Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete, Ganimete Musliu, ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme rëndësi nuk kanë numrat në listën zgjedhore, por kauzat për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në një reagim publik, Musliu ka kritikuar ish kryeministrin Albin Kurti dhe ish presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ata janë të gatshëm “të shkelin gjithçka për të përmbushur apetitet e tyre për pushtet”. “Prandaj në këtë përballje, numri në listën zgjedhore nuk është ai që ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi janë kauzat për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Musliu. Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar edhe një bisedë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me renditjen e kandidatëve në listën zgjedhore, duke theksuar se asnjëherë nuk ka insistuar për numër në listë, pavarësisht se në pesë palë zgjedhje radhazi është renditur ndër deputetët më të votuar të partisë. Sipas saj, politika nuk duhet parë si garë për privilegje personale, por si mision dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit. Në postimin e saj, ajo përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se ai kishte ngritur grushtin lart në ditët më të vështira si simbol i unitetit dhe përballjes me sfidat politike e kombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
