Hydajet Hyseni : E vërteta dhe hapësira për të vërtetën është shprehje domethënëse e simbolike e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë

 


(Fjala e Hydajet Hysenit mbajtur në Akadaeminë kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës)

Sot na ka bashkuar Enver Hoxha. Na ka bashkuar e vërteta për veprën e Enver Hoxhës për Kosovën.
Nderimin dhe falënderimin për Enver Hoxhën, Kosova dhe brezat e saj atdhetarë e kanë manifestuar edhe atëherë kur kjo ishte e ndaluar. E kanë manifestuar në dolli dasmash e festash, në mbledhjet e fshehta, në auditorë, salla teatri e halla sportive, madje edhe në stadiumin e Beogradit, madje edhe në kazerma të Armatës Jugosllave e nëpër kazamatet e shumta shoviniste. Më e pakta që mund të bëjmë sot është të themi hapur e pa ekuivokë të vërtetën.
Ky përvjetor jubilar, për dallim nga përvjetorët e tjerë, e gjen Kosovën në liri, tashmë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.
E vërteta dhe hapësira për të vërtetën është shprehje veçanërisht domethënëse e simbolike e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë, është një dëshmi dhe masë e saj.
Për lirinë e fituar ne zakonisht falënderojmë gjithë ata që na kanë ndihmuar aq shumë, Amerikën, vendet e Evropës dhe vendet e tjera mike, liderët Bush e Klinton, Bler, Shirak, Shreder, Demirel, Mesic, Kuqan e të tjerë. I falënderojmë ata me të drejtë, por ndodh shpesh që pa të drejtë të harrohet kontributi i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe prijësve të saj të mëdhenj, atyre të sotëm dhe atyre të djeshëm, atyre të gjallë dhe atyre të pavdekshëm. Midis tyre padyshim një vend të veçantë zë Enver Hoxha.
Vepra e Enver Hoxhës për Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare qoftë si opus krijues qoftë si angazhim konkret, qoftë për nga sasia e qoftë për nga cilësia, qoftë për nga gjerësia, qoftë për nga thellësia e qoftë për nga largpamësia, është e jashtëzakonshme dhe objektivisht e paarritshme nga cilido nga emrat e respektuar të bashkëkohanikëve të tij, madje edhe nga disa të tillë bashkë.

Gjysmëshekulli – luftë për kauzën kombëtare

Enver Hoxha është nga atdhetarët dhe revolucionarët e rrallë që mbeten të tillë gjatë gjithë jetës së tyre. Që nga betimi i tij para trupit të patriotit Bajo Topulli, nga koha e luftës çlirimtare, kur programin e “Shqipëria ç’ka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet” e mbante gjithmonë me vete e deri në çastet e fundit të jetës, kauza kombëtare dhe ëndrra e bashkimit për Enver Hoxhën, ishin kredo jetësore, çështje mbi të gjitha çështjet dhe siç shkruante “çështje gjithmonë në rend dite…”.
LDB e gjeti kombin shqiptar dhe veçanërisht viset e pushtuara shqiptare në një kontekst të rrezikshëm historik e gjeostrategjik. Nga një anë nazifashizmi që pushtimin e Shqipërisë, Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare i shiste si bashkim të shqiptarëve, nga ana tjetër shovinizmi pansllavist që synonte gllabërimin e Shqipërisë dhe po ashtu bashkimin e saj me viset e tjera të pushtuara nën sundimin e tij, kurse pjesa tjetër e Evropës vazhdonte të ishte rob i zgjidhjeve të padrejta të Versajës.
Që nga fillimi e në vazhdimësi Enver Hoxha u përcaktua për parimin e vetëvendosjes së popujve, parim të cilin, në kohën e tyre, e mbështesnin nga një anë Lenini dhe presidenti Uilson, kurse më vonë aleanca antifashiste. Rreshtimin në bllokun fitimtar antifashist në luftën antifashiste, si dhe marshimin e Ushtrisë Shqiptare në Kosovë e Sanxhak, ai e vinte gjithmonë në funksion të krimit të kushteve për realizimin e vetëvendosjes dhe bashkimit. Koha dëshmoi se rreshtimi i Shqipërisë dhe Kosovës në aleancën antifashiste ishte i drejtë dhe bëri që Tirana të jetë kryeqyteti i parë i çliruar, edhe atë me forcat e veta, ndërkaq Enver Hoxha – njëri nga liderët më të respektuar që nga personalitete si Sharl de Gol e të tjerë. Mbi këtë bazë atëbotë u pamundësuan planet për ta shpallur gjithë popullin shqiptar dhe veçanërisht atë të viseve të robëruara palë të mundur dhe në këtë mënyrë t’i gatuhej atyre fati i folksdojçerëve të Vojvodinës apo shqiptarëve të Çamërisë etj. Gjysmë shekulli më vonë, ishte ky kapital historik nga koha e aleancës antifashiste që, pos të tjerash, i siguroi Kosovës përkrahjen shpëtimtare ndërkombëtare.
Përpjekjeve të shovinistëve të tipit të Tempos për ta pamundësuar vetëvendosjen e Kosovës nën pretekstin e kundërshtimit të parullës fashiste së “Shqipërisë së Madhe”, Enver Hoxha i përgjigjej: “Nuk do të lejojmë kurrë të mendohet se meqë godasim bartësit e pseudoparullës “Shqipëri e madhe”, ne qenkemi për ndonjë “Shqipëri të vogël”,… ne s’jemi as për ndonjë Shqipëri të madhe dhe as për të vogël. Jemi për Shqipërinë e cila si truall dhe si komb është një dhe vetëm një”. Edhe në komunikim me Titon, Stalinin dhe gjithë të tjerët Enver Hoxha e mban si lajtmotiv qëndrimin “Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”.
