Hapet zyra për mbrojtjen e konsumatorëve në Komunën e Ferizajt

Komuna e Ferizajt është bërë edhe me zyrën për mbrojtjen e konsumatorit e cila do të jetë në shërbim të qytetareve ferizajas rreth parregullsive që mund të hasen në treg. Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm në komunën e Ferizajt, Zekir Bytyqi thotë se kjo adresë e re është një hap më tutje që qytetarëve të këtushëm tu jepet mundësia të jenë sa më bashkëpunues me institucionet, por edhe të ketë më shumë rend e rregull ne treg aty ku shërbehen konsumatorët. Ai tutje është shprehur se me hapjen e kësaj zyreje po plotësohet edhe një premtim i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ndërkaq përfaqësues nga Këshilli për mbrojtjen e konsumatorit i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që të vizitojnë këtë zyrë sa herë që e shohin të arsyeshme kur kanë ndonjë ankesë rreth shërbimeve apo blerjeve në treg. Sherif Fejzullahu udhëheqës i këtij këshilli tregon se ka disa raste kur janë shqiptuar edhe gjoba kur konsumatorët kanë pasur të drejt në ankesat e bëra. Edhe përfaqësues nga Ministria për Tregti dhe Industri si dhe nga shoqata “Konsumatori” pohojnë se po fillon një kapitull i ri për ekonominë feriazjase me themelimin e kësaj zyreje. Mervan Rexhepi, këshilltari i ministrit Endrit Shala, tha se shkeljet që do të mund të dononcohen këtu duhet të fillojnë nga produktet me afat të skaduar, deri tek ankesat për përdorim të duhanit aty ku është e ndaluar. U bë e ditur Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu me një vendim ka emëruar zyrtarin Maliq Muharremi në krye të zyrës për mbrojtjen e konsumatorit dhe për pas pak kohësh do dilet me një raport për ankesat e para të raportuara. Ndërkaq të gjithë qytetarët do të mund ti drejtohen zyrën edhe në këtë numër të telefonit 049961249 i cili do të jetë pa pagesë.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …