Nga “kundërrevolucion” te “gabim historik”
Një nga karakteristikat më interesante të debatit mbi ngjarjet e vitit 1981 është fakti se, gjatë më shumë se katër dekadave, kanë ndryshuar vazhdimisht fjalët, por shumë më pak përmbajtja e gjykimit. Nëse krahasohen deklaratat e vitit 1981 me interpretimet që jepen sot nga disa individë, vërehet se ndryshimi është kryesisht terminologjik. Qëllimi mbetet pothuajse i njëjtë: t’i hiqet legjitimiteti historik demonstratave dhe kërkesës “Kosova Republikë”.
Në pranverën e vitit 1981, udhëheqja politike e Jugosllavisë, së bashku me strukturat politike të Kosovës të asaj kohe, demonstratat i cilësoi si “kundërrevolucionare”, “armiqësore”, “separatiste”, “irredentiste” dhe “kundër vëllazërim-bashkimit”. Këto etiketime nuk ishin zgjedhur rastësisht. Ato përbënin fjalorin standard të çdo regjimi komunist përballë një lëvizjeje që vinte në pikëpyetje rendin ekzistues. Në sistemin monist jugosllav nuk mund të pranohej se mijëra studentë dhe qytetarë po shtronin një kërkesë politike të ligjshme. Për këtë arsye, kërkesa duhej kriminalizuar, ndërsa bartësit e saj duhej të paraqiteshin si armiq të shtetit.
Në atë kohë, kjo gjuhë ishte pjesë e politikës zyrtare. Ajo mbështetej nga propaganda shtetërore, nga organet e drejtësisë, nga aparati i sigurisë dhe nga shumica e strukturave politike të kohës. Çdo zë që dilte jashtë këtij interpretimi rrezikonte burgun, përndjekjen ose përjashtimin nga jeta publike.
Por historia nuk mbeti aty.
Ngjarjet që pasuan në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ndryshuan rrënjësisht peizazhin politik të Evropës Juglindore. Rënia e komunizmit, shpërbërja e Jugosllavisë, heqja e autonomisë së Kosovës, represioni i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, lufta çlirimtare dhe, më në fund, krijimi i shtetit të Kosovës, e bënë të pamundur mbrojtjen e tezës se demonstratat e vitit 1981 kishin qenë “kundërrevolucion”.
Historia e kishte rrëzuar vetë këtë akuzë.
Në këto rrethana, mbrojtësit e interpretimit të dikurshëm u gjendën përballë një dileme. Ata nuk mund të vazhdonin të përdornin terminologjinë e vitit 1981, sepse ajo ishte diskredituar nga vetë zhvillimet historike. Por, në vend që ta rishikonin në mënyrë kritike qëndrimin e tyre, një pjesë e tyre zgjodhën një rrugë tjetër: ndryshuan gjuhën, duke ruajtur përfundimin.
Kështu, nocioni “kundërrevolucion” u zëvendësua me shprehje të tjera, që në shikim të parë tingëllonin më akademike, më të moderuara ose më “objektive”. Demonstratat filluan të cilësoheshin si “gabim historik”, “veprim i panevojshëm”, “hap i parakohshëm”, “aventurë politike” ose si një proces që gjoja kishte dëmtuar pozitën kushtetuese të Kosovës.
Në këtë mënyrë, u tentua të krijohej përshtypja se nuk po përsëritej më propaganda e vitit 1981, por po ofrohej një interpretim i ri shkencor. Megjithatë, nëse hiqen formulimet e reja dhe analizohet përfundimi, shihet se ai mbetet i njëjtë: demonstratat nuk paskan qenë të dobishme për shqiptarët.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi.
Në vitin 1981 thuhej se demonstratat ishin të dëmshme sepse rrezikonin Jugosllavinë socialiste.
Sot thuhet se ato qenë të dëmshme sepse paskan rrezikuar autonominë e Kosovës.
Në të dy rastet, objekti i kritikës është i njëjtë: kërkesa “Kosova Republikë”.
Ndryshon vetëm arsyetimi.
Edhe më domethënës është fakti se, me kalimin e kohës, kësaj qasjeje iu shtua edhe një element tjetër: teoria e manipulimit nga shërbimet sekrete. Sipas varianteve të ndryshme të kësaj teze, demonstratat herë organizohen nga UDB-ja, herë nga KGB-ja, herë nga Sigurimi i Shtetit shqiptar, herë nga shërbime të tjera të padukshme. Ndonëse këto versione shpesh bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, ato kanë një emërues të përbashkët: përpiqen t’ia mohojnë subjektivitetin politik studentëve, organizatave tw fshehta dhe popullit shqiptar.
Në këtë mënyrë, bartësit e ngjarjeve nuk paraqiten më si aktorë të vetëdijshëm të historisë së tyre, por si instrumente të dikujt tjetër. Ky është një mekanizëm i njohur i delegjitimimit historik: kur nuk mund ta mohosh një ngjarje, përpiqu t’ia mohosh autorësinë.
Mirëpo, një interpretim historik nuk matet me elegancën e gjuhës, por me fuqinë e argumentit. Nuk mjafton që një tezë të tingëllojë më e moderuar ose më bashkëkohore për t’u bërë më e vërtetë. Nëse përfundimi mbetet i njëjtë, ndërsa ndryshon vetëm terminologjia, atëherë kemi të bëjmë me vazhdimësinë e së njëjtës logjikë, të shprehur me një fjalor tjetër.
Për këtë arsye, është e rëndësishme të mos ngatërrohet evoluimi i gjuhës me evoluimin e mendimit. Gjuha mund të ndryshojë. Termat mund të zbuten. Akuzat mund të formulohen me tone më akademike. Por nëse synimi vazhdon të jetë delegjitimimi i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, atëherë kemi të bëjmë me të njëjtin bosht interpretues, i cili ka ndërruar vetëm petkun e vet.
Kjo është arsyeja pse debati për vitin 1981 nuk mund të kufizohet në analizën e fjalëve që përdoren sot. Ai duhet të depërtojë deri te logjika që fshihet pas tyre. Sepse historia nuk ndryshon sa herë ndryshon fjalori. Ajo ndryshon vetëm kur faktet arrijnë ta rrëzojnë një interpretim. Dhe në rastin e vitit 1981, faktet historike kanë folur shumë më fort se etiketat politike.
Vazhdon
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