Në të gjitha kthesat e forta diplomatike, lidhjet dhe zgjidhjet e aleancave, një faktor imponohet si determinues: vendi i Jugosllavisë dhe pozicioni i saj, që s’mund të mos çojë në përfundimin se ishte interesi kombëtar, fati i Kosovës me vise, ai që përcaktonte edhe pozicionimet politike e diplomatike të Shqipërisë. Gatishmëria për t’u konfrontuar qoftë edhe me aleatët politikë e ideologjikë kur këtë e kërkon interesi nacional, nuk mund të mos jetë kriter për vlerësimin e atdhetarëve, siç thoshte atdhetari Hysen Tërpeza, pikërisht duke vlerësuar shqiptarizmin e pakontestueshëm të Enver Hoxhës.
Si pragmatist dhe taktiken i rrallë që ishte, Enver Hoxha kombinonte dhe zëvendësonte me zhdërvjelltësi format dhe metodat e luftës për lirinë e Kosovës dhe viseve të tjera… Ka dëshmi të shkruara e të pashkruara, sipas të cilave, në fund të luftës, kur u bë e qartë se për shkak të tradhtisë së kreut të PKJ dhe veglave të tij, Kosova nuk po bashkohej dot me Shqipërinë, Enver Hoxha porosiste Fadil Hoxhën, Selman Rizën dhe ndonjë atdhetar e intelektual tjetër kosovar, që të përgatiteshin për luftë afatgjate duke u përqendruar veçanërisht në pengimin e kthimit të kolonistëve, pamundësimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, kujdesin për politikën demografike e migruese, me theks të posaçëm, ruajtjen e popullimit në qytete dhe veçanërisht kujdesin për shkollën, kulturën, gjuhën, moralin… Tradita e dërgimit të mësuesve nga koha e Hilë Mosit e Ernest Koliqit u vazhdua me dinamikë dhe përmasa të shtuara edhe nga qeveria e pasluftës e Enver Hoxhës…
Kur kreu serbomadh po ringjallte planet për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Enver Hoxha godet me forcë siç dinte ai. Trandet dhe reagon me histeri e fyerje i gjithë kreu politik në Beograd e Prishtinë, por vetëm ndonjë vit më vonë ata u detyruan të flasin me turp për aferën e dhjetëra mija shqiptarëve të shpërngulur dhe po aq “visikave” ( vizave) të pashfrytëzuara për në Turqi.
Enver Hoxha i ishte kundërvënë me forcë dhe me efektivitet planit përbindësh për ta gllabëruar Shqipërinë gjoja si republikë e shtatë dhe për ta shfrytëzuar edhe Kosovën dhe çështjen e saj si karrem mashtrues, por më vonë ai përkrahu pa rezervë përpjekjet për status republike dhe barazim me popujt e Jugosllavisë së atëhershme.
“Varet, thoshte ai, kush qëndron pas saj, kush e inicion dhe pse e inicion… Demonstratat që u bënë janë prelude të simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosovës, shkruante ai. – Zjarri u ndez edhe më shumë. Tash ai nuk do të shuhet më kurrë. Më kot titistët bërtasin se po ndërhyjmë ne. Jo, ky zjarr vatrën e ka brenda vetë Kosovës. Zjarrin e ndez patriotizmi i kosovarëve dhe kërkesat e ligjshme të tyre”.
Dhe i thoshte këto në kohën kur nën udhëheqjen e tij Shqipëria po i tregonte rrugët jashtë Shqipërie Traktatit famëkeq të Varshavës që kishte gjakosur Pragën e Budapestin.
Kthesën e pasbrioneve në Jugosllavi, Enver Hoxha e vlerësonte drejt, dhe e shfrytëzoi për ta rishtruar çështjen e Kosovës, për ta avancuar dhe për ta përshtatur strategjinë e luftës për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare.

Kujdesi për Kosovën, obligim i përhershëm patriotik

Enver Hoxha demaskonte pa mëshirë demagogjinë mashtruese për gjoja të arriturat e papara të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, por ai u gëzohej seriozisht sukseseve që shënoheshin në cilëndo fushë dhe angazhohej për mbështetje të tyre pa rezervë…

“Kosovarët duhet ta kenë të qartë se ne nuk nënvleftësojmë përpjekjet e tyre…

Ne shohim me kënaqësi përparimet që bëhen… Aktualisht ne nuk zëmë në gojë për të keq emra të udhëheqësve kosovarë… Në kushtet e krijuara çdo shqiptar atje, nga më i vogli e deri te më i madhi, në një mënyrë apo në një tjetër, jep kontributin e tij për forcimin e pozitave të popullsisë shqiptare… Intelektualët dhe rinia shqiptare luajnë dhe do të luajnë një rol të madh në mbajtjen gjallë të patriotizmit të kulluar shqiptar”, shprehej ai.
“Sado që të bëjmë për Kosovën, pak është… ndihma që i japim Kosovës nuk është diçka e rastit, por një vijë politike me rëndësi të madhe kombëtare…”.
Enver Hoxha i kushtonte kujdes të posaçëm literaturës që kërkonte Kosova dhe porosiste, po qe nevoja, te hiqet emri i tij nga librat…Edhe nga këngët. Reagonte ashpër kur nuk botoheshin veprat e shkrimtarëve kosovarë, ose kur nuk jepej ndonjë film, dramë, apo koncert nga Kosova… Në ditarin e tij merret me një poezi, një këngë nga Kosova, me një kuadër të ri, si Ismet Gucia…
Enver Hoxha theksonte në vijimësi karakterin demokratik të lëvizjes çlirimtare dhe shpesh kërkesat kombëtare i quante kërkesa demokratike.
“Rinia e sotme shqiptare, shkruante ai, e ka të theksuar ndjenjën e demokracisë së vërtetë që do të thotë urrejtje kundër pseudodemokracisë shoviniste serbomadhe…”.
Edhe pavarësisht qëndrimit tepër të ashpër ndaj feve, kur bëhej fjalë për Kosovën ai porosiste që të ruheshin dhe të shfrytëzoheshin edhe tempujt fetarë si vende bashkimi e mobilizimi…
Ai i fshikullonte ashpër format abstrakte e hermetike në letërsi e arte, por kur vinte fjala për Kosovën, porosiste që të mbaheshin kritere të tjera dhe të mos harrohej fakti se artistët e Kosovës krijonin në robëri.
E konsideronte me të drejtë njësimin dhe standardizimin e gjuhës shqipe si një fitore historike të kombit, por vetë përdorte, sigurisht jo rastësisht, edhe forma të të folmes gegërishte.
Enver Hoxha godiste pa mëshirë shovinistët jugosllavë dhe shërbëtorët e tyre, por kur e donte interesi i kombit dhe kauzës shqiptare ishte i gatshëm edhe për kompromise dhe korrigjim të qëndrimeve të tij… A mund të bisedohet edhe me Fadil Hoxhën. Po mundet, thoshte, edhe me Fadil Hoxhën. Më mirë është të jetë në krye të Kosovës një shqiptar se një shovinist. Ai i porosiste krerët e Kosovës që të mos harrojnë se lëshimet e Titos ishin “Politikë koniunkturale e Titos, për t’u kthyer shpejt tek e vjetra…”.
“Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, porosiste Enver Hoxha, duhet ta kuptojnë mirë një gjë, që forcën e kanë në popull dhe jo në famën personale…të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien në provokacionet e serbëve, por t’i mbrojnë të drejtat a tyre dhe t’i mbrojnë tok me masat, të mos lejojnë armiqtë t’i akuzojnë masat për shovinizëm dhe këta vetë të mos hiqen si prudentë dhe të zgjuar, kur tërhiqen nga frika dhe lënë popullin në baltë…”.
Enver Hoxha kishte qëndrim të ashpër ndaj bllokut ballisto-zogist, por kur bëhej fjalë për Kosovën dhe ballistët e Kosovës, ai jo vetëm që sugjeronte qëndrim tjetër fare, por takoi me nismën e tij personalitete si Demë Ali Pozhari, etj. “Nacionalistët kosovarë luftonin pushtuesit dhe forcat çetnike…theksonte ai duke porositur madje kosovarët: “Shqiptarët e Kosovës po luftojnë dhe duhet të luftojnë të bashkuar dhe në unitet, ndryshe i merr lumi… Ku është bashkimi është shpëtimi”.
Për arsyet që dihen, atëbotë, ai e kundërshtonte NATO-n, por në analizat e tij për mundësinë e ndërhyrjes sovjetike në Ballkan llogariste shumë në reagimin pozitiv të NATO-s.
Enver Hoxha ishte shqiptar i madh por jo shqiptaromadh. Ai porosiste shqiptarët që të mos bien në pozita shoviniste dhe të mos ngatërrojnë shovinizmin serbomadh me popullin serb. “Shovinizmin kërkojeni dhe do ta gjeni gjetiu dhe jo te shqiptarët e Kosovës, dhe as tek ata të RPSSH që përbëjnë një popull. Parulla Kosova etnikisht e pastër, nuk është parullë e shqiptarëve por e serbomëdhenjve për ta mbytur në gjak Kosovën… Dhuna dhe terrori shovinist janë vetëvrasje”.
E urrente me shpirt Titon, por kur analizonte interesin e Kosovës dhe kombit, shprehej: “Eh, sikur të jetonte edhe dy-tre vjet…”.
Pavarësisht nga dëshirat, ai parashikonte me largpamësi profetike furtunën që po vinte. Qysh më ’72 ai shkruante: “Mbreti Tito jetoi si mbret me moton: pas meje le të bëhet kiamet…”.“Se çdo të ndodhë pas Titos ne e kemi parashikuar para Titos”.
Në kohën kur Titos i jepeshin mirënjohje e doktoratura nderi me motivacion për kontributin për zgjidhjen e çështje nacionale, Enver Hoxha përgjigjej se: “Çështja nacionale nuk zgjidhjet me slogane si ai vëllazërim-bashkim. E vërteta për çështjen nacionale në Jugosllavi, shkruante ai, do ta tmerrojë Titon, në varr pas vdekjes”.
Ai parashikoi në mënyrë profetike edhe rrjedhat e mëvonshme në Jugosllavi.
“Në qoftë se vendoset hegjemonia serbomadhe, pavarësisht nga kamuflazhet demagogjike, Jugosllavia do të kthehet më keq se ç’është sot, në një vend me diktaturë të hapët fashiste e cila do t’i shtypë egërsisht popujt e ndryshëm që e përbëjnë, do t’i zhdukë edhe format më të zbehta aktuale të “demokracisë” e të vetëvendosjes dhe do të vendoset terrori i zi…klani serbomadh do të luftojë për ta ruajtur formën federative për t’i mbajtur nën zgjedhë popujt e tjerë…”.
Enver Hoxha e kishte parashikuar edhe revanin revanshist të Beogradit që mori formën e Librit të Kaltër, por edhe shpërthimin e vazhdimësisë së simfonisë patriotike të Kosovës, pranverën e vitit 1981. Shumë vite më parë ai shprehej: “Ç’do të ngjasë pas Titos? Çdo gjë do të shkatërrohet se e shkatërruar ishte. Çdo gjë do të falimentojë se e falimentuar ishte. Çdo gjë do të demaskohet se blof ishte, kala e ndërtuar mbi rërë ishte…
Kurse për Kosovën shprehej: “Ç’do të bëhet Kosova? Tendenca dhe lufta e klanit serb është dhe do të jetë ta gllabërojë në Serbi. Ta skllavërojë. Varet shumë çdo të bëjnë kosovarët. Do të luftojnë… apo do ta shpallin Republikën e pavarur të Kosovës…? Pra, populli i Kosovës vendos dhe reziston deri në fund…”.
Prandaj ngjarjet e vitit 1981 nuk e befasuan dhe as e hutuan Enver Hoxhën. Ai i përkrahu kërkesat e popullit të Kosovës dhe rinisë së tij pa rezervë dhe pa ekuivokë dhe e arsyetoi si askush kërkesën kompromis Kosova – Republikë! “Minimalja që kërkuan ata është t’i njihet Kosovës statusi i Republikës”, shprehej ai.
Djelmoshat dhe çupat e Kosovës, që po shënonin faqe të reja lavdie e heroizmi, të cilët kreu i Kosovës i quante “plehu i Kosovës”, Enver Hoxha i quante lulet më të bukura të Kosovës. Kah Kosova, siç thuhej atëherë, ishin drejtuar të gjitha bateritë. Tashmë nuk është sekret se artikujt kumbues të Radio Tiranës dhe të shtypit shqiptar ishin, pos të tjerash, edhe gjuha dhe lapsi i vetë Enver Hoxhës.
Enver Hoxha e parashikonte si të pashmangshme edhe luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës. Tanimë nuk është sekret: ishin bërë edhe planet dhe përgatitjet e nevojshme në rast nevoje. “Ne përpiqemi të flasim me gjuhën e arsyes, kur ju flisni me gjuhën e forcës, por edhe ne e dimë gjuhën e forcës…, u drejtohej krerëve shovinistë Enver Hoxha dhe i paralajmëronte: Mos luani me zjarrin se po filloi zjarri, do të digjeni vetë në të…”. Dhe vërtet u dogjën.

Shqiptar i madh, por jo shqiptaromadh

Ai, siç edhe deklaronte, nuk përzihej në punët e brendshme të vendeve të tjera, madje as të Kosovës, por luftën e drejtë të popullit të Kosovës e përkrahte hapur dhe pa hezitim.“Fitorja e popullit të Kosovës deri në vetëvendosje do të organizohet, në një rrugë të gjatë, plot vuajtje, mundime dhe sakrifica nga vetë populli dhe jo nga krerët e shitur shqiptar…”.
Do të vijë koha, kur kosovarët do të luftojnë akoma më mirë, më shumë e më fort për ta fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta kombëtare në Jugosllavi, do të vendosin vetë me cilin shtet do të bashkohen, do të vijë koha që ata ta thonë fjalën e tyre.
Po të mos mbrojmë të drejtat e vëllezërve shqiptarë në Jugosllavi ne do të bëjmë një krim dhe do të jemi tradhtarë të kombit tonë…”.
Ndërkaq veprimtarët atdhetarë në Kosovë dhe në viset e tjera i porosiste: “Duhet të dish e të mësosh për të qenë “supël” i lakueshëm kur duhet, pa bërë lëshime parimore…s’duhet humbur gjithçka e fituar për të arritur diçka të parëndësishme… U duhet adaptuar situatave që të mund të luftohet për krijimin e situatave më të mira. Duhet bazuar në të drejtat e fituara për të fituar të reja…Duhet me qenë gjakftohtë në punën për kauzën e madhe të popullit…, as liberal e shpresues i zbrazët dhe as sektar dhe difitent përpara çdo situate të pafavorshme koniunkturale…”.
“Jo grupe sekrete pa asnjë sekret për udb-ën, porosiste ai dhe – as aventurë që nuk të nxjerrë në shteg dhe as pajtim me statuskuon. Kryengritja e parakohshme do të ishte gabim fatal… Për luftë nuk mjafton vetëm guximi dhe trimëria individuale. Ajo përgatitet, pastaj shpërthen, piqet, pastaj bëhet, porosiste Enver Hoxha… Dhe kështu u bë.
Fakti pse lëvizja çlirimtare e viteve ’70 e ’80 kishte një kurs kryesisht të drejtë i detyrohet në masë të madhe sugjerimeve që transmetonin përfaqësues e diplomatë të Shqipërisë si këshilla vëllazërore nga udhëheqja e Shqipërisë, madje, siç thoshin ata, “nga Enver Hoxha vetë”. E kemi borxh ta themi të vërtetën se për Lëvizjen çlirimtare këndej kufiri janë dëshmuar largpamëse dhe shpëtimtare këshillat që i dërgoheshin Lëvizjes për ta ndjekur rrugën e bashkimit të gjerë çlirimtar pa dallim klase, feje a bindjesh politike dhe për të mos lejuar politika e parulla sektariste dhe ideologjizëm të skajshëm, për të mos lejuar ngatërrimin e qëndrimit ndaj shovinizmit serbomadh me qëndrimin ndaj popullit serb dhe sidomos qytetarëve serbëve të Kosovës; për të mos lejuar ngutje e lojë me kryengritje të parakohshme dhe as forma anarkiste, terroriste e fokiste të luftës e organizimit; për të mos lejuar të bëhen përpjekje e shpenzime të panevojshme për armatim, pasi që është herët dhe kur kësaj t’i vijë koha, siç na thuhej: “Shqipëria ka mjaft armatim për vete dhe për vëllezërit…”. Ishin kryesisht këto armë që vite më vonë çliruan Kosovën.
Është padyshim edhe ndikimi i këshillave të tilla të mëhershme që ndihmoi ndërtimin e profilin e një Lëvizjeje politike dhe më vonë edhe të një Ushtrie Çlirimtare të tipit popullor, të rregullt, të përgjegjshme, paqedashëse dhe paqendërtuese, e cila jo vetëm nuk praktikon por i dënon format terroriste të luftës, dhe e cila jo vetëm nuk rrezikon komunitetet e tjera etnike dhe të drejtat e tyre, por, përkundrazi, i merr në mbrojtje dhe i mbron me trupin e saj.
Zonja e zotërinj,
Të vërtetën ia kemi borxh jo vetëm Enver Hoxhës, por edhe brezave që vijnë. Pavarësisht nga e vërteta, s’do mend ka edhe anën tjetër. Si çdo njëri tjetër, nuk do mend edhe Enver Hoxha ka mangësitë, lajthitjet dhe gabimet e tij, për të cilat ai do të fliste e do të shkruante vetë siç ka bërë në të kaluarën. Ai ka folur sa e sa herë në mënyrë vetëkritikë edhe për periudhën e luftës dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë, ndërkaq duke folur për mbështetjen për Kosovën, ai theksonte: “Ne duhet ta pranojmë se për Kosovën nuk kemi bërë mjaft… Për Kosovën sado të bëjmë nuk është mjaft”.
I tillë ishte Enver ynë, dhe të tillë do ta kujtojë dhe nderojë gjithmonë Kosova.
Mënyra më e mirë, ndërkaq, për ta nderuar Enver Hoxhën, besoj do të ishte jo ndarja e përçarja dhe kthimi prapa, por uniteti dhe ecja përpara në përputhje me rrethanat e reja dhe me tendencat e zhvillimit historik. Në ditët e fundit të jetës së tij Enver Hoxha shkruante: “Ne me forcat tona do ta ndërtojmë unitetin e kombit shqiptar. Këtë detyrë të shenjtë na e kanë lënë amanet ta plotësojmë të parët tanë. Në mos arriftë dot brezi ynë që ta plotësojë atë, duhet ta përgatisim fushën që djemtë dhe vajzat tona ta kryejnë këtë detyrë të shenjtë ndaj mëmës sonë të dashur Shqipëri”.
Përvjetorët e tjerë do ta ndriçojnë edhe më mirë të vërtetën për veprën madhore të Enver Hoxhës për Kosovën dhe gjithë kombin. Do ta gjejnë të botuar gjithë veprën e tij për Kosovën. Brezat që vijnë do ta njohin edhe më mirë Enverin dhe do të vazhdojnë t’i shprehin nderim e falënderim Enver Hoxhës, për veprën kolosale dhe kujdesin atëror për Kosovën dhe kauzën e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Bekim Haxhiu: Kaq keq, e kaq tradhtisht si Albin Kurti, nuk ka vepruar as Esat Pashë Toptani

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj kryeministrit Kurti i cili akuzoi  ish kryeministrat …