Heronjtë Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici përjetësohen në pullat postare të Kosovës

Në 20- vjetorin e rënies së Heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe SelajdinMullabazi-Mici nga qyteti i Rahovecit në sallën e kuvendit komunal të Rahovecit, Posta e Kosovës ka bërë përurimin e pullave postare për Heronjtë Toni dhe Mici. Në ceremoninë e organizuar për përurimin e pullave postare për Heronjtë Toni e Mici, i pranishëm ishte kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtor, Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, familjar, bashkëluftëtar të Tonit e Micit dhe shumë qytetarë. Në fjalën e tij kryetari Latifi, është shprehur se sot është edhe një nder që i bëhet Rahovecit me rrethinë, pasi që Heronjtë tanë Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi, në njëzet vjetorin e rënies për liri, po jetësohen në një pullë postare, që ka emblemat e luftës për çlirimin e Kosovës. “Në 20-vjetorin e dëshmorëve të kombit që ranë tek kryqi i Opterushës jemi të lumtur që figurat e tyre të gdhendura në gurë e pllaka përkujtimore, sot po  marrin edhe një dimension tjetër, siç është pulla postare që do të arrij në çdo skaje të globit” ka thënë ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari Latifi. Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës tha se sot është një ditë e veçantë dhe e lumtur për mua sepse posta e Kosovës lëshon në qarkullim një pullë postare shumë të vlefshme, e cila u dedikohet dy Heronjve të Kombit Xhelal hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici. “Toni dhe Mici ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me trimërinë dhe shkathtësitë e tyre ushtarake, ata motivuan shumë të rinj dhe të reja që tu bashkohen UÇK-së edhe në rrethinën e Rahovecit por edhe në të gjithë Kosovën”, ka thënë kryeshefi Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …