Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se e ka falur familjen e personit që e kishte kërcënuar, ndërsa ka theksuar se drejtësisë ia ka lënë të vendosë për rastin. Gucati tha se familjarët e personit të dënuar i kanë kërkuar falje dhe janë distancuar nga veprimi i tij. Ai u shpreh se personi është dënuar me katër muaj burgim dhe se e respekton vendimin e gjykatës, duke shtuar se nuk ka asgjë personale me të. Gucati tregoi se kërcënimet, përfshirë edhe pretendimet për kërcënim me vrasje, kishin ardhur përmes rrjeteve sociale pas një sërë fyerjesh, çka e kishte shtyrë ta raportonte rastin në Polici. Ai shtoi se familjarët e të dënuarit kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore dhe i kanë kërkuar falje, ndërsa theksoi se ndien keqardhje për ta dhe vlerëson sjelljen e tyre gjatë gjithë procesit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
