leoni

Intervista me Kryeshefin Ekzekutiv të PTK-së, dr. Shyqyri Haxha

RKL: Ekspertët ekonomikë të Kosovës, OJQ-të e ndryshme thonë se PTK-ja, e cila i ka kontribuar buxhetit të Kosovës me dividendë prej qindra milion eurosh (234 milionë euro) gjatë dekadës së fundit, gjatë shitjes do të arrijë një çmim maksimal prej 300 milion euro Mund të jene te sakta këto pohime?

Shyqyri Haxha: OJQ-të nuk janë kompetente, e as shoqëria civile nuk janë ekspert për të dhënë vlerësime të tilla. Këto vlerësime mund t’i japin njerëzit që merren me këtë lëmi apo këshilltarët e transaksionit që kanë përvojë në vlerësimin e kompanive të telekomunikacionit. Kjo vlerë që po e përmendni Ju është theksuar disa here në medie mirëpo unë jam skeptik se kjo është një vlerë e saktë në të cilën dikush mund të thirret se vlera e kompanisë është 300 milion euro. Nuk mund të thuhet.

RKL: Ndoshta kanë menduar se minimumi i shitjes do të jetë 300 milion euro sepse vlera mund të arrijë deri në 1 miliard euro.

Shyqyri Haxha: Vlera është çmimi i kompanisë, do të thotë  kompania vlerësohet në këtë çmim. Vlerësimin real të kompanisë e bënë tregu real.

Vlera e kompanisë para një viti ka mund të jetë kaq por në vitin tjetër ajo mund të ndryshojë. Këto janë vlera që mund të ndryshojnë por kish me qenë mire që të bëhen përpjekje që kompania të shitet në momentin kur vlera e saj është më e madhe.  Kjo është edhe strategji e menaxhmentit që ne t’ia rrisim vlerën kompanisë dhe për këtë flasin edhe të dhënat të cilat tregojnë saktësisht se vlera e kompanisë është në ngritje.

RKL: Kosova ndonëse kaluan më tepër e dy vite e gjysmë që ka fituar pavarësinë megjithatë vendi i dy milion banorëve nuk ka një kod telefonik. Thirrjet ndërkombëtare bëhen përmes Monakos, Serbisë dhe Sllovenisë. Deri kur?

Shyqyri Haxha: Kjo është një pyetje shumë me vend e cila na brengos edhe neve që Kosova ende nuk e ka kodin e saj telefonik. Ne kemi bërë përpjekje që në suaza tona si menaxhment i PTK-së, e nganjëherë edhe i kemi tejkaluar ato, kemi bërë përpjekje që të kontaktojmë me staf ndërkombëtar me njerëz autoritativ që të ndikojnë në ITU që ne ta marrim kodin e shtetit. Ka pasur përpjekje që të marrim një kodë të përkohshëm apo regjional ngjashëm si Tajvani dhe Palestina dhe ne kemi elaboruar këto raste që kanë kode të përkohshme ose regjionale sepse ato ende nuk janë të pranuara nga të gjitha shtetet e botës. Kusht për të marr një kod shtetëror në rrugë zyrtare është që Kosova të pranohet në Kombet e Bashkuara dhe që të mos ketë asnjë vend që do ta përdor veton ndërsa Kosova ende nuk është pranuar në Kombet e Bashkuara dhe kjo ka bërë që ne ende të jemi pa kod shtetëror. Megjithëkëtë unë jam i bindur se me një këmbëngulësi më të madhe të institucioneve tona dhe me një angazhim më të madh me shtetet të cilat na kanë pranuar dhe që janë duke na ndihmuar ende, ne mund ta marrim një kod.

Për momentin ne jemi duke shfrytëzuar kodin e Monako Telekomit.

RKL: Çmimi i tij është 16.5 milion euro por ju keni arritur ta zbrisni sepse ka qen edhe më i lart apo jo?

Shyqyri Haxha: Po! është e vërtet që çmimi ka qenë edhe më i lart por ne kemi arritur ta zbresim. Kemi hasur në mirëkuptim me Monako Telekomin dhe patjetër se duhet nënvizuar edhe ndihmën që na ka ofruar edhe Kejbluairles nga Britania e Madhe sepse ata janë aksionar kryesor në Monako Telekom dhe na kanë ndihmuar shumë që ta modifikojmë kontratën e cila shkon rreth 7 milion euro në favor të PTK-së. Pra, e kam fjalën për çmimin që është ulur, pastaj për shërbime falas, disa prej të cilave janë të prekshme për konsumatorët tanë. Dua të ndalemi edhe njëherë të kodi. Në Kosovë ekziston një problem rreth përdorimit të kodit që ende shkakton një konfuzitet.  Ju e dini që në telefoninë fikse përdorim kodin e Serbisë – 00381, në telefoninë mobile përdoren 00377 që është kod i Monakos dhe atë slloven – 00386. Kjo nuk është në rregull që në tregun e telekomunikacionit të Kosovës të përdoren kaq shumë kode.

Tani a duhet të hyjë edhe një kod tjetër, bie fjala nga kompania që do ta blejë PTK-në, e cila mund të vije nga një X shtet i cili do të mundohet që ta fus kodin e vet. Mirë do të ishte që për të gjithë Kosovën të jetë një kod uniform edhe përderisa nuk e kemi kodin tonë.

Kjo laramani e kodeve nuk është e mirë se ne jemi shtet dhe ndoshta mund të gaboj, por nuk di që është ndonjë shtet ndokund në botë e që nuk është pranuar ende e që ka aq shumë kode shtetërore, kjo nuk ka ndodhë askund. Është filluar me kodin e Monako Telekomit menjëherë posa është themeluar “Vala”. Do të ishte mire që të vazhdohet edhe të mos bëhet edhe ndonjë çrregullim edhe në këtë drejtim përndryshe do të ketë humbje të mëdha. Më së miri kish me qenë që sa më shpjet të marrim kodin shtetëror. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha që ta marrim këtë kod por gjithashtu me ndryshim e kontratës me Monako Telekomit ne jemi dakorduar që të ndryshojmë një klauzulë që në rast se ne e marrim kodin shtetëror, Kosova, respektivisht PTK-ja ka të drejt që ta ndërpres kontratën me Monako Telekomin dhe për fazën e tranzicionit prej kodit të tashëm deri në fazën e kodit të ri që do ta marrim të gjitha shpenzimet dhe të gjitha punët i merr përsipër  Monako Telekomi.  Në të kaluarën kontrata ishte në dëm të PTK-së, pasi shpenzimet për transferim të kodit të ri ishin barrë e PTK-së.

Pra kemi arritur të bëjmë përmirësime shumë të mëdha në favor të PTK-së por ne jemi e shpresoj se edhe Qeveria dhe institucionet e edhe njerëzit me ndikim në politikën botërore kudo që kanë mundësi do të na ndihmojmë që ta marrim këtë kod. Nuk është vetëm shuma prej 16 milion eurove që përmendët Ju më parë por është vlera shumë më e madhe nëse merret parasysh se sa humbet me kodin e telefonisë fikse 00381, atë mobile 00386, të gjitha këto janë humbje që i bëhen Kosovës.

RKL: Telefonat mobilë të operatorëve nga Serbia janë duke u përdorur kryesisht nga 120.000 serbë të Kosovës, por edhe nga shumica shqiptare që duan të komunikojnë më lirë me të afërmit dhe miqtë afaristë në Serbi?. A mendoni se ka munguar vullneti i ndërmarrjes së masave energjike ndaj operatorëve të palicencuar të telefonisë mobile për ta bërë procesin e privatizimit të telekomunikacionit më atraktiv për investitorët e huaj?

Shyqyri Haxha: Pa dashur të përfshihem në politikë, së pari dihet territori i Kosovës. Këto janë gjëra shumë të thjeshta dhe besoj se nuk do të duhej t’i komplikoj askush. Territori i Kosovës po mbrohet dhe forcat e ushtrisë dhe të policisë së Serbisë nuk po lejohen të hyjnë, kështu krijohet përshtypja, së paku me uniformë jo. Por do të duhej që edhe civilët që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë të legjitimohen dhe verifikohen pasaportat sepse ne kemi institucionet, organet tona që të dimë se kush po hynë dhe kush po qëndron në Kosovë. Serbët janë qytetar të Kosovës dhe ashtu sikur neve edhe pakicës serbe ju takon të jetojnë në Kosovë dhe që t’i marrin të gjitha ndihmat që i marrin qytetarët e Kosovës  edhe qytetarët tjerë. Por është shumë e vërtet se është bërë problem çështja e largimit të operatorëve ilegal. Unë jam shumë skeptik që ART-ja do të mund t’ia dal t’i largoj të gjithë operatorët ilegal në tërësi, e kam fjalën për pjesën veriore të Kosovës. Edhe pse ka pasur përpjekje të ART-së që janë për t’u përshëndetur por vërejtjet tona kanë qenë gjithmonë që asnjëherë nuk i kanë larguar antenat për të mos u vendosur prapë për të mos u kthyer më sinjali në këto zona. Konkretisht ne kemi bërë para disa ditëve edhe matjet në Graçanicë dhe kemi konstatuar se aty është rikthyer sinjali përsëri pra jo që nuk janë larguar në pjesën veriore të vendit por funksionojnë edhe në brendi. Kjo është hera e dytë që ART-ja bënë përpjekje t’i largojë. Nuk po e kritikoj ART-në që nuk ka bërë më tepër sepse e kuptoj që ende faktori politik është i përfshirë në një mënyrë mirëpo me një këmbëngulësi më të madhe me një profesionalizëm më të madh edhe me luftimin e disa dukurive negative që sillen apo që kanë interesa rreth këtij biznesi mendoj se do të ishin larguar. Tregu i Telekomit në Kosovë ende nuk është rregulluar ashtu siç duhet dhe nuk shohë arsye pse nuk është rregulluar ashtu si duhet. Besoj se të gjithë parametrat jenë që ky treg të funksionoj me rregull dhe me këtë mendoj si në tarifa, si në largimin e operatorëve ilegal, në penetrimin e sinjalit nga operatorët fqinj në qendër të Kosovës kështu që mund të shkaktohen humbje të mëdha. Bie fjala, konsumatorët që e përdorin telefoninë mobile nga Maqedonia apo Mali i Zi kanë mundur të flasin edhe kur kanë hyrë në Kosovë madje edhe kur kanë arritur në Prishtinë kanë pasur mundësi ta përdorin rrjetin e telefonisë mobile të shtetit prej nga vijnë. Ndërsa ne ende pa arritur tek kufiri ndonëse gjendemi në vendin tonë hyjmë në rrjetin e vendit fqinj. Këto janë interferime që besoj se kanë mundur të largohen

RKL: Vitin e kaluar PTK ka fituar kontratën e operatorit të katërt të telefonisë mobile në Shqipëri, por nuk arriti të përmbushë objektivin e saj për të filluar operimin pasi disa herë ka dështuar me afate kohore.

Tash së fundi data e fillimit të Operatorit të parë shqiptar PLUS ( ku përveç PTK-së me aksione prej 30% e përbëjnë edhe pesë kompani nga Shqipëria) do të jetë në ditën e Republikës – 28 Nëntori. Çka mund të presin konsumatorët në Kosovë

Shyqyri Haxha: Është shumë e vërtetë që nuk kemi mundur t’i arrijmë objektivat tona, për vetë faktin që nuk kanë qenë timoni i investimeve në duar të PTK-së. Ne nuk  kemi investuar për këtë nuk kemi mundur të ngulim këmbë që p.sh. nga këtë datë kjo infrastrukturë të instalohet, përndryshe do të aplikohen  penallti, do të thotë të jemi të qartë ne nuk kemi investuar dhe këtu ka qëndruar nëse mund të them  problemi.

Janë investitorë shqiptar nga Shqipëria ata që e kanë timonin e investimeve janë paratë e tyre është fakt që ne kemi licencën, kontributi ynë është shumë i dukshëm mirëpo duke e marrë parasysh edhe territorin shumë të vështirë në Shqipëri, që ka qenë ndoshta edhe një prej faktorëve që nuk ka mundur të realizohet instalimi i infrastrukturës, që tashmë është punë e kryer. Unë thirrjen e parë e kam marrë nga Shqipëria pothuajse para një muaji, ka qenë një thirrje me kualitet shumë të lartë. Çmimet do të jenë shumë të ulëta dhe tash ka arrite marrëveshja edhe interkonuksionit me Shqipërinë që është me çmime shumë të ulëta d,m,th kualiteti çmimet do të jenë në nivel shumë të favorshëm për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë, e kam fjalën konsumatorët tanë që e përdorin telefoninë mobile të valës kur shkojnë në Shqipëri janë në të njëjtin rrjet, d,m,th kualiteti I sinjalit dhe çmimi  do te jenë pothuajse të pakrahasueshme në favor të konsumatorëve  tonë, e pranojmë edhe publikisht që nuk kemi mundur ti arrijmë objektivat tona po nuk është vonë nga ne.

RKL: Çdo herë në paraqitjet e juaja publike keni folur vetëm për sukseset e PTK-së sidomos në fazat e fundit të zhvillimit të kësaj korporate më profitabile në vend.

Kështu ishte edhe në konferencën e fundit të mbajtur ditë më parë. ku në superlativ folët për sukseset e fundit për të gjitha njësit e PTK-së e sidomos të Valës. Ka ndonjë segment që nuk ka funksionuar ashtu siç keni pritur gjatë kësaj periudhe sa jeni krye shef Ekzekutiv i PTK-së?

Shyqyri Haxha: Duke e marrë parasysh se kemi pas ngritje të madhe të konsumatorëve prej mbi 50%, (nga 800 mijë në vitin 2008) deri në 1.2 milion këtë vit) duke e marrë parasysh që e kemi ngrit trafikun.

RKL: Sa janë aktiv këta një milion e 200 mijë?

Shyqyri Haxha : Çdo konsumator brenda tre muajsh, nëse e përdor apo merr thirrje konsiderohet numër aktiv. Këta janë numra që ne i kemi edhe në sistemin tonë të data bazës. Nuk ka si të mos flitet për sukses kur çdo qytetar i Kosovës ka mundësi të vërejë përmasime drastike nëse mund të them kështu të imazhit të kompanisë .

Dy vite më parë ju vetë keni mund të hyni në pikë të shitjes në PTK dhe të vëreni parregullsi, sot është një imazh tjetër. A jam i kënaqur me këtë që është arritur – Jo, natyrisht që kompania duhet të punojë dhe do të punojmë edhe më tutje edhe më shumë ka nevojë për një efikasitet edhe më të madh.

RKL: Planet e juaja parashohin 1.5 konsumator. Kur do të arrini këtë shifër.

Shyqyri Haxha: Unë jam shumë i bindur që po të vazhdojmë me trendin dhe vizionin që kam filluar, mos të ishin ndërhyrjet dhe ndërprerja e projekteve unë  jam shumë i bindur që brenda një kohe do të arrinim jo 1.5 milion por 1.8 milion konsumatorë në vala dhe rreth 400 mijë shtëpi me shërbime të internetit, të televizionit kabllor IPTV dhe shërbime të tjera

RKL: Kur pritet realizimi i rrjetit kabllor televiziv?

Shyqyri Haxha: Ne shpresojmë shumë se brenda dy javësh. Tash vetëm jemi duke e bërë fazën testuese.

RKL : Në këtë paketë si risi ofrohen edhe kanale televizive nga SHBA-të, Britania, që nuk kanë mundur t’i ofrojnë dy operatorët tjerë. A do të jeni më konkurrentë në çmime?

Shyqyri Haxha: Konsumatori i Kosovës do të ketë një zgjidhje shumë më të  mirë dhe më të madhe edhe të shërbimeve jo vetëm të produkteve por edhe të paketave të cilat do të jenë shumë të favorshme. TV kanalet do të jenë shumë të favorshme për kategori të caktuara të konsumatorëve. Është një kategori e caktuar e konsumatorëve shtetas perëndimor, dhe ata dëshirojnë që ta kenë një program shumë të shikuar nga shteti prej nga vijnë dhe natyrisht kjo kushton, por në përgjithësi paketat tona do të jenë shumë më lirë se paketat e deritashme. Ju e dini shumë mirë ne gjithmonë jemi kujdesur për konsumatorët tanë. Shërbimet tona kanë qenë pothuajse shërbime me standard më të lartë por edhe me çmime më të favorshme.

Nuk e kemi bërë rastësisht këtë, mirëpo edhe çmimet i kemi kalkuluar me një kujdes shumë të madh, është bërë një balance shumë i kujdesshëm që të arrihet plotësimi i kërkesave për konsumatorit tanë, shërbimi të jetë në nivel po edhe të mos dëmtohet korporata, këto ndoshta edhe janë çelësi kryesor i menaxherëve të kompanisë që i analizojnë në detaje dhe vinë me një pako që i plotëson gjithë parametrat për konsumator por edhe nuk është i dëmshëm për kompaninë.

Shikoni kjo është një kompani shtetërore dhe ne pa dashur të kthehemi në të kaluarën shumë, është krijuar përshtypja që nuk kemi marrë vendime të favorshme për kompaninë, por tash e lëmë këtë punë se si duket e kanë lënë edhe institucionet nuk po merret kush me ata. Atyre në njëfarë mënyre u është dhënë hapësirë se megjithatë edhe na pengojnë në punë. Këto janë disa veprime që unë jam marrë më tepër, mirëpo unë jam ky, dhe nuk e kam në mendje të ndryshoj.

RKL: PTK është e njohur për Donacione dhe Sponsorizime. Sa mjete përafërsisht ndahen gjatë një viti?

Shyqri Haxha : Afër 2 milion euro janë dedikuar për sponsorime të ndryshme dhe donacione. E dini shumë mirë që nuk ka pasur ndonjë kompani që ka ndihmuar më tepër, mirëpo strategjia e menaxhimit ka qenë që përmes sponzorimeve dhe donacioneve jo vetëm që ju ndihmohet qytetarëve të Kosovës, mediumeve, institucioneve por me këtë është bërë edhe një lloj marketingu për korporatën. Në çdo vend ku ne kemi ndihmuar ka qenë logoja e PTK-së, dhe konsumatorët tanë kanë qenë shumë të kënaqur. E di një rast në një familje shumë të gjerë nuk dua t’i përmendi me emër, ku i kishim ndihmuar një anëtari të asaj familje që numëronte mbi 150 anëtarë dhe slogani i tyre ishte” Gjithnjë dhe gjithmonë familjarisht do të jemi me Valën”.  Për mu ka qenë diçka e veçantë që ne i kemi ndihmuar.

Nuk e kemi lidhur ne që me çdo kusht të jenë konsumator të tanë, mirëpo më vonë na është komunikuar që ata kanë qenë konsumator shumë besnik dhe do të mbesin besnik të Valës.

RKL: Çka mund të presin konsumatrorët e shumtë të PTK për festat e fund vitit. E dimë për festën e e Bajramit do të kenë SMS për një centë dhe bisedën në Vala 4 cent për minutë gjatë ditës. Keni përgatitur ndonjë befasi?

Shyqyri Haxha: Së pari konsumatorët tanë e dinë shumë mirë se prej ardhjes sime në PTK nuk ka pas probleme me dërgimin e mesazheve apo thirrjeve. Pra i njëjti sistem, të njëjtit njerëz, mirëpo tash funksionon shumë më mirë. Kjo do të thotë se ka një disiplinë shumë të madhe stafi ynë do të jetë kujdestar.

RKL: Lexova një rekord 4.4 milion mesazheve brenda një dite

Shyqyri Haxha: Ka qenë rekordi më i madh që është arritur në PTK por edhe në  Kosovë, dhe nuk kemi pas probleme kështu që shpresoj shumë që do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm.

Rreth festave është kjo pako ku një cent është mesazhi, katër cent minuta gjatë ditës mirëpo gjatë natës ai zbritet në dy cent, nuk ka ku të shkoj më lirë. Shërbimet janë në nivel d.m.th stafi ynë i PTK do të jetë 24 orë kujdestarë dhe nuk mund të ketë probleme.

RKL:  Zotri Haxha, Ju keni publikuar një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore, prej kur jeni emëruar Krye shef ekzekutiv në kompaninë SH.A. PTK keni kohë të merreni edhe më tutje me kërkime shkencore?

Shyqyri Haxha : Është e vërtetë që unë punoj ende në punime shkencore, por të ju them të drejtën kohëve të fundit i kam pasur gjashtë punime, në mesin e tyre i kam publikuar dy punime që nuk kam arritur t’i publikoj asnjëherë në karrierën time, është një Optik Express që e ka një vlerë shumë të lartë shkencore. Unë bashkëpunoj me kolegë të mi në vende të ndryshme të botës. Idetë që kam pasur rreth këtyre hulumtimeve shkencore ende i punoj dhe publikoj. Vitin e kaluar i kam pasur rreth 12 botime. Deri tani i kam rreth100 publikime, edhe pse tani në kushte shumë të vështira, tash i komunikoj idetë e mija me kolegët , me student që unë i kam super vajzu si student të doktoraturës, tash ata janë punësuar dhe punojnë në mesin e Universiteteve më të forta në botë.

Dëshira ime ka qenë që këto hulumtime shkencore t’i sjell në Kosovë, por ende nuk kam hasur në një institucion apo staf që t’i botoj. Edhe përkundër faktit  që punoj në PTK-ë, kam arritur sukses më shumë se kolegët e mijë që janë në Britani të Madhe. Është goxha e vështirë që brenda një viti të botohen 13 zhurnalë, e mos të flas për konferenca  që kam mundur t’i bëj 50, brenda një viti, por për mua vlera e konferencës është ndryshe nga ajo e zhurnalit. Më janë afruar shumë shtëpi të shkruaj, por nuk më premton koha, ngase shkrimet shkencore janë ushqim për mua. Nuk kam qenë një njeri komercial të shkoj pas parasë, por synimi im është të shkruaj e publikoj, që të mbetem në histori. Publikimet e mija mund t’i gjeni nga do që shkoni në Japoni , në Kinë, Amerikë , Beograd. Të njëjtën gjë e vazhdon edhe familja ime vëllai Veseli i cili punon në Mançester publikon shumë, merret me teknologji.

RKL: Ju para ca ditësh e theksuat se unë deri tani nga vetja  kam dhënë vetëm 10%, kam edhe 90% çka të jap, e keni thënë për aspektin shkencor?

Shyqyri Haxha: Jo vetëm në aspektin shkencor por edhe në atë menagjerial. Ju duhet ta kuptoni unë jam penguar shumë ta kryej detyrën time, nuk kam hasur në ndihmë nga institucionet, përkundrazi jam penguar nga strukturat e caktuara, ngase unë jam ky që jam nuk i them të zezës e bardhë  e të bardhës e zezë, dhe nuk do të pranoj kurrë, a është ai person apo staf nga Kosova, Shqipëria apo nga shtetet ndërkombëtare, mua më intereson drejtësia. Kam ardhur nga një shtet ku ka drejtësi e demokraci. Nuk e kam ndërmend ta ul kokën dhe ta fus në këmbët e dikujt, pse? Familjarisht jam shumë i pastër vij nga një familje e cila ka një bagazh shumë të fortë, gjyshi ka qenë këshilltar i Azem Galicës, vëllai 26 vjeçar më ka ra në luftë, më është ekzekutuar para syve të familjes, 20 anëtarë të rrethit të ngushtë në Galicë janë vra, këtë begraund që e kam dhënë në shkencë e kontributin qe po e jap këtu, po e them edhe një të vërtetë. Babai im që jeton në Britani të Madhe çdo vit vjen këtu dhe mbjell afër 6 ha, tokë pastaj 10 mijë kg. miell e grurë i jep falas do të thotë vetë kontributi familjar që japim po e pengon dikë. Unë nuk e kam ndërmend të hyj në politikë, kështu që mos të më bezdisin struktura të caktuara, ngase unë kam ardhur këtu të ndihmoj, sepse e kam një arsye sepse ne e kemi paguar shtrenjtë këtë vend, dhe nuk dorëzohem nga ta që nuk kanë dhënë asgjë për Kosovë. Shikoni këto struktura të cilat më së shumti na pengojnë, merreni me mend të kaluarën familjarë të tyre, shikoni 100 vitet e fundit, po ju garantoj se asnjë anëtarë i tyre nuk e kanë dhënë asnjë cent për Kosovën, e lerë më jetën, por  vetëm e kanë vjedh Kosovën. I kisha lutur shumë institucionet që t’i kenë parasysh këto. çdo kund në botë ekzistojnë inteligjenca të caktuara që e mbrojnë institucionin, e mbrojnë individin që ka  kontribuuar, edhe atyre që kanë potencial ta zhvillojnë shtetin, atyre duhet tu krijohet hapësirë. Nëse më pyet mua dikush se a duhet dhe a është lehtë të vijnë dhe të punojnë në Kosovë, atëherë përgjigjja ime është se duhet të vijnë por duhet të jenë shumë të përgatitur sepse do të shkatërrohen nga struktura të caktuara. Këtu ekziston një fenomen se njerëzit e fortë dhe profesional duhet të luftohen dhe tu krijohet një ambient i pamundur që ata të kthehen. Kjo është një dëm i madh për Kosovën se vlera dhe kontributi i njeriut nuk vlerësohen. Këtë më duhet ta them patjetër dhe do ta them deri sa të jem gjallë.

RKL: Arritja në Canterbury, qytetin e katedraleve, për pelegrinët e Xhefri kacer_it shënoi fundin e udhëtimit nëpër kopshtin e Anglisë. Por, për profesorin Shyqyri Haxha, Canterberi shënon fillimin e udhëtimit të tij nga puna si ligjërues në Universitetin e Kentit, në krye të PTK-së. Zotëri Haxha na sqaroni këtë?

Shyqyri Haxha: Unë kam qenë në një konferencë, ku kanë marrë pjesë kompanitë më të forta të Telekomit në botë si: Ti mobile, Vodafon, dhe kompani tjera. Kur e kemi prezantuar projektin tonë të fijeve optike nëpër shkolla që askush në botë nuk I ka, ata janë fascinuar dhe vendosën të më intervistojnë. Unë kam punuar pikërisht në fije optike, dhe kompania angleze që më intervistoi e shprehu habinë se si një njeri që nga Britania e Madhe që ika bërë studimet akademike atje dhe ka kontribuar aq shumë, këtë njohuri po shkon po e implementon në Kosovë në vend që ta implementoj në Britani të Madhe, pse një projekt  tillë nuk implementohej atje.  Dhe  a e dini se çka ka ndodhur tash? Në këtë vit është lansuar projekti  Biti Ifiniti, d.th. fijet optike të hyjnë në të gjitha institucionet në Britani të Madhe. Kurse ideja jonë ka qenë para tyre, pra që në  çdo fshat të ketë fije optike. E unë këtë e kam paguar me një çmim shumë të madh. Sinqerisht po ju them se shumë keq i kam përjetuar disa aktivitete që kanë ndodh rreth Kompanisë tonë, dhe jam bindur dhe nuk ka kush të ma heq këtë bindje se këtu dikush ka pasur për qëllim ta pengoj zhvillimin e Kosovës. Unë me sinqeritetin më të madh ju garantoj se këtyre njerëzve ju pengon që Kosova brenda një kohe të shkurtër të hyj në Evropë, e kush janë ata është mirë që institucionet tona të merren me ta, se nuk mund të pengohet zhvillimi i një Kompanie multimilioner siç është kjo, ngase do të pengohet edhe shërbimi tek qytetarët e Kosovës. Këto janë të dhëna dhe fakte që unë i kam vërejtur gjatë rrugëtimit tim. Në anën tjetër unë ndihem shumë fatlum që kemi shtete siç janë SHBA-të, Britania e Madhe, e disa të tjera, që me të vërtetë mendojnë të na ndihmojnë sinqerisht. Nga njëherë krijohet përshtypja se më mirë mendojnë ata për ne se ne për vetën tonë.

RKL: Faleminderit që ishit pjesë e intervistave në programin e Radios Kosova e Lirë

Shyqyri Haxha: Faleminderit edhe Juve dhe suksese të mëtejme.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …