Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Albin Kurti se është angazhuar në heshtje për lirimin e krerëve të UÇK-së, nç Hagë. Syla tha se gjatë takimeve të organizatës me ambasadorë të ndryshëm e euro deputetë, asnjëherë nuk është përmendur ndonjë interesim apo veprim diplomatik nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje. “Kemi punuar shumë në rrafshin diplomatik. Për çudi, shumë ambasadorë që i kemi takuar, por edhe euro deputetë, asnjëherë nuk na kanë thënë se ka pasur interesim nga shteti i Kosovës, apo nga kryeministri Kurti, siç pretendon ai”, deklaroi Syla. Ai shtoi se, sipas diplomatëve, Organizata e Veteranëve të Luftës ka qenë e vetmja që ka ngritur zërin dhe ka kërkuar reagime ndërkombëtare për ish-krerët e UÇK-së. “Nuk është e vërtetë ajo që ka thënë Kurti. Të paktën me ambasadorët që jemi takuar ne, askush nuk na ka përmendur ndonjë përfshirje apo interesim të tij të mëhershëm”, përfundoi Syla.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
