tashmë është e qartë se kur pushteti ushqehet me fyerje, përçarje dhe linçime të tilla publike, nuk ndërton demokraci, por shkatërron themelet morale të një shoqërie. Një pushtet që nuk respekton themelet mbi të cilat është ngritur dhe ndërtuar gati dy dekada shteti, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën nëpër të cilën ka kaluar, por edhe të ardhmen e tij. Është e kuptueshme se nuk mund të ketë shtet të fortë mbi padrejtësi morale, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të vërtetë kur vlerat e luftës përdoren si dekor sipas interesave të politikës ditore.

Duke analizuar situatën nëpër të cilën po kalon Kosova dhe katrahurën brenda së cilës u katandis Drenica gjatë këtyre njëzet e katër orëve të fundit, nuk kam si të mos rikthehem në Shqipërinë e vitit 1997, atëherë kur, nën udhëheqjen politike të Sali Berishës, pati shpërthyer një luftë civile e ashpër. Përmasat e asaj tragjedie janë të paharrueshme dhe të pafalshme. Nuk dua të besoj se sot Albin Kurti po e luan lojën politike antikombëtare të Sali Berishës në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi- Basha: KOSOVA ECËN PËRPARA PËRBALLË NOSTALGJISË PËR TË KALUARËN

Zhvillimet politike në Serbi vazhdojnë herë pas here të prodhojnë deklarata dhe qëndrime që rikujtojnë …