Haliti dhe Sveçla bisedojnë për tejkalimin e situatës

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur në takim u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla. Gjatë këtij takimi ata kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve për ta tejkaluar sa më lehtë situatën me COVID-19. Megjithatë Kryetari Haliti e njoftoj Sveçlen me përpjekjet dhe organizimin e komunës për ta luftuar rrezikun e përhapjes së gripit pandemik. “Jemi në gatishmëri të plotë me të gjitha komponentët e rëndësishme për të mbajtur situatën nën kontroll. Kemi gjashtë vatra të përhapjes së infektimit, të cilat edhe zyrtarisht janë shpallur si të tilla nga Ministria e Shëndetësisë. Po vazhdojmë të gjurmojmë kontaktet e reja në mënyrë që të ndërpritet përhapja. Kemi pasur mungesa në pajisje, por do t’ia dalim me angazhim te pakursyer. Jemi duke vazhduar edhe me dezinfektim dhe klorifikim si dhe me shpërndarjen e të mirave materiale për komponentën sociale”, ka thënë kryetari Haliti. Ushtruesi i detyrës së ministrit Xhelal Sveçla tha se vizita në Viti është në kuadër të vizitave që po i bën nëpër komuna për të parë nga afër punën e Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësve. “Policia duhet të ruhet sepse është në vijën e parë të frontit dhe ka kontakt të drejtpërdrejt me qytetarët. I pashë edhe zjarrfikësit dhe mund të them se më dhemb zemra për ta sepse e kanë punën e rëndë. Kemi nevojë për më shumë informata nga terreni. Vitia është goditur e para dhe e ka pasur më vështirë. Ju inkurajoj që të mundoheni sa më shumë që ta ndalojmë përhapjen. Po ka mjaft vështirësi dhe mungesa. Lufta kundër gripit pandemik është e lodhshme por do t’ia dalim. Shpresojmë se sistemi do të qëndrojë”, ka thënë Sveçla. Sveçla ka qëndruar edhe në fshatin Ballancë, ku ka parë nga afër përpjekjet e zjarrfikësve në fikjen e zjarrit që ka shpërthyer në atë zonë. Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiteni Afrim Halili tha se bashkëpunimi me komunën është në nivel dhe bashkarisht situata deri tani po menaxhohet mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …