Ibish Neziri: Nuk mund të udhëhiqen bisedime me Serbinë nën kërcënimin e Gjykatës Speciale dhe frikës nga ajo

Ibish Neziri: Treni, provokim i radhës që për pak nuk përfundoi në gjakderdhje

Se nisja e trenit nga Beogradi drejtë Kosovës ishte një provokim i rëndë dhe edhe një përpjekje për të bërë matje se deri ku mund të shkoj përtej kufijve të së lejueshmes, është e qartë. Se ishte provokim i llojit të vetë e thanë me shumicë  edhe mjetet e informimit publik në Evropën Perëndimore. E vërtetë është edhe moslejimi i hyrjes së trenit në territorin e Republikës së Kosovës pas vendimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Gjakrat u nxenë në të dy anët. Nga të dy anët erdhën deklarate të nxehta. Nga Republika e Serbisë kërcënuese e nga Republika e Kosovës triumfaliste.  Do të ishte mirë të mos kishte deklarata të tilla, por ja që për rrethanat serbo-shqiptare qe kohë të gjatë janë bërë shprehi.  Përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës të mos na e qajnë kokën me deklarata të tilla. Ata nuk janë zgjedhur për të tredhur miza por për ta udhëhequr shtetin dhe për ta mbrojtur integritetin territorial të tij dhe për ta pamundësuar shkeljen e kufijve nga kushdo e kujtdo qoftë që t’i teket. Ata në këtë rast ndryshe nga shumë herë deri tani kanë kryer detyrën e tyre kushtetuese duke ua treguar vendin pretendimeve dhe ëndrrave serbe.

Ardhja e trenit nga Beogradi në Prishtinë apo Fushë Kosovë dhe anasjelltas nuk është “mission impossible”. Kishte një tren që qarkullonte në këtë relacion, por jo i stërmbushur e stërshkërdhyer nga gjithë ajo ikonografi e ato parulla, me të cilat u nis këtë nga Beogradi ku u hartuan plane e strategji, të cilat shkaktuan aq shumë gjakderdhje. Ai tren ishte i mbushur  me udhëtarë që niseshin nga Athina, Selaniku, nga  Shkupi e Fushë Kosova, Mitrovica dhe shkonin tutje deri në Beograd, Zagreb, Lubjanë e Mynih të Gjermanisë. Pse të mos jetë një i tillë edhe tani? Kjo është e mundur edhe tani, dhe për këtë ekzistojnë rregulla të qarta të cilat duhet respektuar me përpikëmëri si Beogradi, edhe Prishtina. Mirëpo për këtë, qoftë ai i përparmi “Akropolis“-i që nisej nga Athina dhe përmes Shkupit, Fushë Kosovës e Beogradit shkonte deri në Mynih dhe anasjelltas apo ndonjë tjetër tren, krejtësisht normal, për të qarkulluar në këtë relacion, duhen marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërshtetërore të cilat bëhen  mbi bazën e atyre rregullave.

Shtrohet pyetja se çfarë u fsheh në tren e pas trenit. Të thuhet se ishte bartja e udhëtarëve është absurd i llojit të vetë. Të tregohet se „Kosova është pjesë e Serbisë“ edhe ky është absurd i të njëjtit lloj, ngase Serbia e din mirë se Kosova as pjesë, as zemër e as djep i Serbisë nuk është dhe këtë besoj ta ketë kuptuar edhe një herë, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kushtetutën e vet, me kufijtë e vet dhe me institucionet e veta, të cilat duhet të ruhen dhe mbrohen nga të thirrurit për këtë.

Është paksa e çuditshme heshtja  e KFOR-it dhe heshtja e udhëheqësit të UNMIK-ut, ndonëse ky i fundit është mision krejtësisht simbolik e i padukshëm. Përfaqësuesi Special është dashur ta njoftojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të kërkoj mbledhje urgjente të këtij Këshilli për ta shqyrtuar gjendjen e krijuar në Kosovë nga ky provokim i cila për pak sa nuk qoi në gjakderdhje, nëse nuk kanë qenë inskenime.

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk kishin si të ishin ndryshe pos ashtu si edhe u bënë, duke ia bërë të qartë Beogradit se jashtë çdo rregulli treni nuk mund të hyj në territorin e një shteti tjetër pa leje e pa marrëveshje paraprake. Ato duhet të ia bëjnë të qartë pos Beogradit edhe Brukselit, Uashingtonit, Berlinit e Moskës se janë të gatshme që edhe me Beogradin e edhe me Shkupin të lidhin marrëveshje për komunikacionin hekurudhor që do të ishte në interesin e të gjithëve.

Të kthehemi pak të deklaratat e mbrëmjes e udhëheqësve politikë të të dy shteteve. Ato që vinin nga Republika e Kosovës, ishin triumfaliste dhe me tendencë që meritat e moslejimit të hyrjes së trenit në territorin e Kosovës „të ia lënë vetit“ gjë që nuk iu deshën askujt tjetër pos vetë atyre, për konsum të brendshëm.

Ata është dashur dhe duhet ta dinë se nuk janë zgjedhur për sytë e tyre të zi apo të kaftë dhe për deklarata të tilla, por për ta mbrojtur vendin me gjithçka të jetë e nevojshme, sepse mbrojtja e vendit është detyrim kushtetues, jo vetëm për ta por për secilin shtetas. Ndërkaq deklaratat e udhëheqësve shtetëror serbë, sidomos ato Nikoliqit dhe Vuçiqit janë mjaft indikative për shkak të kërcënimeve që përmbajnë ato deklarata.

Nikoliqi tha se Serbia do t’i dërgoj njësitë ushtarake në Kosovën veriore nëse vriten serbë, për ta mbrojtur popullsinë serbe nga vrasjet. Jo rrallëherë ka ndodhur gjatë historisë serbe, sidomos asaj më të resë, të vriten njerëz që pastaj vrasjet e tyre të shërbejnë si „casus beli“ për veprime tjera. Një ndër rastet kohët e fundit që është përfolur relativisht shumë, është rasti „Panda“ i Pejës, prandaj përfaqësuesit e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës duhet t’ lënë llafet dhe rrahagjokset e të kujdesen shumë që të mos ndodhë ndonjë rast i ri a la „Panda“ që pastaj Serbisë, t’i shërbejnë si Casus beli në Kosovë. Përndryshe Serbia është duke është duke paralajmëruar vrasje të tilla, të cilat nuk do t’i bëjë askush tjetër pos asaj vetë.

17 janar 2017

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë …