Screenshot

Osman Osmani: Diaspora nuk ka nevojë për favore të përkohshme, por për politika të qëndrueshme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarë 3 milionë euro për mbulimin e kostos së Kartonit të Gjelbër është një lehtësim i mirëpritur për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me automjete të regjistruara jashtë vendit. Megjithatë, ai nuk e zgjidh problemin në themel.
Pse Kosova nuk i shton përpjekjet për anëtarësim në sistemin e Kartonit të Gjelbër ose, të paktën, për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale me shtetet përkatëse? Kjo do të ishte një zgjidhje afatgjatë, e qëndrueshme dhe në interes të të gjithë qytetarëve.
Po qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit me automjetet e tyre të regjistruara në Kosovë? Ata vazhdojnë të detyrohen të blejnë sigurime kufitare në secilin shtet ku udhëtojnë. Edhe ky është një problem që pret zgjidhje.
Po ashtu shtrohet pyetja pse policia kufitare dhe ajo e komunikacionit duhet të detyrojnë qytetarët të blejnë polica sigurimi tek kompani private dhe t’i sanksionojnë nëse nuk e bëjnë këtë. A nuk do të duhej që shteti të krijonte kushte për zgjidhje publike dhe marrëveshje ndërkombëtare, në vend që të financojë përkohësisht një sistem që vazhdon ta rëndojë qytetarin?
Një pyetje tjetër është nëse këto 3 milionë euro do të kishin efekt më të madh po të investoheshin në reforma të qëndrueshme. Pse Qeveria nuk shqyrton uljen ose heqjen graduale të akcizës dhe doganës për automjetet që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Zvicra, veçanërisht për bashkatdhetarët që jetojnë dhe punojnë në disa shtete ose që vendosin të kthehen në Kosovë?
Kosova ka më shumë se një dekadë që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. A nuk do të duhej që, në kuadër të harmonizimit gradual me standardet evropiane, të rishikoheshin edhe politikat fiskale dhe doganore për automjetet? Nëse synimi strategjik është integrimi evropian, atëherë harmonizimi duhet të sjellë jo vetëm detyrime për qytetarët, por edhe lehtësime konkrete për ta.
Kësaj i shtohet edhe kufizimi që një mërgimtar nuk mund ta lërë automjetin e tij në përdorim nga familjarët në Kosovë për më shumë se tre muaj, pasi sipas rregullave aktuale ai rrezikon konfiskimin. A i përgjigjet kjo realitetit të jetës transnacionale të mijëra familjeve shqiptare?
Nëse argumenti është mbrojtja e mjedisit dhe ulja e përdorimit të automjeteve private, atëherë edhe kjo duhet parë në mënyrë të plotë. Do të ishte shumë më e kuptueshme që shteti të dekurajonte përdorimin e veturave private nëse qytetarëve do t’u ofroheshin alternativa reale: një rrjet funksional hekurudhor, transport publik modern dhe lidhje cilësore ndërmjet qyteteve. Vetëm atëherë politika të tilla do të mund të arsyetoheshin edhe nga aspekti mjedisor.
Në fund, lind edhe një pyetje tjetër e rëndësishme: a është konsultuar ndonjëherë seriozisht “diaspora e dashur” për këto çështje dhe për politikat e tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe interesat e saj? A janë përfshirë ekspertët, organizatat dhe rrjetet profesionale të diasporës në hartimin e këtyre politikave, apo diaspora kujtohet kryesisht gjatë zgjedhjeve, për remitancat dhe investimet?
Diaspora nuk ka nevojë për masa simbolike apo favore të përkohshme. Ajo ka nevojë për politika të qëndrueshme, për trajtim të barabartë dhe për një partneritet të vërtetë me shtetin.
Për diasporën nuk duhet të vendoset vetëm në emër të saj, por bashkë me të.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Heroinave të Popullit Shqiptar, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima

Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë 82-vjetorin e ekzekutimit nga pushtuesit gjermanë të dy …