Halit Sokol Qallapeku (26.10.1965 – 8.4.1999)

Halit Sokol Qallapeku (26.10.1965 – 8.4.1999)

Kur policia serbe kishte shkuar për ta marrë trupin e një kolaboracionisti të ekzekutuar në fshatin Qëndresë (ish-Terstenik) të Drenasit, pak kohë pas epopesë së Prekazit, kishte ikur e tmerruar nga uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe armët e luftëtarëve çlirimtarë të cilët e kishin ngritur pikën ushtarake në këtë fshat. Për këtë ngjarje pati njoftuar edhe televizioni i atëhershëm i Prishtinës i cili shërbente si zëdhënës i politikës shtetërore të Serbisë fashiste. Folësja bastarde e mbiquajtur Hajrie “Spikerica” kishte dhënë lajmin se te vendi i quajtur Dy Lisat Binjakë në fshatin Terstenik, policia kishte parë “terroristë” të uniformuar e të armatosur. Ky nuk ishte ndonjë lajm i rrallë e befasues, pasi tashmë uniforma e UÇK-së dhe luftë- tarët e lirisë ishin përhapur rrufeshëm pothuajse në tërë trevën e Drenicës, fshat më fshat e lagje më lagje. Mirëpo gjithsesi lajmi ishte i rëndësishëm për faktin se pas asaj dite, policisë serbe i ishte ngushtuar fronti i lëvizjes edhe për një segment të caktuar.

Menjëherë pas sulmit tinëzar serb në Qirez e Likoshan dhe sidomos atij në Prekaz, në fundshkurtin dhe fillimarsin e vitit 1998, djemtë dhe burrat e fshatit Qëndresë ishin mobilizuar për ta organizuar rezistencën kundër forcave të pushtuesit shekullor serb, të bindur se kishte ardhur koha kur këtyre forcave duhej përgjigjur me krismën e armëve të lirisë.

Për këtë qëllim, luftëtarët :Halit Qallapeku, Halim Qallapeku, Hamdi Qallapeku, Mujë Qallapeku, Rexhep Qallapeku, Hajrush Qallapeku, Bajram Qallapeku, Tafil Spahia, Sahit Spahia, Imer Mulaj, Vesel Hajdinaj e trima të tjerë, e kishin formuar pikën ushtarake, të gatshëm për t’u përballur me pushtuesin. Rol të rëndësishëm për këtë organizim kishte luajtur dëshmori Halit Qallapeku, i cili me insistim të madh kishte ndikuar që pa humbur kohë të formohej pika ushtarake. Ai, madje kishte vënë shtëpinë në dispozicion të bashkëveprimtarëve, ku ata takoheshin dhe bënin planet organizative. Përgjegjës i pikës te Dy Lisat Binjakë të Qëndresës II ishte caktuar Halim Qallapeku. Njëri prej luftëtarëve të devotshëm të saj ishte edhe dëshmori Halit Qallapeku. Armatimi i luftëtarëve të kësaj pike përbëhej nga një mitraloz i lehtë, një automatik AK-47, tri pushkë gjuetie, një pushkë e prodhimit italian dhe një pushkë M-48 . Po ashtu, secili prej luftëtarëve ishte i pajisur edhe me nga një bombë dore.

Dëshmori Halit Qallapeku është i lindur më 26 tetor të vitit 1965 në Qëndresë të Drenasit. Ishte djalë dëshiri i prindërve Sokol e Sabile Qallapeku dhe vëllai i vetëm i pesë motrave: Mehries, Shukries, Shahës, Xhevries dhe Shehries. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit Qëndresë, kurse arsimin e mesëm në Qendrën Arsimore të Mësimit të Orientuar në Drenas. Pastaj në Prishtinë regjistroi studimet në Fakultetin Ekonomik, por për arsye të kushteve të dobëta ekonomike, nuk i përfundoi. Për të siguruar kushtet ekonomike të familjes u mor me punë bujqësie. Përveç punëve në bujqësi, në kohën e lirë Haliti merrej edhe me sportin e karatesë, për të cilin kishte pasion. Aftësinë e tij në këtë sport e dëshmonte edhe shiriti i zi i cili i ishte dhënë nga klubi ku kishte ushtruar. Ndërkohë u martua me bashkëshorten, Hasimen, të cilëve u lindën fëmijët: Doruntina, Leutrimi, Floriani dhe Sokoli.

Angazhimin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haliti e pranoi me devotshmëri. Për të parën herë uniformën e kësaj ushtrie e kishte takuar në një pikë kontrolli në Garrapole të fshatit Baicë të Drenasit derisa po shkonte drejt Likocit, së bashku me kushërirët bashkëluftëtarë, Halimin, Mujën e Rexhepin për të vënë kontaktet me eprorët ushtarakë, me qëllim të marrjes së përgjegjësive ushtarake. Pas ngritjes së pikës ushtarake Te Dy Lisat Binjakë, së shpejti pika të tilla u formuan edhe në lagjet e tjera të fshatit Qëndresë, Bazaj, Gjokaj, Gashani e të tjera. Në këto rrethana, fshati Qëndresë u bë zonë e lirë, nëpër të cilën nuk mund të kalonin forcat serbe, e që mbeti e tillë deri në kohën e ofansivës së përgjithshme në shtator të vitit 1998.

Meqenëse nevojat e këtyre pikave, por edhe e atyre të fshatrave të tjera dhe të Shtabit të UÇK-së në Likoc, për armatim ishin të mëdha, bashkëluftëtarët e pikës ushtarake ku bënte pjesë Haliti, në pranverë të vitit 1998 shkuan në Shqipërinë administrative për të marrë armë e municion. Grupin e parë të luftëtarëve furnizues e kishte udhëhequr kushëriri i Halitit, Mujë Qallapeku. Në radhët e grupit të dytë të luftëtarëve prej rreth 1200 vetash që u nisën për në Shqipëri me qëllim armatimi, në korrik të vitit 1998 ishte edhe Haliti. Këta luftëtarë nga tërë zona e Drenicës, një pjesë të rrugës tashmë e kaluan nëpër zonën e çliruar nga UÇK-ja, duke filluar nga Qëndresa, nëpër Terdec, Negroc, Malishevë e deri në Gllogjan.

Haliti me bashkëluftëtarë kishte marrë pjesë në beteja të shumta, jo vetëm në fshatin Qëndresë e në fshatrat përreth, por kudo që e kërkonte nevoja, që nga Likoci, Açareva, Llapushniku e deri në Kijevë.

Pas ristrukturimit dhe zgjerimit të UÇK-së, në vjeshtë të vitit 1998, Pika ushtarake e Qëndresës u përfshi nga Brigada 113 “Mujë Krasniqi”, e komanduar nga eprori Hysni Shabani. Haliti komandoi Skuadrën e Parë, në kuadrin e Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë, të komanduara përkatësisht nga Naim dhe Ferat Bazaj. Në krye të kësaj kompanie, Haliti qëndroi deri në ditën e rënies në altarin e lirisë, më 8 prill të vitit 1999. Atë ditë, pas bombardimit nga aeroplanët e NATO-s të caqeve ushtarake serbe në fshatrat Arllat, Terdec e në vende të tjera, aksion të harmonizuar kundër forcave serbe, në tokë ndërmorën edhe pjesëtarët e UÇK-së, duke mbrojtur njëkohësisht edhe popullatën e strehuar në fshatin Terdec, e në malet e Kozmaqit. Në luftime e sipër në Kozmaq, atë ditë, Haliti goditet nga granata e pushtuesit serb dhe bie në fushën e nderit. Përkrah tij bie edhe bashkëluftëtari i Halitit, Osman Gjoka nga Qëndresa, ndërsa plagosen Xhevat Gjoka e Maliq Franca, që të dy nga fshati Qëndresë, nga radha e popullsisë civile.

Varrimi i dëshmorit Halit Qallapeku u bë në fshatin Terdec, te vendi i rënies, nga bashkëluftëtarët Mujë Qallapeku, Rexhep Qallapeku, Milaim Mula e të tjerë. Pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1999, u bë rivarrimi i trupit të dëshmorit, te Dy Lisat Binjakë. Atje ku edhe e kishte nisur aktivitetin ushtarak, vazhdojnë të prehen të qetë eshtrat e dëshmorit Halit Qallapeku.

Në luftën çlirimtare të UÇK-së kanë rënë edhe djali i axhës së Halitit, Ismeti nga radhët e popullsisë civile, si dhe kushërinjtë, Hamdiu e Muja (dëshmorë), kurse janë plagosur Qazimi, Bajrami, Hajrushi e Arsimi.

Dëshmori Halit Qallapeku, duke flijuar jetën në shërbim të lirisë së tokës stërgjyshore, çoi në vend traditën atdhetare të gjyshit të tij, Ramë Qallapeku, i cili në fund të Luftës së Dytë Botërore kishte luftuar në radhët e formacioneve vullnetare të Shaban Polluzhës, së bashku me dy djemtë e tij, Bajramin e Sokolin. Atëherë, gjyshi i Halitit ishte kapur e dënuar nga çetnikët serbë dhe ishte dërguar në burgun famëkeq të Nishit, ku edhe kishte vdekur. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …