Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër kanë nxitur reagime nga faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Pas Bashkimit Evropian, reagim ka bërë edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila ka vlerësuar se deklaratat e tilla nuk janë në përputhje me objektivin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar: “Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për të bërë përparim në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv”, ka thënë zëdhënësi. Ambasada gjermane u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të pengojnë përparimin e procesit të normalizimit përmes dialogut. Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb. “Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë. “Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, është shprehur ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
