Intervista me drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së, Behxhet Haliti

RKL: Administrata Tatimore e Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti ka grumbulluar rreth 220 milionë euro, apo 20 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjegjësisht 14 për qind më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas jush a paraqet kjo stabilizim të trendit të të hyrave?

Behxhet Haliti: ATK-ja në nëntëmujorin e këtij viti mund të konstaton se ka stabilizuar trendit e të hyrave duke pas parasysh se në këtë periudhë ne kemi realizuar objektivat dhe planin edhe përkundër zvogëlimit të normave tatimore dhe duke pas një informacion se ne s’kemi pasur ndonjë të hyrë të jashtëzakonshme siç ka qenë viti më parë ekstra profiti për PTK-ne apo ndonjë pagesë tjetër e madhe dhe kjo neve na ka mundësuar që të konstatojmë se jemi në rrugë të mire për zgjerimin e bazës së tatim paguesve dhe në funksion  të realizmit të zvogëlimit të ekonomisë joformale dhe njëherësh realizmit të shtyllave kryesore të misionit të ATK-së për trajtim të barabartë të gjithë tatim paguesve. Përgjysmimi i normave tatimore dhe heqja e disa llojeve të tatimeve siç ka qenë ekstra profiti nga PTK-ja, për ATK-në ka qenë sfidë në realizmin e objektivave. Në shumën prej 220 milion eurove vlen të theksohet se 159 milion janë të hyra tatimore rreth 62 milion janë kontribute të pensioneve, për të cilat nevojitet përpunimi  shpenzim energjie, ditë pune për vlerësimin kalkulimin dhe procedimin e tyre. Në bazë të kësaj dinamike ne mund të konstatojmë se jemi në rrugë të mirë që trendi i të hyrave sipas gjitha profileve dhe llojit të tatimeve është në rrugë të mirë dhe na jep siguri që të zotohemi para Qeverisë dhe atyre që planifikojnë buxhetin se do t’i realizojmë objektivat deri në fund të vitit që sipas buxhetit plani ka qenë 216 milion, ndërsa sipas planit që ka vendosur ATK si objektiv e kemi 225 milion euro dhe ne si Administratë Tatimore e kemi si synim.

RKL: Sa u përket borxheve, këtë vit ka trend pozitiv në grumbullimin e tyre. Cila është shuma e vjelë për këtë periudhë por edhe borxhi i mbetur? A ka në ATK koordinim dhe planifikim të aktiviteteve në funksion të përmbushjes dhe mbledhjes së borxheve?

Behxhet Haliti: ATK përveç shumë objektivave prioritet ka trajtimin e borxheve të trashëguara që në fillim të këtij viti arrinin vlerën prej 263 milion euro dhe në aktivitetet e veta për këtë vit kishte paraparë që 40 % e këtyre borxheve të trajtohen. Një pjesë e tyre të mblidhet, një pjesë të lidhen marrëveshje për pagesë në kiste dhe pjesa tjetër të trajtohet sipas ligjeve në fuqi të cilat kanë një vjetërsi më shumë se gjashtë vite. Administrata me procesin fiskal, të filluar vitin e kaluar me rastin e lëshimit të numrave fiskal ka azhurnuar regjistrat e tatimpaguesve që ka qenë edhe një prej kërkesave të Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar. Gjatë kësaj periudhe ne kemi arritur të lëshojmë rreth 61.000 numra fiskal dhe në këtë proces kemi pastruar listën e tatim paguesve. Derisa disa institucione vjetërsinë e borxheve e kanë deri në tri vite, ATK-ja ligjet me të cilat i administron, i trajton borxhet edhe deri në gjashtë vite. Në planin tonë dinamik i kemi paraparë disa paralajmërime të hershme për zyrtarët e operativës në regjione. Për borxhet deri në pesë vite, tre muaj më herët në mënyrë që të bëjmë përpjekjet e fundit për më vendos barra tatimore si mbledhjen me forcë apo ngritjen e kallëzimeve penale dhe veprave penale sipas legjislacionit aktual në fuqi. Tre muaj para se të vjetrohet borxhi në gjashtë vite, ne i bëjmë edhe përpjekjet e fundit aty ku kemi mundësi  edhe pse ka shumë vështirësi funksionimi i gjykatave dhe institucioneve tjera mbështetëse, mirëpo jemi në rrugë të mirë që përfundimisht të trajtojmë borxhet sipas ligjit. Si rezultat i kësaj ne këtë vit kemi një numër më të madh të grumbullimit të borxheve edhe si vlerë nominale rreth 25 ose 26 milion kemi grumbulluar në nëntë muaj e parë të këtij viti përfshirë edhe shumë marrëveshje të lidhura me bizneset.

RKL: Mendoni se do të respektohen këto marrëveshje?

Behxhet Haliti: Janë duke u respektuar në të kundërtën ata (bizneset) mund të bëhen pjesë e veprimeve tjera ndëshkuese se paralel me këtë ne kemi marrë shumë aktivitete që na i mundëson ligji. Kemi bllokuar hyrje – daljet në kufi, llogaritë bankare, kemi vendosur vjeljet në thesar, pastaj bashkëpunimi që neve na ka ndihmuar shumë me institucionet tjera me rëndësi siç është Dogana, krimet ekonomike, thesari. Vlen të theksohet se një pjesë e madhe e këtyre borxheve iu takon edhe ndërmarrjeve shoqërore edhe atyre publike

RKL:  Të cilat janë privatizuar disa prej tyre

 Behexhet Haliti: Ndërmarrjet Publike nuk janë privatizuar

RKL: Menduam në ato shoqërore

Behxhet Haliti: Po! Dhe për këtë ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Agjencionin Kosovar të Privatizimit duke vendosur barrë dhe prioritete me rastin  e likuidimit të tyre. Ky proces i likuidimit është stërzgjatur vite me radhë dhe ne presim që kërkesat e ATK-së të trajtohen si të rangut të parë nëse me rastin e likuidimit arrihen shuma të caktuara për t’i përmbushur obligimet ose borxhet e atyre ndërmarrjeve.

RKL: Me sa për qind të borxhit të përgjithshëm marrin pjesë këto ndërmarrje përfshirë edhe ato publike?

Behxhet Haliti: Borxhi i Ndërmarrjeve Shoqërore dhe Publike është diku rreth 15-20%. Mirëpo, ne kemi mirëkuptim për disa ndërmarrje shërbyese siç janë Termokosi, Ujësjellësi (KUR Prishtina), Pastrimi dhe i dimë vështirësitë që përballen ato me inkasimin e borxheve. Në këtë tremujor ne si zyre e drejtorisë qendrore kemi pezulluar përkohësisht bllokadat  në thesar dhe të shohim se si do të trajtohen më tutje. Ndërsa për tatimpagues tjerë kemi marrë masa shtrënguese dhe akti i fundit është që përmes ndërrimit të certifikatave të reja të TVSH-së në një farë forme t’i pengojmë për aktivitete tjera biznesore. Rrethin e parë e kemi ngushtuar përmes numrave fiskal, rrethi i dytë nëpërmjet certifikatave të reja të TVSH-së dhe aktivitetet permanente duke e funksionalizuar operativen tonë që nënkupton bllokimet në kufi, të llogarive bankare dhe në thesar. Kemi arritur që ta senzibilizojmë edhe tatim paguesin që të jetë kooperativë që të hynë në marrëveshje dhe t’i shlyej ato obligime.

RKL: Vetëm një e katërta e buxhetit vjetor të Kosovës vjen nga tatimet. Kur mendoni se ky proporcion do të ndryshojë në favor të të hyrave nga tatimet? Që do të thotë që agjencia që ju e menaxhoni të jetë mbledhësi kryesor i të hyrave? Për këtë po marrim vetëm një shembull – Gjermaninë ku ju qëndruat me stafin tuaj për disa ditë për të marrë përvoja nga ky vend, ku thuhet se 87 për qind e të ardhurave buxhetore financohen nga tatimpaguesit.

Behxhet Haliti: Administrata Tatimore dhe Doganat janë dy agjencionet kryesore të cilat kanë autorizimin ligjor që të merren me menaxhimin dhe zbatimin dhe grumbullimin e të hyrave për buxhetin e Kosovës. Legjislacioni aktual në Kosovë e ka përcaktuar në këtë format dhe kjo është si rezultat i kornizës ligjore. Duke pasur parasysh se Kosova është një shtet i ri një demokraci e re të mos them e brishtë ku evazioni fiskal dhe tentimi për minimin e qëndrueshmërisë ekonomike fiskale edhe prej shteteve  në regjion mund të jetë i madh. Dhe një siguri më e madhe përmes një strategjie të mirë të menaxhimit të integruar të kufijve që përgjegjës dhe kompetent për këtë punë janë Policia dhe Doganat. Dhe kjo është vendosur që fillimisht pjesa më e madhe e të hyrave të grumbullohet në dogana. Mirëpo pjesën më të madhe të ngarkesës dhe shpenzimit të energjisë për të vërtetuar të hyrat nëpërmjet Doganave i mbetet prapë Administratës Tatimore. ATK-ja e cila ka shënuar 10-vjetorin e themelimit ka ngritur kapacitetet dhe ka filluar të bëhet e gatshme për përgjegjësi më të mëdha në mënyrë që tatim paguesve t’ia lehtësoi punën sepse ai e paguan TVSH-në në kufi dhe atë tatim duhet ta paguaj konsumatori sepse ai nuk është barrë a ngarkesë e tatimpaguesit. Mirëpo, për rrethanat e caktuara është vendosur kur kemi parasysh se rreth 53 deri në 55 për qind e të gjitha të hyrave që raportohen nga doganat i takojnë TVSH-së dhe atë tatim për një periudhë prej një deri në dy vjet i mbetët Administratës për ta vërtetuar a është në harmoni me ligjin. Ata që janë ekspertë të ekonomisë dhe merren pak më shumë me detajet ekonomike e kuptojnë që të hyrat të cilat grumbullohen në Dogana dhe Administratë në një farë forme janë shumë të ndërlidhura dhe vetëm është çështje e raportimit se ku bëhet ajo, sepse TVSH-në realisht e paguan si i fundit konsumatori për ata edhe konsiderohet si krim i madh nëse një tatim pagues e bënë këtë shmangie të tatimit mbi vlerën e shtuar, e kam fjalën për bizneset që zhvillojnë aktivitet sepse shteti iu ka dhanë një autoritet ligjor në pamundësinë e mbledhur të të hyrave për t’i financuar shpenzimet për të mirat e përbashkëta të përgjithshme i ka autorizuar bizneset që gjatë aktivitetit të vetë për qëllime të fitimit ta mbledhë edhe për shtetin taksën e TVSH-së prej qytetarit të Kosovës. Dhe burimin TVSH-ja dhe shumë ligje tjera që lidhen me tatimet e kanë në kushtetutën e Kosovës, më saktësisht në nenin 119 i cili përcakton se shteti mund të mbledh taksa dhe tatime prej qytetarëve të saj. Përgatitjet që ka bërë ATK-ja sidomos dy vitet e fundit është drejtë asaj që të shndërrohet në Agjencionin kryesor të të hyrave në të ardhmen e afërt. Kur Kosova planifikon p.sh. deri në vitin 2015 të integrohet në BE, ku rroli i doganave bazuar edhe në praktikat e vendeve tjera të jetë i reduktuar në nivelin e sigurisë edhe në aeroport, atëherë barra kryesore mbetët tek Administrata Tatimore. Dhe paralel me këtë ne kemi dy projekte mbështetëse kryesore, USAID-in dhe EU-n, dy projekte që na mbështetësin me ngritje të kapaciteteve në këtë drejtim dhe në këtë funksion ka qenë edhe vizita që përmende pak më herët në Gjermani për të parë praktikat se si funksionojnë Administratat Tatimore më të avancuara. Dhe në funksion të saj kemi bërë ri ngritjen e sistemit të Teknologjisë Informative dhe kemi përfunduar komplet legjislacionin primar dhe sekondar që është një arritur shumë e madhe dhe një  lehtësi për ATK-në. Kemi zvogëluar subjektivizmin e zyrtarëve tatimor dhe kjo është në funksion të realizimit të drejtave të tatimpaguesve, trajtimit te barabartë dhe të trajtimit ndëshkues për ata që devijojnë nga përmbushja e obligimeve.

RKL: “Në Gjermani, jeni njoftuar se me ligj përcaktohet se cilat shkelje tatimore trajtohen nga njësia e hetimeve, dhe, cilat nga gjykata. Ndërsa në Kosovë nuk ka prokurorë të specializuar për tatimet, ata janë të përgjithshëm.

Behxhet Haliti: Është fat i mirë që edhe Administrata Tatimore edhe institucionet e Kosovës kanë ecë në këtë drejtim. Nga fillimi i vitit me ndihmën dhe asistencën e dy donatorëve kryesorë kemi bërë draftin e konsoliduar të ligjit për Administratën Tatimore që ishte edhe njëra prej kërkesave decidive të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pas shumë debateve Ligji është miratuar në kuvend dhe nënshkruar nga presidenti me 18 gusht. Ligji është i konsoliduar, përmbajtjesor dhe qartëson shumë situata duke përfshirë edhe rrolin e njësiteve të reja hetimore, qartëson raste për departamentin e ankesave. për ngritjen e veprave penale, kallëzimin e veprave penale për ata të cilët devijojnë nga respektimi i ligjit. Normalisht që ka ende çështje që do të qartësohen se a do të jenë të kodit penal apo të Administrate Tatimore, të kodit doganor, por janë çështje të cilat janë duke u marr nivele më të larta profesionale dhe jemi në rrugë të mirë edhe krijimit të trupave që do t’i zbatojmë dhe një komunikim edhe me këshillin gjyqësor me prokurorë me gjyqtarë në mënyrë që ata t’i kuptojnë lëndët dhe çështjet tatimore, por edhe ne si Administratë Tatimore të jemi në gjendje të përgatitim lëndët e dosjet me të gjitha faktet materiale dhe të dëshmuara për një tatim pagues deri diku dhe të dërgohet mesazhi te të gjithë ata të cilët marrin veprime jo në harmoni me ligjin që mund ta rëndojmë qëndrueshmërinë ekonomike fiskale të shtetit të ri të Kosovës

RKL: Mbi njëqind milionë euro në vit përllogaritet të humbasë buxheti i Kosovës nga ekonomia joformale dhe shmangiet tatimore. Sa është barra e përgjegjësisë tek ATK-ja? Cili është bashkëpunimi me Prokurorin, gjykatat, policinë në luftimin e ekonomisë jofromale, sidomos në veri ku thuhet se kjo pjesë e e vendit është edhe parajsa e evazionit fiskal?

Behxhet Haliti: Evazioni fiskal, shmangia tatimore, krimi ekonomik janë një dukuri e cila shfaqet në shumë shtete sidomos në ato që janë në formim e sipër, me demokraci të reja si p.sh. shtetet e Evropës jug-lindore. Kjo nuk do të thotë që duhet të kërkojmë amnisti pse evazioni ekziston, mirëpo është evidente dhe vështirë të matet, varet çfarë parametrash merren por llogaritet që mund të jetë realisht brenda atyre shifrave (afër 100 milion) që i përmendët. Si dukuri, evazioni fiskal nuk mund të luftohet shumë pa një bashkëpunim ndër sektorial dhe ndërinstitucional. Në këtë drejtim ATK-ja është mbështetëse e shumë aktiviteteve ku bartës janë policia, dogana dhe gjyqësia dhe në dy tri pika është vet bartëse, ndërsa mbështetëse i ka agjencionet tjera. Rezultatet të cilat i kemi arrit këtë vit dhe neve ajo që na jep siguri është komunikimi më i mirë me tatim paguesit, rregullimi i bazave ligjore dhe shtimi i bashkëpunimit me këto institucione. Normalisht që pjesa më e madhe e përgjegjësive bazohet në strategjinë e qeverisë për ekonominë joformale që nënkupton menaxhimin e integruar të kufijve që bashkëpërgjegjës janë polica dhe doganat mirëpo kjo nuk e liron as Administratën Tatimore për pjesën e vet që në mënyrë të drejtë dhe të saktë përllogariten pastaj të gjitha ato obligime. Ne shpesh marrim aktivitete të përbashkëta me doganat dhe policinë te kjo pjesë e tatim paguesve që është e prirë ta bëjë këtë invazion dhe rëndesë apo ngarkesë të posaçme është edhe porpoziteti i kufirit në veri te pika G-1 dhe G-31 që krahasuar me dy vite më parë kur është bërë shpallja e pavarësisë deri më tash  ka shumë lëvizje pozitive. Në pesë muajt e fundit kemi shumë informacione përmes doganave që na i dërgon komponenti i doganave të Eulexit që identifikon çdo kamion, çfarë malli, me çfarë regjistrimi në çfarë sasie hyn dhe nuk zhdoganohet ajo është veç një informacion shtesë për njësitet tona të kontrollit special aq më shumë është për policinë dhe për doganën dhe gradualisht ne jemi duke punuar se si t’u qasemi. Kohëve të fundit ne kemi vendosur kontakte me ish zyrtarë të Administratës Tatimore. Në këtë drejtim kemi shpallur konkursin ku janë paraqitur 16 kandidat për punësim në zyrën e ATK-së në veri. Në Shtërpce dhe në Gjilan aktualisht punojnë tre zyrtarë të komuniteteve por ne planifikojmë që të rritet stafi në mënyrë që të gjithë atyre tatim paguesve që kanë vullnet dhe gatishmëri t’u ofrojnë shërbimet dhe  këshillat në gjuhën e tyre dhe besoj që jemi në rrugë të mirë që në këtë pjesë të territorit të Kosovës t’u ofrohemi tatim paguesve në mënyrë që kjo pjesë gradualisht t’i ofrohet normalitetit.

RKL: Ditë më parë në Gjakovë filluat aksionin për mbylljen e të gjitha subjekteve të  palicencuara që merren me lojërat e fatit. Sa në të vërtetë i kontrollon ATK-ja, bizneset që merren me lojëra të fatit ku thuhet se qarkullimi është mjaft i madh.

Behxhet Haliti : Në fakt ky aksion ka filluar me Prishtinën pastaj ka vazhduar me Gjilanin, Kamenicën tash edhe në Gjakovë.

RKL: Mendoni se është krye me Prishtinën?

Behxhet Haliti: Po ne rregullisht thuaja çdo 3 muaj deri në 6 muaj marrim nga ni aktivitet të tillë. I paralajmërojmë për mbyllje.

RKL: Sa janë të suksesshme këto aktivitete?

Behxhet Haliti: Me rastin kur kemi filluar në Prishtinë dhe kemi publikuar në media, menjëherë është shtuar numri i kompanive që janë të licencuara për të licencuar njësit të cilat ne jemi duke i mbyllur, sepse për një pikë të hapur çmimi është 5.000 euro plus pagesat tjera përfshirë edhe tatimet. Vlen të theksohet se në Kosovë çështja e lojërave është në pritje të një legjislacioni që neve administratës tatimore edhe buxhetit të Kosovës i krijon një siguri për t’i trajtua në mënyrën më të mirë të ndershme dhe në të njëjtën kohë t’iu pamundëson shmangien dhe evazionin fiskal. Bëhet fjalë për një draft që është duke pritur në Ministrinë e Financave dhe ai e rregullon përfundimisht çështjen e lojërave të fatit.

RKL: Sa keni qasje në këto kompani dhe a keni vullnet të keni kontroll të plot mbi këto subjekte?

Behxhet Haliti: Natyrisht që jemi për kontroll të plot. Ato mbikëqyren nga ATK-ja. Tash do të përballen me tatimet shtesë, bëhet fjalë për një shumë goxha të madhe sepse kanë qenë neglizhent dhe nuk e kanë ndalur tatimin në burim për fitime dhe tash bie në barrën e kompanive dhe kjo është çështje e tyre. Brenda suazave të kornizës aktuale ligjore ata i paguajnë obligimet sepse në të kundërtën nuk do të licencoheshin, pasi çdo vit janë të obliguar të ri-licencohen. Çdo pikë e hapur pa lejen e ATK-së përcjellët me gjobën prej 25.000 euro. Me një fjalë mund të konstatoi se kemi dyfishim të të hyrave nga këto lojëra, ndërsa është çështje e qytetarit se luan apo jo.

RKL: Në fund z. Haliti a mund të konstatojmë se ATK-ja nën menaxhimin Tuaj ka ngritur performancen dhe funksion më mirë se viteve të kaluara?

Behxhet Haliti  Te gjithë indikatorët qojnë te ai konstatim.  Mirëpo nuk kisha me thanë vetëm në drejtimin tim por është një punë ekipore që ka ndihmën dhe përkrahjen e Ministrisë së Financave. Nuk kemi pas interferime dhe kërkesa të cilat e ngulfatin punën dhe mos zbatimin e ligjit. Akti i fundit i mirëkuptimit i Ministrisë së Financave për nxjerrjen e aktit nënligjor për bllokimin llogarive në thesar për ATK-në ka qenë një ndihmues kështu që bashkëpunimi i shtuar me thesarin, ku vetëm dje në bazë ditore kemi vendosur urdhër vjeljet e reja deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Bashkëpunimi dhe kontakti i rregullt me doganat, me hetuesit e policisë, kemi shtuar këto kontakte edhe me Zyrën për Miniera dhe Minerale, Zyrën për Regjistrim të Bizneseve, Agjensionin Anti korrupsion, te gjitha këto së bashku japin një rezultat më të madh. Kur kësaj i shtohet edhe kompletimi i legjislacionit, saktësimi i tij me eliminimin e dy kuptimësive, ngushtimin e hapësirave që zyrtarët tatimor ta bëjnë këtë ligj qëllim për vetveten, vendosja e linjave online me ndihmën e PTK-së pa pagesë për të gjithë tatim paguesit për të lajmëruar dukurit e devijuara por edhe të zyrtarëve tatimor dhe shumë veprime natyrisht që sjellin një rezultat. Ne gjithashtu kemi miratuar një plan strategjik që do të definon rrugën dhe objektivat e Administratës Tatimore për pesë vitet e ardhshme dhe në kuadër të saj kemi integruar nje strategji të përmbushjes dhe teknologjisë informative që  mbështet këto objektiva dhe është në funksion të realizimit të misionit të shtyllave tona kryesore që është inkurajim për përmbushje vullnetare. Vetëm këtë vit kemi arritur rreth 80 për qind të të gjitha obligimeve tatimore, që bizneset vet t’i llogaritin t’i deklarojnë dhe t’i paguajnë dhe ne si ATK kemi për obligim që kësaj pjese më të madhe të tatimpaguesve ne të jemi në shërbim të tyre.

RKL: Ne ju falënderojmë për të gjitha këto sqarime që i dhatë në detaje pa asnjë hezitim dhe për kohën e ndarë duke ju dëshiruar suksese në projektet e reja.

Behxhet Haliti: Ju faleminderit edhe prej juve. Ne çdo herë dhe në çdo kohë kemi nevojë për të gjitha profilet e medieve si Administratë Tatimore dhe plani ynë për vitin e ardhshëm është që të ngritin kapacitetet kah komunikimi me mediet dhe publikun që ta kuptoi rëndësinë e këtij institucioni. Pa ndihmën e medieve një komunitet profesional që i trajton këto çështje pa ndihmën dhe inkurajimin e qytetarit si konsumator me e ndihmua ATK-në, ne vështirë e kemi me realizuar misionin tonë. Prioritet i yni është vendosja sa më e shpejtë e këtyre hallkave të komunikimit dhe ndërlidhjes në mënyrë që me qenë në funksion të mbushjes së buxhetit që është e mirë e përbashkët për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Edhe një herë ju faleminderit.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …